“Kanceri” shoqëror vijon të marrë jetë. Tushe Osmani vret veten, pasi humbi burrin dhe të bijën


Sokol Çobo


Tushe Osmani

Tushe Osmani


Tragjedia e Gërdecit vijon të shkaktojë viktima. Tushe Osmani, 50 vjeçe, ka vrarë dje veten. Akti i vetëflijimit vjen pas vdekjes së të bijës, Resmies 19-vjeçare, nga shpërthimi i 15 marsit 2008 dhe vetëvrasjes së bashkëshortit, Kujtimit, në vitin 2009. Ky i fundit piu helm, për shkak të depresionit për humbjen e së bijës së vetme, ndërsa morti është ulur sërish në familjen Osmani, e cila, pas më shumë se katër vite nga shpërthimi tragjik, ka tre pjesëtarë më pak.


Familjarët dhe banorët e Vorës dhe Gërdecit pohojnë se Tushja ishte e braktisur. Ajo rriste mbesën e lënë jetime, vajzën e Resmies, të cilën e shoqëronte kudo. Të afërmve u thoshte se nuk e mbante dot mbesën e vogël me bukë. Shteti i kishte lidhur një pension prej 50 mijë lekësh të vjetra vajzës së lënë jetime, para të cilat nuk i dilnin as për të veshur.


E.Kruja, një nga të mbijetuarat e tragjedisë, pohon se e ka takuar 24 orë para se të vetëflijohej. “Jo më larg se dje kam biseduar me të dhe me lot në sy më ka thënë që s’mund ta mbante dot mbesën e vogël që e kishte kapur për dore”, thotë Kruja, ndërsa G.Durda thotë se “e kam takuar para disa ditësh, në darkë vonë, tek po kthehej nga puna dhe më thoshte që ishte tepër e lodhur nga gjithçka”.


Resmie & Kujtim Osmani


Në një periudhë të shkurtër kohe, kur duhej të gëzonte për ardhjen e mbesës së vogël, 50-vjeçarja është ndeshur me dy morte, vajzën dhe bashkëshortin, ndërsa ka vuajtur edhe indiferencën e shtetit. Pas Gërdecit, qeveria i kishte dhënë vetëm 150 mijë lekë të vjetra. Ka humbur të bijën nga shpërthimi tragjik dhe kjo e ka lënduar shumë. Banorët e Gërdecit thonë se Tushja kishte rënë shpirtërisht e moralisht, ndërsa i duhej të punonte shumë për të mbajtur familjen, të cilës i kishin mbetur vetëm djali dhe mbesa. Ishte bërë nënë e dytë për vajzën e Resmies, të cilës i ka qëndruar gjithmonë pranë.


Tushe Osmani, sipas banorëve, është gjetur në grahmat e fundit të jetës në shtëpinë në Vorë. Ajo kishte pirë një sasi të konsiderueshme ilaçesh, ndërsa është transportuar me shpejtësi drejt spitalit “Nënë Tereza”, ku edhe ndërroi jetë disa çaste më vonë.


50-vjeçarja, sipas burimeve policore, ka përsëritur aktin e të shoqit, Kujtimit, i cili bëri të njëjtin veprim, i lodhur nga indiferenca dhe braktisja e shtetit. Kujtimi ishte lënë në mëshirë të fatit pas ngjarjes. Jetesa i ishte bërë e vështirë. Nuk kishte një strehë dhe me paratë e shtetit paguante vetëm paratë e qerasë. Pas 15 marsit 2008 kishte filluar pijen dhe kishte kaluar në depresion për humbjen e së bijës, ndërsa ishte pushuar edhe nga puna në Bashkinë e Vorës. Gjendja e vështirë ekonomike e kishte detyruar Kujtimin të apelonte disa herë për ndihmë, por thirrjet e tij duket se kanë rënë në vesh të shurdhët. Familja e tij ishte pjesë e banorëve të prekur nga tragjedia e Gërdecit që u harruan bashkë me të tjerë. Para aktit u kishte thënë familjarëve, se do të shkonte te goca e tij, pasi nuk e shikonte dot në mur fotografinë e saj.


Ndërkohë, Resmie Osmani, më 15 mars 2008, humbi jetën në moshën 19-vjeçare, si pasojë e tragjedisë së Gërdecit. Ajo punonte në fabrikën e demontimit të predhave në Gërdec. Si çdo ditë ajo ndodhej në punë edhe mesditën e 15 marsit, kur ndodhi shpërthimi i rreth 700 tonëve barut dhe shkaktoi vdekjen e saj e të 25 personave të tjerë.


 


Mjekoligjorët mbrojnë sërish Prendin e Llupon


“21 janari”


Avokatët: Prokuroria ka fshehur provat qëllimisht dhe se nuk e ka hetuar si duhet sulmin ndaj Kryeministrisë


Ish komandanti i Gardes, Ndrea Prendi dhe avokati i tij Genc GjokutajProcesi gjyqësor për zbardhjen e katër vrasjeve më 21 janar merr një kthesë tjetër, tashmë në prag të largimit të Ina Ramës nga posti i kryeprokurores. Avokatët e Ndrea Prendit dhe Agim Llupos kanë pohuar se prokuroria ka fshehur provat qëllimisht dhe se nuk ka hetuar si duhet sulmin ndaj Kryeministrisë, ndërsa para kësaj deklarate, në gjykatë janë dëgjuar dëshmi të mjekoligjorëve, që u pyetën me kërkesë të avokatëve dhe jo të akuzës. Sipas ekspertit mjekoligjor Ndoc Çardaku, “Ziver Veizi nuk është vrarë më 21 janar në mënyrë të drejtpërdrejtë, por plumbi që i ka shkaktuar vdekjen ka bërë rikoshet në një prej pemëve në bulevard”. Eksperti u pyet para trupit gjykues nga avokati mbrojtës i Ndrea Prendit dhe Almir Llupos, Genc Gjokutaj. Ai tha se ka bërë ekspertizën e teshave të Ziver Veizit në morg dy ditë pasi ndodhi vrasja para Kryeministrisë. Ekspertiza, sipas tij, është bërë në prani të dy oficerëve të policisë gjyqësore. Shkak për dëmtimin ka qenë prekja e diçkaje tjetër më parë, pasi gjatë ekspertizës janë gjetur copëza të vogla të drunjta. Këtë fakt, eksperti e ka shënuar edhe në raportin mjekoligjor, ndaj dhe me insistim është kërkuar nga ana e palës mbrojtëse që të thirret ky ekspert për të dëshmuar. Pikërisht ndryshimi i rrjedhës së ngjarjes në gjykatë solli reagimin e avokatëve të të pandehurve Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, të cilët deklaruan se prokuroria ka fshehur provat qëllimisht. Sipas tyre, hetimi po bëhet tani në gjykatë. Eksperti Çardaku tha se në teshat e viktimës Ziver Veizi dhe pikërisht në këmishën e tij, në gjoks, është vënë re një dëmtim. Gjatë këqyrjes mikroskopike janë konstatuar dy copëza të ngurta të ngjitura në fibrat e këmishës, të drejtuara nga jashtë brenda. Eksperti tha se njëra prej copëzave i përket lëvozhgës, ndërsa tjetra pjesës së brendshme të trupit të një peme. Sipas tij, ato janë mbetje të predhës që ka shkaktuar vdekjen e Ziver Veizit. Çardaku ka sqaruar gjithashtu se nga kryerja e teshave është vënë re se dëmtimi i vrimës së hyrjes së predhës ka qenë më i madh se sa mund të shkaktohej nga një qitje direkte. Po sipas ekspertit, nëse qitja do të kishte qenë e drejtpërdrejtë, atëherë dëmtimi që do të linte në këmishë apo në trup do të ishte në formë rrethore apo ovale, ndërsa në rastin konkret nuk kemi asnjë nga këto forma. Por deklarimet e tij u kundërshtuan hapur nga dy prokurorët e çështjes, të cilët i konsideruan ato jashtë kompetencës së ekspertit dhe kërkuan kohë t’i drejtojnë disa pyetje me shkrim Çardakut në seancën e radhës. E gjendur përballë kësaj situate, gjykata ndërpreu seancën për ta vijuar atë më datë 10 dhjetor, ku prokuroria do të përgatisë me shkrim pyetjet për Çardakun, por edhe për të marrë deklarimet e dy oficerëve të policisë gjyqësore, të cilët kanë qenë prezentë kur është bërë këqyrja e teshave nga eksperti. Dy oficerët e Policisë Gjyqësore, Aurel Zarka (tashmë prokuror në Vlorë) dhe Alven Shehu, janë kërkuar për të dëshmuar para gjykatës si nga avokatët, ashtu edhe nga organi i akuzës. Pas përfundimit të seancës, kanë reaguar dy nga avokatët e këtij procesi, konkretisht avokatët e ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe vartësit të tij, Agim Llupo. Avokati Genc Gjokutaj tha se nga ana e prokurorëve nuk është hetuar sulmi ndaj Kryeministrisë. Sipas tij, sulmi është i konfirmuar, por jo i hetuar nga ana e grupit hetimor dhe se ka ndodhur sulmi, pastaj mbrojtja e institucionit.