Rritet frikshëm numri i viktimave të gjakmarrjes. Alarmi vjen nga Komiteti mbarëkombëtar i Pajtimit të gjaqeve, i cili ka fajësuar strukturat e shtetit për mungesën e bashkëpunimit.
“Fatkeqësisht në këtë mision plot sakrifica ne nuk kemi pasur në krah qeverinë shqiptare. Ne duam ti themi sot qeverisë se udhëhiqemi vetëm nga një parim për të bërë sakrificën me sublime në shërbim të atdheut dhe shoqërisë në këtë kohë të vështirë që po rrojmë dhe nuk kemi asnjë synim tjetër dhe as një interes nëse qortojmë ashpër keqqeverisjen. Qëndrimi ynë oponent ndaj qeverisë ka qenë dhe do të jetë i palëkundur kushdoqoftë në krye të saj se duam të përçojmë zërin e një njeriu që ka nevojë, zërin e atyre me halle dhe lot tek veshi i udhëheqësit që popullsisë e ka votuar”, deklaroi Gjin Marku, Kryetar i Komitetit te Gjaqeve.
Sipas Komitetit të pajtimit Kombëtar të Gjaqeve në Shqipëri janë 6500 persona që rezultojnë të fshehur ose të ngujuar si pasojë e gjakmarrjes, ndërkohë që 6011 fëmijë rezultojnë të mos shkojnë në shkollë, 129 prej të cilëve qëndrojnë në ngujim dhe në rrezik për jetën.
23 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)