NATE SILVER, NYT


Mitt Romney ka patur gjithmonë vështirësi në krijimin e një rezultati fitues sa i përket Kolegjit Elektoral. Edhe në kohën e tij më të mirë, pas debatit të parë presidencial në Denver, ai nuk arriti kurrë të ngjitej në sondazhe mjaftueshëm për fitore në shtete si Ohajo apo të tjera.


Por sondazhet e fundit të publikuara para ditës së zgjedhjeve tregojnë për një problem tjetër të Romneyt, i cili ka pësuar dobësim që nga mesi i tetorit. Kësaj here, Obama po përmirësohet. Mes 12 sondazheve të publikuara gjatë ditës së hënë, Obama kryesoi me mesatarisht 1.6 për qind. Dhe ndoshta më e rëndësishmja është tendenca në këto sondazhe. Profili i Obamës po përmirësohet në krahasim me sondazhet  e së shkuarës.


Sa i përket votës popullore në rang kombëtar, Romney dhe Obama janë pothuajse barazim, por llogaritë për numrin e pritshëm të delegatëve të zgjedhur për kolegjin zgjedhor presidencial, i japin Obamës më shumë shanse.


Votuesit në SHBA zgjedhin delegatë, të cilët nga ana e tyre, e zgjedhin presidentin në mes të dhjetorit. Nëse në një shtet, republikanët fitojnë 50 për qind të votave, të gjithë delegatët e atij shteti i marrin republikanët. Çdo shtet ka një numër delegatësh në përputhje me popullatën.


Shumica e sondazheve tregojnë se Obama është drejt fitores në 19 shtete të luhatshme ndërsa Romney rezulton në avantazh në vetëm 3 shtete. Ohajo mbetet problemi më i madh për Romneyn. Ky është një shtet që tradicionalisht ka votuar për republikanët, por shpëtimi i industrisë së makinave nga Obama ka bindur popullsinë të mbështesin demokratët. Obama po korr sukses mes klasës punëtore në këtë shtet më shumë se kudo tjetër në SHBA.



Lajmi i ditës së hënë: Gara që do të përcaktohet në minutën e fundit


Obama duket se ka të sigurta 237 vota zgjedhore dhe Romney 2006, por 95 vota janë të dyshimta



Zgjedhja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kryhet në dy raunde nga të gjitha kohërat, ku në raundin e parë, teknikisht votuesit zgjedhin delegatë që në fund, zgjedhin Presidentin. Në praktikë, delegatët tashmë prej dekadash janë vetëm poste honorifike. Ata përcaktohen nga kandidati për president dhe nuk dëgjohen pothuajse kurrë. Çdo shtet në SHBA ka një numër të caktuar delegatësh për të zgjedhur dhe kjo gjë bën që një kandidat të marrë më shumë vota në rang kombëtar, por pavarësisht kësaj të humbasë. Analistët politikë i ndajnë të 50 shtetet në të kuqe (d.m.th konservatorë republikanë), në blu, (d.m.th demokratë) dhe në shtete të pasigurta ose të luhatshme. Në historinë amerikane, jugu ka qenë demokrat dhe veriu konservator ndërsa gjatë dekadave të fundit, jugu është bërë përgjithësisht republikan dhe veriu, demokrat. Një ndarje tjetër është se metropolet e zhvilluara janë përgjithësisht demokrate, ndërsa shtetet qendrore në male konsiderohen si bastione të “të kuqve”.



CNN tregon se për zgjedhjet që do të zhvillohen nesër, 20 shtete me 206 vota elektorale konsiderohen si të sigurta për Romney-n, ndërsa 14 shtete konsiderohen si të sigurta për Obamën. Duke qenë se shtetet që mbështesin demokratët kanë popullatë të madhe, Obama vlerësohet se ka të sigurta 237 vota elektorale. Kandidatit fitues i nevojiten 270 vota. Aktualisht janë tetë shtete, Nevada, Kolorado, Ioua, Uiskonsin, Ohajo, Nju Hempshair, Virxhinia dhe Florida, ku gara është e pavendosur dhe askush nuk mund të parashikojë se kush do të fitojë.


Si votohet


Amerika është një kontinent më vete me mbi 9 milionë kilometra katrorë dhe shumë shtete kanë rregulla e procedura të ndryshme për të votuar. Shumë shtete kërkojnë votimin personal me letër, por shumë shtete lejojnë votimin në distancë ku fleta e votimit merret dhe dërgohet me postë. Në disa shtete fletët e votimit numërohen me makineri leximi, ndërsa në disa shtete të tjera përdoren makina të posaçme për të hedhur një votë elektronike. Për shkak të përdorimit të teknologjisë në numërimin e votave, rezultati publikohet pak orë pas përfundimit të votimit. Votimet do të nisin në mëngjes dhe do të përfundojnë në darkë, por për shkak se shtete të ndryshme të Amerikës gjenden në disa breza orare, fituesi pritet të shpallet përfundimisht në orët e para të së mërkurës.


 


Demokrati blu


Gara e tij e fundit, fitore ose humbje


PETER BAKER, NYT


Presidenti Obama pa jashtë te deti i mbështetësve që po ngrinin nga i ftohti në një miting të orëve të vona, një panoramë të mbushur nga pankartat e kaltra ndërsa mijëra telefona celularë po përdoreshin për të filmuar.


Temperatura qe gati zero gradë Celsius dhe ai futi dorën e majtë në xhep për t’u ngrohur ndërsa përshëndeste turmën me të djathtën. Mesnata po afrohet. Ky qe mitingu i tij i fundit në fushatën e tij dhe ai hoqi dorë nga teksti për të folur me zemër.


“Isha pas skenës dhe po flisja me David Plouffe”, i tha Obama turmës duke iu referuar këshilltarit të tij kryesor i cili ngriti kokën i habitur. “Ne po flisnim se si u bëmë kaq të parëndësishëm në këtë fushatë. Unë jam bërë si një lloj ndihmësi, ndërsa ai thjesht po bezdis një grup njerëzish duke i marrë në telefon dhe duke i pyetur se si po shkonin gjërat.”


Në të vërtetë, për Obamën fushata është praktikisht e përfunduar. Megjithëse zhvilloi edhe disa mitingje të orës së fundit nëpër shtetet e luhatshme, makineria që ai mrekullisht ndërtoi përgjatë katër viteve tashmë është duke funksionuar vetë. Fushata është jashtë duarve të tyre dhe vetë fati i Presidentit të 44-t është jashtë kontrollit të tij.


Fitorja, – dhe ai ka shansin të sigurojë një trashëgimi si President që la një gjurmë jo vetëm përmes zgjedhjes së tij të parë spektakolare, por edhe përmes transformimit të Amerikës – për mirë, sipas këndvështrimit të tij; ose për keq, siç besojnë kundërshtarët. Nëse humbet, ai do të bëhet një avatar i shpresës dhe ndryshimit që nuk e plotësoi dot misionin e vet dhe programet e tij ndoshta nuk do t’i mbijetojnë rritjes dhe rënies së tij mbresëlënëse.


Është në momente të tilla kur nostalgjia zë vend në zemrën e Presidentit. Çdo ditë që kalon, thonë këshilltarët e tij, Obama ka mbajtur shënim për çdo ngjarje të rëndësishme.


“Ky është debati im i fundit”, tha ai pas debatit të tretë me Romney-n. Gjatë ditëve të fundit të fushatës, ai praktikisht jetoi në avionin presidencial duke përshkruar territoret e gjera të Amerikës nga veriu në jug, nga Uiskonsin në Florida e sërish në veri në Ohajo apo Kolorado. Ai shpreson që këto të mos jenë ditët e tij të fundit si President.


“T’i mund të shohësh nostalgjinë dhe melankolinë që po vijnë”, thotë Dan Pfeiffer, një nga këshilltarët e tij më jetëgjatë. “Përqendrimi këtu është për fitore, por kjo është edhe fushata e fundit për jetën e tij dhe ti e shikon se ai ndalon dhe mendon për këtë gjë”.


Me përjashtim të pak ditëve të uraganit Sandy, Shtëpia e Bardhë është zhvendosur në tërësi dhe avioni presidencial prej muajsh. Gjatë kohës që udhëton, ai jep njëkohësisht konferenca dhe përgatit fjalimet për takimin tjetër. Rutina e tij ditore është përmbysur, por ai përpiqet të mbajë veten në formë nëpër qendrat e fitnesit nëpër hotele. Ha kur të mundet dhe zakonisht është kamerieri i avionit që shërben diçka të blerë para një fjalimi. Në disa raste, shkëputet për pak sekonda nga fushata dhe ndalon në ndonjë piceri apo dyqan me zgarë mishi. Si çdo prind në udhëtim, u telefonon fëmijëve të vet çdo mbrëmje. Mes konferencave të ndryshme për rimëkëmbjen pas stuhisë, u kthye për pak për të ndjekur një copë nga ndeshja e futbollit e skuadrës së Çikagos.


Disa analistë thonë se Obama kësaj here ka bërë një gabim, se ai nuk ka bërë të qartë mjaftueshëm për votuesit se e dëshiron me të vërtetë një mandat të dytë.


Senatori John Kerry, i cili qe konkurrenti i tij më 2008, thotë se Obama e dallon rrezikun. “Ai është një tip konkurrues dhe shumë analitik. Ai e di shumë mirë se çfarë nuk ka bërë dhe se çfarë dëshiron të bëjë”, shton ai. Mitingjet e tij kësaj here kanë qenë më pak masive. Së fundmi ai mblodhi maksimalisht 24 mijë vetë, në krahasim me 60 mijë apo 80 mijë që pati mbledhur në ditët e fundit të fushatës së vitit 2008. Por mbështetësit e tij duken shumë entuziastë.


Mes shumë ndalesave ka gjetur rastet të bëjë takime me njerëz të zakonshëm. Në një restorant takoi një grua me dy vajza: “Ti nuk duhet t’i keqtrajtosh vajzat”, i tha ai. Në një kafene në Las Vegas, u takua dhe përshëndeti punonjësit e kuzhinës dhe pastrueset dhe tha se ata qenë njerëzit për të cilët po luftonte.


Skeda


Emri: Barack Obama


Ditëlindja: 4 gusht 1961


Familja: I martuar me Michelle Robinson më 1992, ka dy fëmijë.


E ka shtëpinë në Çikago.


Arsimuar në Harvard