Vazhdojnë aplikimet e personave të ndryshëm që janë të interesuar për vendet boshe në Këshillin Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë. Gjatë një postimi në rrjetin social “Facebook”, kryeministri Edi Rama ka konfirmuar që deri tani janë bërë 32 aplikime.
Kreu i qeverisë theksoi se pret me kënaqësi dhe mirënjohje aplikime të reja dhe u kujtoi të gjithë të interesuarve që afati i mbylljes së kësaj faze është data 30 shtator.
“Falënderoj përunjësisht të tridhjetë e dy aplikantët që nga vende të ndryshme të botës kanë shprehur deri sot interesimin e tyre për t’u konsideruar si anëtarë të ardhshëm të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në adresën këshillimbikqyrë[email protected]“, – lexohet në mesazhin e Ramës.
Sipas tij aplikantët vijnë nga shumë vende të botës pas njoftimit të vetë Ramës më 15 shtator, ku ftoi të gjithë shqiptarët që punojnë në sistemin ndërkombëtar financiar të aplikojnë për një vend pune në Këshillin Mbikëqyrës në BSH.
18 shtator 2014 (gazeta-Shqip.com)