Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit. Tre muajt e dytë të vitit, rritje të ngadaltë ekonomike
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i është përgjigjur sot akuzave të opozitës për shpenzime luksi nga Banka e Shqipërisë duke thënë se ky institucion nuk bën shpenzime të tilla por ka krijuar kushte për konsolidimin e tij.
“Banka e Shqipërisë nuk bën shpenzime luksi, por ka krijuar kushtet për konsolidimin e një institucioni të pavarur, llogaridhënës. Ne investojmë tek njeriu. Kompensimet që fliten për ushqimin është menca, ndërsa shpenzimet për sportin janë elementë të një institucioni bashkëkohor. BSH-ja po bën një revolucion për rikonstruksionin e godinave të saj”, sqaroi Fullani.
Ai ka deklaruar se Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 4%. “Kushtet monetare janë të përshtatshme për arritjen e objektivit të inflacionit për periudhën afatmesme” tha Fullani. Guvernatori Fullani ka theksuar se në tre muajt e dytë të vitit ka pasur një rritje të ngadaltë të aktivitetit ekonomik, ndërsa sipas tij eksportet kanë shënuar rritje me 19.2 për qind dhe importet kanë pësuar ulje me 4.4 për qind, ndërsa investimet private janë ende të ulëta. Fullani ka shtuar gjithashtu se ka rritje të normës së inflacionit gjatë muajit korrik dhe konsumatori vijon të ketë një sjellje drejt kursimit.
28 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)