Gjendja shëndetësore e Gjergj Ndrecës vijon të mbetet e rëndë, megjithëse sipas mjekëve parametrat jetësore janë në gjendje të stabilizuar. Mjeku reaminator që po ndjek gjendjen e 51-vjeçarit Ndreca, Ilir Nezha, bëri të ditur se gjendja shëndetësore krahasuar me një ditë më parë është stabilizuar, por jo pa rrezik për jetën.
“Gjendja është stabilizuar, të gjitha normat janë në parametra normale. E kam thënë dhe dje që nuk ka rrezik në organet e brendshme, ato aspiratore janë prekur për shkak të tymit të thithur. Ka nisur të shfaqë edema të fytyrës dhe kjo përbën rrezik. Ndreca ka djegie të shkallës së dytë në masën 35% të trupit dhe nuk mund të themi se ka dalë nga rreziku për jetën”, u shpreh mjeku Nezha.
Një ditë më parë, 51-vjeçari Gjergj Ndreca, tentoi të vetëdigjej me benzinë në ambientet e grevës së urisë, ku ishte futur prej 17 ditësh bashkë me 19 ish-të përndjekur politikë. Ata kërkojnë nga qeveria shëprndarjen sa më shpejt të dëmshpërblimit për vitet e burgut, të kryera në regjimin komunist. Dje, policia ndaloi njërin prej grevistëve, Pal Shtjefni për zjarrëvënie të qëllimshme. Sipas policisë, ai i ka vënë flakën Ndrecës, pasi ky i fundit ishte lyer me benzinë.
09:00- Xhafaj: Të rikthehet në komision projektiligji për ish-të përndjekurit politikë
Greva e urisë së ish-të burgosurve politikë ka qenë sërish objekt debati në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Partia Socialiste ka kërkuar sot përfshirjen e menjëhershme në axhendën e komisionit të ligjeve, të projektligjit për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politik. Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka theksuar se ky projektligj ndodhet në komision që prej muajit janar dhe ende nuk është miratuar. Xhafaj gjithashtu ka kërkuar shpjegime se përse ministri i Drejtësisë Eduart Halimi nuk i është përgjigjur kërkesës së PS-së për seancë dëgjimore në komisionin e ligjeve. “Kemi kërkuar nga ministri Halimi të japë shpjegime për situatën e krijuar me ish-të përndjekurit politik. Ia kërkoi dje dhe Majko”, u shpreh Xhafaj.
10:00-Tufa: Kërkojmë lirimin e Shtjefnit
Koordinatori i grevës së ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, Skënder Tufa ka kërkuar lirimin e grevistit të arrestuar Perikli Shtjefni si dhe mjekim më të specializuar jashtë shtetit për Gjergj Ndrecën.
“1.Kërkojmë që Gjergj Ndreca heroi i ditës i çdo qytetari që aspiron për demokraci të vërtetë të ketë mjekim special dhe të dërgohet jashtë shtetit për të rikuperuar plagët e bëra vetë. 2.Kemi shqetësim për të arrestuarin Perikli Shtjefni, sot ai është i burgosur politik në demokraci dhe ish i burgosur në diktaturë. Akti i tij i ka shërbyer demokratizimit të jetës në Shqipëri. Sot jemi dëshmitarë se po jetojmë një neodiktaturë të re. Arrestimi i tij është jashtëligjor, pasi veprimet tona janë të menduara”.
Tufa paralajmëroi se nëse qeveria do vijojë heshtjen, do të përshkallëzohen format e protestës.
“Nëse do kemi heshtjen e Qeverisë këto veprime që janë bërë nga vëllai jonë do bëhen para Parlamentit dhe Kryeministrisë. Perikli Shtjefni nuk ka bërë krim, veprimet janë bërë të paramenduara, ai do digjete veten pas Ndrecës. KSHH është prononcuar në mbrojtje ligjore të Perikli Shtjefnit. Mbrëmë i kemi kërkuar ndihmën tonë, mikut tona Arvizu të lirojë Shtjefnin se nuk kemi besim tek drejtësia”, theksoi Tufa, i cili njoftoi se tashmë do i drejtohen Komisariatit të Policisë ku mbahet grevisti Perikli Shtjefni.
11:20- Ambasadori Sequi: Të nisë dialogu
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Ettore Sequi vizitoi të martën paradite Gjergj Ndrecën, i cili prej dy ditësh ndodhet nën terapi intensive në pavjonin e djegie-plastikës në QSUT. Pas daljes nga spitali, ambasadori Sequi ka deklaruar për mediat se BE po monitoron situatën dhe kërkon nisjen e dialogut për gjetjen e një zgjidhjeje. ” Unë erdha këtu pasi doja të kuptoja si është situata e tij. Pata mundësinë të shkëmbej disa fjalë me të. Unë nuk jam mjek dhe nuk do bëj komente me gjendjen shëndetësore, por megjithatë djehem i inkurajuar për shëndetin e tij, pas shërbimit që po i bëjnë mjekët. Unë i shpjegova Gjergjit simpatinë njerëzore që kolegët e mi në Bruksel kanë për këtë shtresë, po ashtu ne besojmë se të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me kompensimin e të persektuarëve duhet të bëhen në përputhje me legjislacionin që duhet të vihet në zbatim dhe me një fjalë që e kam thënë edhe në rrethana të tjera, që është dialogu mes palëve të përfshira. Gjatë fundjavës, ky ka qenë edhe inkurajimi që kam dhënë unë edhe në disa diskutime jo zyrtare”,- deklaroi Sequi.
12:20-PS: Kauza e ish-të përndjekurve, e të gjithëve
Kryetarja e grupit të punës në PS për ish- të përndjekurit politikë, Keti Bazhdari pas vizitës që kreu në spital, ku mësoi gjendjen e Gjergj Ndrecës, deklaroi se ish-të përndjekurit po ndjekin një kauzë të drejtë. Ajo akuzoi qeverinë se po politizon grevën.
“Kemi parë një njeri që sakrifikohet për një kauzë në emër të gjithë shqiptarëve që shoqëria të shoqërohet prej kësaj plage. Është shumë e turpshme që media që punojmë për qeverinë mbërrijnë deri aty sa politizojnë grevës, ky është stili i shokut kryeministër o me mua ose kundër meje. Ju jap zemër në emër të socialistëve, kjo kauzë është e drejtë dhe ky njeri është hero”,- deklaroi Bazhdari.
12:40: Tavo: Kemi të gjitha kushtet për të kuruar Ndrecën në Shqipëri
Mesditën e sotme, ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, ka shkuar të vizitojë Gjergj Ndrecën dhe të njihet nga afër me gjendjen e tij. Pas daljes nga spitali, Tavo ka deklaruar se gjendja e Ndrecës është e stabilizuar, por ende mbahet nën terapi intensive. Ai ka garantuar përkushtimin e stafit mjekësorë për trajtimin e të sëmurit, si dhe ka deklaruar se QSUT disponon të gjitha mjetet e nevojshme për kurimin e 51-vjeçarit. Ministri Tavo është i pari nga kabineti qeveritar që viziton Ndrecën në spital.
9 Tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)