Kanadezët, më pak shanse për të fituar
Kinezët e “Win Business” ofruan 297 milionë euro, kurse amerikanët e “Vetro Energy”, 850 milionë euro
Në fillim ishin 19 kompani, pastaj 6 dhe tani loja po luhet mes dy bashkime shoqërish, të kryesuar nga kompani me seli në SHBA dhe Kinë. Këto dy shtete, me fuqi ekonomike të ndjeshme në tregjet botërore, po luajnë aktualisht kartat e fundit për zotërimin e 100 për qind të aksioneve të “Albpetrolit”. Burime nga METE bëjnë të ditur se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave po përqendrohet pikërisht te këta pretendentë.
Çuditërisht, kanadezët e “Bankers” kanë mbetur pas me ofertën e tyre, edhe pse konsiderohej më realiste, me shifrën 303 milionë euro. Problemi për ta qëndron se oferta e paraqitur është e kombinuar, pra një pjesë është çmim për blerjen e aksioneve dhe pjesa tjetër investim. Nisur nga ky raport, “Bankers” mbetet pas konkurrentëve, kinezëve “Win Business” për 297 milionë euro, amerikanëve “Vetro Energy” për 850 milionë euro, gjithnjë në rast se shoqëritë i dorëzojnë paratë cash për buxhetin, kurse investimi është hesap tjetër.
Shpallja e fituesit konsiderohet si proces shumë i rëndësishëm, pasi ai do të marrë nën kontroll një pjesë jo të vogël të vendit. Të ardhurat nga shitja do të shkojnë për shlyerjen e disa borxheve të qeverisë dhe për realizimin e investimeve.
Ish-zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, thotë se ekziston një rregull standard, që është zbatuar në mënyrë të vazhdueshme në rastet e privatizimeve, sipas të cilit shuma e ofruar shkon për reduktimin e borxhit publik dhe investime publike. Lidhur me afatin e vlerësimit të kompanive të ofruara për privatizimin e “Albpetrolit”, ish-zëvendësministrat e Financës thonë se për shkak të kompleksitetit të çështjes do të duhen disa javë deri në shpalljen e fituesit. “Të ardhurat nga privatizimet përdoren për uljen e borxhit publik dhe për investime publike dhe këto të dyja janë fushat e vetme që mund të financohen nga privatizimi i ‘Albpetrolit'”, tha Shehu.