Raporti 2 – Komisioni Europian do të përgatisë një raport të dytë në lidhje me progresin e Shqipërisë, në kuadër të angazhimeve të paplotësuara


PE – Parlamenti Europian është institucioni i radhës ku pritet të diskutohet rekomandimi për dhënien e statusit kandidat. Seanca mbahet në nëntor


Këshilli – Organi vendimmarrës i Bashkimit Europian, Këshilli, do të marrë vendimin final në dhjetor për dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat Shqipërisë


Fuqia – Pas vendimit të Këshillit Europian, pritet që marrja e statusit kandidat të hyjë në fuqi dhe më pas të flitet për hapjen e negociatave për anëtarësim


Brukseli


BE nuk do t’i hapë negociatat për anëtarësim, nëse dështojnë zgjedhjet e 2013-s


Fatjona Mejdini


Komisioni Europian vendosi që t’i rekomandojë Këshillit të BE-së statusin e vendit kandidat Shqipërisë, por me kushtin që të plotësohen dhe kriteret që kanë mbetur pezull. Kjo ishte kryefjala e komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, dje në Bruksel, gjatë prezantimit të progres-raportit për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, të cilat kërkojnë të integrohen në Bashkimin Europian. Fule deklaroi se Shqipëria ka plotësuar pjesën më të madhe të 12 rekomandimeve që i janë dhënë nga KE dhe fryma e bashkëpunimit mes palëve, pavarësisht luhatjeve të veçanta, mund të konsiderohet e qëndrueshme. Tashmë vendit i mbeten dhe rreth dy muaj kohë për të plotësuar pjesën e mbetur të rekomandimeve, në mënyrë që Këshilli Europian, i përbërë nga drejtuesit e qeverive të 27 vendeve të BE-së, t’i hapë plotësisht rrugë dhënies së statusit kandidat Shqipërisë.


Kushtet


Komisioneri Fule dje në Bruksel u tregua i qartë kur theksoi se statusi i vendit kandidat në BE, Shqipërisë do t’i jepet vetëm kur të plotësojë pjesën e mbetur të 12 rekomandimeve. Sipas tij, përveç kompletimit të reformës në gjyqësor dhe miratimit të reformës zgjedhore, Shqipëria në muajt në vijim duhet të ndryshojë rrënjësisht funksionimin e Parlamentit, duhet të forcojë dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe atë ndaj krimit të organizuar. “Komisioni rekomandon dhënien e statusit kandidat në varësi të plotësimit të masave kyçe, në fushat e reformave të gjyqësorit dhe administratës publike dhe rishikimit të rregullores së Parlamentit. Ne do të raportojmë sapo të arrihet mjaftueshëm progres i mëtejshëm, e në këtë raport, Komisioni do të marrë parasysh edhe përpjekjet e Shqipërisë për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi Stefan Fule, gjatë prezantimit të progres-raportit. Sipas tij, Shqipëria mund ta përmbushë këtë fazë, vetëm nëse ka bashkëpunim politik mes palëve politike. “Fokusi duhet të jetë në sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Dialogu politik i qëndrueshëm mbetet esencial për suksesin e procesit të reformave dhe sjellja në zgjedhjet parlamentare të 2013-s do të jetë një test kyç në këtë aspekt dhe një parakusht përpara çdolloj rekomandimi të mundshëm të Komisionit për negociata”, bëri të qartë komisioneri.


Zgjedhjet


Pavarësisht faktit se statusi i vendit kandidat pritet të hyjë në fuqi në momentin kur palët politike të përmbushin detyrimet e mbetura, zgjedhjet e ardhshme parlamentare u përcaktuan dje si një test kyç, i cili do të përcaktojë nëse vendi do avancojë më tej drejt Europës apo jo. Zgjedhjet dhe implementimi i reformave do të jenë elementët kyç në rrugën e Shqipërisë për hapjen e negociatave për anëtarësim. “Një fokus i veçantë kërkohet për: zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje me standardet europiane dhe ndërkombëtare; përforcimin e pavarësisë, efikasitetit dhe llogaridhënies së institucioneve gjyqësore; përpjekjet e vendosura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë hetimet proaktive dhe ndjekjen penale; masat efektive për forcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe politikave antidiskriminim; dhe zbatimin e së drejtës së pronës”, saktësoi Fule, duke folur për masat shtesë të cilat ishin shumë të rëndësishme për t’u zbatuar në kuadër të ecurisë drejt Bashkimit Europian.


 


Parlamenti – Partitë politike në vend pritet të miratojnë së shpejti reformën parlamentare, duke plotësuar dhe një kusht tjetër nga 12 rekomandimet. Të dyja palët kanë lëshuar nga pozicionet në një nga dy kushtet që mbante peng këtë reformë


Gjykata – Miratimi me konsensus i ligjit për Gjykatën e Lartë paraqet vështirësi në miratim, për shkak të kushtit që ka vendosur PS për të. Socialistët kërkojnë zbatimin e vendimeve të gjykatave për Qarkun e Fierit në këmbim të votës për këtë ligj


 


SHBA


“Palët të përfundojnë reformat e mbetura pezull”


“Ambasada e SHBA-së mirëpret Raportin e Zgjerimit të BE-së që rekomandon miratimin e statusit kandidat për Shqipërinë me kusht përmbushjen e reformave të tjera kyçe. Rekomandimi është dëshmi e politikave konstruktive të ndjekura nga të gjitha partitë politike gjatë vitit të kaluar dhe për këtë arsye, përfaqëson një mundësi historike për shqiptarët. Ne i mbështesim me forcë përpjekjet e Shqipërisë për integrim në BE dhe nxisim të gjitha palët të vazhdojnë të shpalosin bashkëpunimin e nevojshëm për të përfunduar dhe zbatuar reformat që mbeten pezull”, thuhet në deklaratën për shtyp.


 


Presidenti


“Statusi, përgjegjësi dhe sukses i përbashkët”


Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, iu dorëzua dje pasdite nga kreu i Prezencës së BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, Progres-Raporti i KE-së për Shqipërinë për vitin 2012. Presidenti falënderoi në mënyrë të veçantë Delegacionin e KE-së në Tiranë për veprimtarinë profesionale, në mbështetje të institucioneve shqiptare dhe realizimit të reformave. Pasi i vlerësoi rekomandimet e mbetura si plotësisht të arritshme, Presidenti Nishani shprehu bindjen se klasa politike shqiptare dhe të gjithë aktorët e përfshirë do të vazhdojnë kontributin e tyre të përkushtuar në përmbushjen e këtyre rekomandimeve, duke ndarë së bashku përgjegjësitë dhe frytet e suksesit.


 


LSI


Meta: Tri kushtet të plotësohen javën e ardhshme


“Unë dua të vlerësoj pozitivitetin me të cilin Komisioni Europian i ka parë zhvillimet e vitit të fundit në Shqipëri, vlerësimin realist që ka bërë për progresin e bashkëpunimit të arritur në Parlament, por edhe jashtë tij, në përmbushjen e shumë detyrimeve të rëndësishme dhe substanciale, ashtu sikurse inkurajimin që i ka bërë vendit tonë përmes këtij rekomandimi pozitiv, por njëkohësisht edhe përmes dhënies së mundësisë që në ditët dhe në javët e ardhshme të plotësohen edhe këto tri detyrime të tjera në mënyrë që vendet anëtare në dhjetor t’i thonë po përfundimisht statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”, tha Meta.


 


PDIU


“Suksesi i popullit, politika e zvarriti statusin”


“PDIU përshëndet marrjen e statusit dhe uron mbarë popullin shqiptar, i cili nuk e ka reshtur mbështetjen e vet për t’u bërë pjesë e BE-së. Suksesi dhe lëvdatat i takojnë popullit shqiptar ndërsa elitës politike i takon të mbartë përgjegjësinë për zvarritjen dhe vonesën e pajustifikueshme në procesin e integrimit. Kjo arritje është një dëshmi e re, se nëse palët politike lënë mënjanë interesat meskine dhe frymën e konfliktualitetit, por angazhohen së bashku për të bërë reformat që më së shumti i nevojiten Shqipërisë, udhëtimi drejt BE-së ka për t’u bërë më i shpejtë dhe më i lehtë”, thuhet në deklaratën për shtyp.


 


 


Topalli


“Bojkoti dhe arritjet janë në raport”


“Ky status është një gur i rëndësishëm kilometrik në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, të cilin shqiptarët e çmojnë në të njëjtën lartësi me nënshkrimin e MSA-së në qershor të vitit 2006. Rruga jonë ka qenë plot pengesa e vështirësi. Bojkoti, bllokimi, refuzimi për bashkëpunim i janë kundërvënë këtij procesi dhe dokumenti nuk e fsheh këtë, sikurse me të njëjtën transparencë tregon se bashkëpunimi, pjesëmarrja në votim, angazhimi dhe kontributi në reforma e ndihmojnë procesin. Ky dokument çmon arritjet, përparimin e dukshëm dhe evidenton objektivat”, tha Topalli pas marrjes në dorëzim të raport-progresit.