sistemi “E-Gate” do të vendoset në pikat kufitare, ai bën verifikimin e identitetit live, brenda 20 sekondash, ku skanohen të kërkuarit
Rinas
Është parashikuar që projekti pilot të zbatohet fillimisht në Rinas, aty ku ka dhe fluksin më të madh të hyrjeve dhe daljeve nga Shqipëria
Prezantimi
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, prezanton edhe sistemin “E-Gate”
Nga viti i ardhshëm “Komisariati dixhital”, përmes një automati do të ofrojë shërbimin e deritanishëm të një sporteli policor, kartave të identitetit do t’u shtohen elemente të reja sigurie, ndërsa në kufi do të aplikohet sistemi “E-Gate”. Gjatë prezantimit të djeshëm, ministri i Brendshëm sqaroi detajet e këtyre risive. Sipas tij, komisariati dixhital është një automat, i cili i lejon qytetarit të identifikohet ose nëpërmjet gjurmës së gishtit, ose nëpërmjet kartës së identitetit, ose nëpërmjet PIN–it personal. Duke ofruar të njëjtat shërbime që ofron sot një operator, një zyrë, një sportel dhe pastaj një sistem i tërë mekanizmash, njerëzish dhe zyrash, mekanizmash institucionalë, për të dhënë shërbime ndaj qytetarëve. Komisariati dixhital do të gjendet kudo, në institucionet publike, universitete, qendra tregtare etj. Aksesi është i garantuar, pasi qytetari identifikohet me dokumentin e tij të identitetit, shenja e gishtit dhe pin-in personal, ndërkohë mund të kryejë pagesa për shërbimet që do marrë në këmbim të faturës për çdo pagesë. Komisariati dixhital do japë shërbime si: leje, licenca, certifikime, autorizime, informacion, deklarim, kallëzim ose informim i qytetarit për çështjen të cilën mund ta ketë kallëzuar ose deklaruar në polici më parë dhe për të cilën mund të futet në komisariatin dixhital dhe nëpërmjet numrit unik të interesohet për fatin e çështjes së tij. Ministri Tahiri prezantoi edhe sistemin “E-Gate”, i cili në pikat kufitare bën verifikimin e identitetit live, brenda 20 sekondash, ku skanohen të kërkuarit. Tahiri shtoi se qershorin e këtij viti, u prezantua elementi i dytë biometrik i pasaportës që është “face recognition-njohja e fytyrës”. Sipas ministrit, në janar 2015, pasaportat e reja biometrike me të dyja elementet biometrike do të jenë në fuqi. Që nga janari 2015 qytetarët shqiptarë do të kenë në dorë kartat e reja të identitetit, të cilat kanë elemente të shtuara sigurie me prekje dhe reliev, kontroll të avancuar me të dhënat biometrike të ruajtura në chip, si dhe chip të aktivizuar për shërbimet elektronike, që do të thotë mundësi për të marrë shërbime në mënyrë elektronike nga vetë qytetari, pa pasur nevojë për prezencën e punonjësit autorizues, që në Policinë e Shtetit mund të jetë vetëm punonjësi i Policisë së Shtetit. “Këto dokumente me elemente të shtuar të sigurisë, dokumente biometrike, dhe pasaporta edhe karta e identitetit, garantojnë siguri maksimale nëpërmjet elementeve të sigurisë që sot janë dhe që nga janari i vitit tjetër, 2015, do jenë efektivë në çdo dokument që do marrin qytetarët në dorë. Që është prekja me reliev për kartën e identitetit; gjurmët e gishtave dhe verifikimi i fytyrës ose “face recognition”, tha Tahiri.
