“Topi në anën e Shqipërisë, kur do t’i plotësojë kushtet”
Ernest Bunguri
Komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefan Fule, në një intervistë për “Top Channel” thekson përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e reformave dhe klimën e re pozitive pas paktit politik. Zoti Fule tha se katër prej prioriteteve janë përmbushur plotësisht, në dy ka mjaft progres dhe tani fokusi do të jetë përmbushja e kritereve të tjera.
Për të ndihmuar Shqipërinë, komisioni ndërmori një qasje të re në mars me fokus te reformat politike dhe parlamentare, një listë kriteresh minimale për të rekomanduar statusin kandidat. Por ju bëtë një rekomandim të kushtëzuar, pasi kushtet e kësaj liste nuk u plotësuan në kohë…
Fillimisht dua të bëj të qartë që të mos ketë përshtypje se ka dy procese paralele, pasi ne kemi vetëm një proces, i cili nisi dy vjet më parë, me opinionin dhe rekomandimet tona për 12 prioritetet kyçe, të cilat qëndrojnë mes Shqipërisë dhe nisjes së negociatave për anëtarësim. Shqipëria ka dhënë rezultate të plota në katër prej tyre, mendoj se dhe në dy të tjera ka mjaft progres, e që me shpresë do të përmbushen së shpejti plotësisht. Pra fokusi tani do të jetë në ato prioritete që nuk janë plotësuar ende. Në të njëjtën kohë, ne u përpoqëm të ndihmojmë, jo vetëm autoritetet, por edhe opozitën, gjë që mendoj se solli një rezultat shumë të mirë, jo vetëm me marrëveshjen e nëntorit të kaluar që mundësoi një angazhim të ri për të punuar së bashku, pikë së pari për axhendën europiane. Hartuam një lloj liste që kërkonte një masë kritike rezultatesh, e cila do ta vinte komisionin në një pozicion të favorshëm për të paraqitur propozimin për dhënien e statusit kandidat. Dhe ju keni të drejtë që një pjesë e mirë e asaj liste mori masa nga lista e 12 prioriteteve, dhe kjo është arsyeja pse bëhet fjalë për një proces të vetëm dhe jo për dy procese paralele. Ndërkohë që Shqipëria ka përmbushur pjesën më të madhe të çështjeve të kësaj liste, ajo gjithsesi dështoi në tri prej tyre: ligjin për shërbimin civil, atë për Gjykatën e Lartë, dhe në miratimin e ndryshimeve të rregullores së Parlamentit. Pra për të qenë të besueshëm, ne nuk patëm zgjidhje tjetër përveçse t’u rekomandonim vendeve anëtare t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat, por me kushtin që Shqipëria të përmbushë edhe këto tri çështje. Dhe topi është tashmë jashtë mase në anën e Shqipërisë se sa shpejt do t’i plotësojë, ndërkohë që komisioni është i gatshëm t’i informojë vendet anëtare që të nesërmen, se detyrat e shtëpisë u kryen.
Përcaktimi në raport-progres për reformën parlamentare dhe politike në Shqipëri, nuk ndihet nga populli, nuk preket në jetën e tij të përditshme, për shkak të mungesës së përgjithshme të zbatimit të ligjeve. Një shembull i kësaj është greva e urisë e ish të burgosurve politikë nga regjimi komunist, ku një person i dytë tentoi vetëflijimin duke i vënë zjarrin vetes. A jeni në dijeni të kësaj, dhe a jeni të vetëdijshëm për moszbatimin e ligjeve në Shqipëri?
Jam në dijeni të kësaj dhe jam i shokuar dhe thellësisht i prekur nga ajo tragjedi. Është për të ardhur keq që njerëzit duhet të zgjedhin këtë formë proteste, për t’iu kërkuar autoriteteve të përmbushin diçka që vetë autoritetet jo vetëm e kanë premtuar, por aktualisht e kanë kthyer edhe në ligj. Zbatimi është problem dhe unë shpresoj që qeveria të vendosë rregull “në punët e shtëpisë”, në veçanti për këtë çështje. Kjo, sepse unë vetë kam një respekt shumë të thellë për ata që janë persekutuar nga regjimet e mëparshme, nga regjimet totalitare. Mendoj se ata duhet të trajtohen me respekt. Dhe mendoj se elementi bazë i këtij respekti është që, nëse kompensimi është premtuar dhe është kthyer në ligj, ky ligj duhet të zbatohet. Në anën tjetër, mungesa e zbatimit së cilës iu referuat ju është në të vërtetë një çështje e përgjithshme edhe në fusha të tjera. Kjo shpjegon pse komisioni përqafoi një qasje të re vitin e kaluar në lidhje me ato vende që arrijnë deri te negociatat për anëtarësim, duke hapur që në fillim kapitujt 23 dhe 24 të negociatave, kapituj këto që merren me liritë themeltare, me gjyqësorin, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, e ashtuquajtura “fuqia e butë” e legjislacionit europian, e cila lidhet ngushtë me vlerat dhe parimet mbi të cilat është themeluar Bashkimi Europian. Kjo do të thotë se ne nuk do të ndjekim vetëm plotësimin e kutive të detyrave, se u miratua ligji dhe faleminderit shumë, është perfekte. U ngritën institucionet, faleminderit shumë, gjithçka është perfekte. Jo.
Zgjedhjet janë një tjetër pikë e rëndësishme, veçanërisht për Shqipërinë, prej historikut të famshëm të saj. Një javë më parë ju vetë nuk e kishit ndarë ende mendjen se si do të përdorej ky kusht. Çfarë bëri që ta vendosni si kusht për negociatat e jo për statusin?
Tani po përpiqesha të kujtoja se ku saktësisht nuk jam shprehur ashtu siç duhet, javën e shkuar siç thatë, sepse unë nuk e kam lidhur kurrë çështjen e zgjedhjeve me atë të statusit kandidat. Ka një lidhje me këtë të fundit, dhe kjo është përmirësimi i Kodit Zgjedhor. Kjo lidhet me faktin që ne na bën të ndihemi më të rehatshëm për të propozuar dhënien e statusit kandidat.
Por në të njëjtën kohë, dhe ja ku vijmë sërish te fjala magjike “zbatim”. Gjetja e konsensusit mes qeverisë dhe opozitës mbi ligje shtesë e mbi disa hapa ligjore për zgjedhjet, është një gjë. Por është tjetër gjë të zhvillosh zgjedhje të lira e të ndershme dhe plotësisht legjitime. Kjo është arsyeja pse ne e lidhëm këtë të fundit me rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësim.
Marrë me shkurtime nga “Top Channel”