Në kuadër të "shfajësimit" për mos çeljen e negociatave, duke theksuar se Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë, por jo për fajin tonë BE nuk na e dha dakordësinë, Gent Cakaj, doli sërish sot për të thënë se vendimi i djeshëm është faji i klimës brenda në BE.

Por kur është ngacmuar nga gazetarët duke bërë krahasimin me Maqedoninë, kur në të njëjtën kohë Zaev deklaronte se do ta çonte vendin e tij në zgjedhje të parakohshme, Gent Cakaj u shpreh se Qeveria Rama asnjëherë nuk ka premtuar se do të hapen negociatat.

"Në Maqedoninë e Veriut ka patur zotime se do hapen negociatat në mënyrë të pashmangshme. Prandaj përgjegjësia e autoriteteve të elektoratit të tyre është krejt tjetër. Nuk e di që unë dhe Kryeministri të ketë premtuar nga janari që negociatat do të hapen. Ne jemi zotuar që do bëjmë përpjekje për negociatat, por jo që këto negociata do i hapim. Sfida jonë ka qenë përkthimi i vendimit të Komisionit në vendim politik, por ne nuk kemi premtuar suksesin", tha Cakaj.

Një deklaratë jo tërësisht e vërtetë e dhënë nga Ministri i Jashtëm në Detyrë, pasi në fund të muajit qershor 2018, kohë kur Cakaj ishte këshilltar i Ramës, e vetëm pak ditë më vonë u caktua kryenegociator i hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, kryeministri ka postuar një status që e nxjerr bllof atë.

"Pas 72 orësh me dallgëve të BE Shqipëria ia doli të marrë një datë për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar. Rezultatet e reformave tona bënë që dhe më skeptikët të njohin Meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë. Një betejë tejet e vështirë u fitua, lufta vijon", shkruante Rama në 26 qershor 2018.

Por ajo çfarë u pa dje, ishte një shtyrje e çeljes së negociatave poa dhënë një datë, ashtu siç u pretenduar më tepër se sa një vit më parë.