Një fshesë me korrent-robot duket se i ka dhënë dritë jeshile luftës mes njeriut dhe makinerive, duke ‘sulmuar’ të zonjën e saj teksa flinte. Një grua nga Koreja e Jugut, në qytetin Changwon, kishte lënë fshesën e saj robot ‘Roomba’ të pastronte dyshemenë, ndërsa vetë vendosi të merrte një sy gjumë. Por makina inteligjente, e cila mesa duket ka ‘menduar’ se edhe flokët e gruas, e cila ishte shtrirë përtokë, ishin papastërti, i është ‘sulur’ 52-vjeçare duke e thithur. Flokët e gruas ngecën në makinerinë pastruese dhe dhimbja e fortë në skalpin e kokës e zgjoi gruan nga gjumi. Kur kuptoi se kishte ngecur, ajo lajmëroi policinë t’i vinte në ndihmë. Lajmi është raportuar nga gazeta koreano-jugore ‘Kyunghyang Shinmun’, që bën me dije se gruaja arriti të çlirohej nga fshesa me korrent, por nuk dihet nëse do të ketë dëshirë ta përdorë sërish.
‘Roomba’ u prezantua në vitin 2002 dhe deri në vitin 2014 është shitur në mbi 10 milionë copë në vende të ndryshme të botës. Makineria inteligjente përdor sensorët për të lëvizur nëpër pengesa, për të shmangur kthesa të forta si shkallët apo për të dalluar papastërtinë në dysheme. Ato janë krijuar nga ‘iRobot’, që gjithashtu ndërton robot që përdoren për çështje ushtarake.
9 shkurt 2015 (gazeta-Shqip.com)