Jahjaga, fjalim në Kuvend, kërkon heqjen e barrierave ekonomike


ARTEMISA HOXHA


JahjagaBashkëpunimi dypalësh mes vendeve, mbështetja e Shqipërisë për situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës apo dhe ecuri e dialogut Kosovë-Serbi ishin në fokus të takimit mes Presidentit të vendit, Bujar Nishani, dhe homologes kosovare, Ahtifete Jahjaga. Jahjaga & NishaniPresidentja e  Kosovës, me ftesë zyrtare të kreut të shtetit takoi dje Kryeministrin Edi Rama, kreun e Parlamentit, Ilir Meta, apo dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe po jep një kontribut të qenësishëm në përmirësimin e klimës së bashkëpunimit rajonal dhe praktikat e respektimit të pakicave kombëtare në Kosovë duhet të merren si shembull nga të gjitha vendet e tjera të Ballkanit. Por Kosova ka përpara dhe shumë sfida, si çdonjëri prej vendeve të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë me të cilat duhet të përballet me guxim”, ka thënë Nishani. Në konferencën e përbashkët, Jahjaga falënderoi institucionet shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme të njohjes së pavarësisë së Kosovës, ku shtoi se sfida më e madhe mbetet forcimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. “Të dy shtetet tona kanë dëshmuar se bashkëpunimi në rajon është jo vetëm domosdoshmëri, për rrugët tona drejt BE-së, por është një garantues i zhvillimit të shoqërive tona. Gjithashtu, edhe i sigurisë, i paqes dhe qëndrueshmërisë jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë”, tha ajo.


Takimi me Ramën


Takimi i radhës ka qenë ai me Kryeministrin Edi Rama, ku i shprehu falënderimet qeverisë shqiptare për mbështetjen në të gjitha aspektet dhe në mënyrë të veçantë për kontributin dhe përkrahjen në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Bashkëbiseduesit u dakordësuan për intensifikimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi strategjik, në ekonomi, shëndetësi, arsim, shkëmbimet tregtare. Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Rama vlerësuan ecurinë e bashkëpunimit shumë të mirë që ekziston mes vendeve, falë zbatimit me sukses të një sërë marrëveshjeve në fusha me interes reciprok.


Takimi me Metën


Para mbajtjes së fjalimit në Parlament, Presidentja Jahjaga është takuar me kryeparlamentarin Ilir Meta, i cili theksoi se Shqipëria e mbështet plotësisht avancimin e Kosovës në procesin e integrimit euroatlantik dhe në këtë kuadër përpjekjet duhen përqendruar në forcimin e institucioneve demokratike, sundimit të ligjit, shtimit të njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizatat e ndryshme rajonale e ndërkombëtare, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Gjatë fjalës së saj, Jahjaga shprehu mirënjohjen e thellë të institucioneve të Kosovës, si dhe të popullit të saj për mbështetjen e fuqishme, të vazhdueshme e të pakursyer të Shqipërisë dhe popullit të saj ndaj avancimit të proceseve integruese, lobimit për njohjet ndërkombëtare, anëtarësimit në organizatat rajonale dhe progresit të Kosovës.


Fjalimi në Parlament


Në fjalimin në sallën e seancave plenare, Presidentja e Kosovës, Jahjaga, nënvizoi se Shqipëria po bëhet faktor stabiliteti në rajon. “Bashkëpunimi nuk është standard për integrimin në BE, por është domosdoshmëri për stabilitet. T’u japin fund praktikave të korruptuara të së kaluarës që i mbajnë dy shtete tona prapa dhe kriminalizojnë shoqërinë”, tha ajo. Presidentja e përqendroi fjalimin pikërisht në bashkëpunimin në fushën e ekonomisë dhe kulturës. ” Kosova nuk ka partner më të madh se Shqipëria në rajon dhe ky partneritet duhet të reflektojë me heqjen e pengesave burokratike dhe t’u mundësojë bizneseve të tona të zhvillojnë ekonominë e tregut të lirë, me konkurrencë të barabartë dhe trajtim të drejtë. Të hapim dyert për shkrimtarët dhe artistët, t’i inkurajojmë që të na ndihmojmë t’i flakim paragjykimet dhe ta njohim e ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin. T’i emancipojmë shoqëritë tona, që të jenë konkurrente në një epokë të udhëhequr nga inovacioni, si qytetarë të lirë e të vetëdijshëm për rolin e tyre në ndërtimin e një demokracie të mirëfilltë. Kemi rol të rëndësishëm në parandalimin e terrorizmit global. Shqipëria po i jep shembull botës në harmoninë fetare dhe Kosova po bën punë të madhe në këtë drejtim”, përfundoi Jahjaga. Në fund të axhendës së takimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka dorëzuar Jahjagës “Çelësin e Qytetit”. Në takim, biseda e tyre u fokusua në krijimin e kushteve për forcimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Tiranës.