Vonon ndihma mjekësore në fushë. Adebayo humbet ndjenjat pas daljes nga spitali i Vlorës
Futbollisti nigerian i ekipit të Bylisit, Adigun Adebayo, është dëmtuar rëndë nga një përplasje me Sebino Plakun e Skënderbeut, në takimin e zhvilluar dje në stadiumin “Flamurtari” të qytetit të Vlorës.
Në minutën e 63-të të ndeshjes, mbrojtësi i Bylisit u godit me bërryl në grykë nga sulmuesi i Skënderbeut, Sebino Plaku, në një dyluftim ajror. Afrikani ka mbetur i shtrirë në tokë dhe ka pasur vështirësi në frymëmarrje, ndërkohë që raportohet se ambulanca e urgjencës së Vlorës është vonuar shumë, duke i rrezikuar jetën futbollistit. Ai është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Vlorës, ku pas ndihmës së parë, e ka marrë veten. Mjekët e spitalit të Vlorës e kanë lejuar futbollistin të udhëtojë bashkë me ekipin e Bylisit drejt qytetit të Ballshit, me pretendimin se ai ishte mirë dhe ecte me këmbët e veta. Por vetëm pak minuta pasi ka lënë spitalin, ndërsa ndodhej në autobus në rrugën Vlorë-Fier, Adebayo ka pasur përsëri probleme me frymëmarrjen dhe sipas informacioneve ende të pakonfirmuara ka humbur ndjenjat. Ai është dërguar menjëherë në spitalin e qytetit të Fierit, por mjekët fierakë e kanë dërguar menjëherë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi e kanë konsideruar të rëndë gjendjen e tij. Burime pranë ekipit të Bylisit thanë dje në mbrëmje se futbollisti ishte në rrezik serioz për jetën, pasi goditja e marrë në fushën e lojës i ka shkaktuar komplikacione të rënda.
Ndeshja
Skënderbeu pretendent nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë përballë Bylisit në javën e tretë të Kategorisë Superiore. Ka qenë pikërisht goditja psikologjike që pësoi skuadra ballshiote pas dëmtimit të Adebayo, ajo që solli një gabim fatal në fazën mbrojtëse dhe i dha mundësi sulmuesit më të mirë të Superiores Pero Pejiç të shënonte golin e avantazhit për korçarët. Por drama e Bylisit nuk do të mbyllej me kaq, në minutën e 75-të mbrojtësi Da Silva bën një gabim të dytë dhe detyrohet të dalë me karton të kuq, pasi i ndërhyn pa top sulmuesit të Skënderbeut, i cili mund të shënonte golin e sigurisë. Në 10 minutëshin e fundit të takimit, Bylisi e rimerr veten dhe shpërblehet në limitet e kohës së rregullt, kur Arbri, pasi përfiton nga një gabim në rreshtim, por edhe në ndërhyrje të mbrojtjes mike, i çon shifrat në baraspeshë. Një barazim më se i merituar i Bylisit, që me atë çfarë dha në fushë për më shumë se 90 minuta, ndoshta meritonte edhe më tepër.
Java
Përfundoi në barazim, por me rrjeta të paprekura edhe sfida tjetër e së shtunës, ajo mes Apolonisë dhe Kukësit. Ky është barazimi i tretë radhazi për debutuesit kuksianë, të cilët, përveç faktit se nuk kanë marrë asnjë fitore, nuk kanë shënuar dhe pësuar ende asnjë gol në Ligën Superiore. Me ndeshjet e së shtunës nuk është mbyllur ende gjysma e takimeve të javës së tretë të Ligës Superiore, e cila u hap të premten me takimin Teuta-Tirana, që u mbyll në barazim 1-1. Sot do të luhen tri takime të tjera, që janë ato Tomori-Flamurtari, Shkumbini-Besa dhe Vllaznia-Luftëtari. Java e tretë mbyllet me takimin e së hënës mes Laçit dhe Kastriotit.
Aktualisht, Tirana dhe Skënderbeu qëndrojnë në krye të renditjes me nga 7 pikë, të ndjekura nga Besa, Luftëtari, Kastrioti, Laçi e Teuta që kanë nga 4 pikë.
Mbrojtësi: Adebayo u godit nga Plaku në një dyluftim në 63′ dhe shfaqi probleme me frymëmarrjen në fushë për disa minuta