Avokati i Popullit ngre grup hetimor për largimet nga puna gjatë fushatës
– Na ka rezultuar në disa raste që gjatë orarit zyrtar administrata nuk ka qenë në detyrë
– Mospërfshirja e administratës shtetërore në aktivitetet politike zgjedhore
Paralajmërimi
“Nëse nuk jepet një qëndrim mbi këto rekomandime do të vendosen hapa ligjorë që do të ndiqen duke aplikuar në çdo rast në mënyrë të plotë dhe korrekte dispozitat e ligjit”
Institucioni i Avokatit të Popullit, me anë të një konference për shtyp, publikoi dje rezultatet e hetimeve të kryera në periudhën parazgjedhore në vend. Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit theksuan se pas denoncimeve të kryera në media dhe jo vetëm, rezulton se gjatë fushatës, administrata në disa raste nuk ka qenë në shërbim të qytetarëve. Edhe pse u kanë dërguar disa shkresa institucioneve përkatëse, Avokati i Popullit deklaroi dje se këto institucione vazhdojnë të heshtin. “Kemi shkuar dhe kemi iniciuar hetime veçanërisht për përfshirjen e administratës në aktivitete zgjedhore gjatë orarit të punës. Na ka rezultuar në disa raste që gjatë orarit zyrtar administrata nuk ka qenë në detyrë, nuk u ka ofruar shërbime qytetarëve dhe për këtë shkak i jemi drejtuar me rekomandime. Për fat të keq deri më sot ka ndodhur e njëjta gjë, pra rekomandimet tona janë lënë në heshtje, ndërsa është detyrimi i administratës që të kthejë një përgjigje të arsyetuar”, u shpreh dje përfaqësuesi i Avokatit të Popullit.
Denoncimet
Denoncimet e publikuara në media të personave të larguar nga puna për bindje politike, apo edhe detyrimi i administratës për të dalë në fushata zgjedhore, ka bërë që institucioni i Avokati të Popullit të ngrejë një grup hetimor mbi shqyrtimin e këtyre rasteve. Sipas këtij institucioni, denoncimet kanë qenë të shumta mbi këtë fenomen, por frika e spastrimit nga administrata ka bërë që shumë prej tyre të ngurrojnë të denoncojnë në këtë institucion. Sipas institucionit të Avokatit të Popullit, denoncimet e publikuara në media mbi këtë fakt kanë qenë të shumta, nga ku Avokati i Popullit ka nisur shqyrtimin e tyre. “Në total kemi paraqitur 7 rekomandime dhe u jemi drejtuar me shumë shkresa organeve të administratës shtetërore qoftë në nivel qendror dhe në nivel lokal. Problematikat kryesore ose fushat kryesore ku ne jemi fokusuar ka qenë: mospërfshirja e administratës shtetërore në aktivitetet politike zgjedhore; mospërfshirja e nxënësve dhe mësuesve të shkollave në tubime politike gjatë kësaj periudhe dhe gjatë orarit të mësimit; krijimin e kushteve për të mundësuar votimin e kategorive problematike, grupeve të margjinalizuara”, thuhet në raportin e publikuar një ditë më parë nga Avokati i Popullit.