Mazhoranca


Ministri i Inovacionit mbron draftin e kaluar në qeveri


Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, deklaroi dje se drafti i ri për përgjimet është vetëm një riformulim që i është bërë ligjit aktual për të sjellë më shumë eficencë në luftën kundër krimit. Ministri, i cili ka qenë personi përgjegjës për këtë draft deklaroi se nga kjo nismë, qytetarët nuk duhet të shqetësohen, pasi i shërben forcimit të ligjit në vend. “Kompanitë celulare nuk u përgjigjeshin gjithmonë detyrimeve. U përcaktua ndarja e kostove, pamë një mënyrë të balancuar si do ndahej kostoja mes shtetit dhe operatorit privat. Është shtuar dhe një shërbim i brendshëm i burgjeve. I shërben luftës për zbatimin e ligjit në vend. Nuk ka të bëjë me kompetenca të shtuara, përkundrazi është riformuluar ligji që përgjimi i ligjshëm të jetë efektiv në shërbim të institucioneve përkatëse për të luftuar krimin. Nxitja ka ardhur nga SHISH, konkretisht nga ish-kreu Bahri Shaqiri dhe është shqyrtuar më pas nga dikasteret e tjera. Ligji është shumë strikt, kalon nga Prokurori i Përgjithshëm. Nuk ndryshon struktura e përgjimit, thjesht bëhet bilanci mes institucioneve dhe operatorit”, deklaroi ministri Pollo. Nga ana tjetër ai theksoi se ky është një projektligj mbi të cilin institucionet shqiptare të sigurisë dhe ndërkombëtarët kanë dy vite që punojnë. Por teksa shihet qartë se drafti është i konsultuar me përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të tjera institucione të pavarura që në vitin 2011, ajo që të bie në sy lidhet me shtesën që së fundmi i është bërë atij, e cila nuk rezulton të jetë e konsultuar me institucionet apo ekspertët. Bëhet fjalë për shtesën që i bëhet nenit 23 të ligjit aktual, ku Prokurorit të Përgjithshëm i rriten kompetencat për të urdhëruar përgjim nëpërmjet mjeteve të telekomunikacionit. Kjo nismë vjen në një moment, kur Kryeprokurorja, Ina Rama, është në fund të mandatit të saj dhe kur mazhoranca është vendosur që ta largojë në muajin nëntor, për ta zëvendësuar me një person të afërt me koalicionin qeverisës. Nisur nga kjo situatë, marrëdhëniet e qeverisë me shtresën e ish të përndjekurve politikë duket se janë në pikën e tyre më të ulët.