Gjergj Ndreca, ish-i burgosuri politik, i cili tentoi vetëdjegien publike në 8 tetor përpara tendave të grevës së urisë, i ka dërguar një letër Sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton. Në letër ai i shkruan zyrtares së lartë se: “Qeveria aktuale ka miratuar një ligj në vitin 2007, mbi dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë dhe e ka pasur detyrim që ta zbatojë atë brenda 8 viteve. Në vitin e pestë të zbatimit. Qeveria ka kryer një të tetën e detyrimit dhe me këtë ritëm, i bie që ligji të zbatohet pas 40 vitesh, kur askush nga ne nuk do të jetojë më”.
Ndreca ka shpjeguar në letër se thelbi i kërkesave të tyre, ka të bëjë me një defekt themelor të shoqërisë ku jetojmë, moszbatimin e ligjit. “Kërkesat tona u injoruan dhe në vend të dialogut dhe zgjidhjes u përballëm me një fushatë përbaltjeje, si kriminelë ordinerë. Akti im dhe i mikut tim Lirak Bejko, që shkuam me qetësi drejt vetëflijimit, nuk është akt i njerëzve të dëshpëruar, por i qytetarëve të vendosur që duan të ndezin shpresën e një shoqërie, e cila është lodhur nga zhgënjimet, korrupsioni dhe regjimet autoritare”, shkruan Ndreca.
Duke iu referuar në letër Kryeministrit Berisha, Gjergj Ndreca i shkruan Sekretares Amerikane të Shtetit, se: “në vitin 1997, kur në Shtëpinë e Bardhë ishte Presidenti Bill Klinton, ky politikan dogji Shqipërinë, vetëm pse nuk pranonte të ulej në dialog me kundërshtarët e tij dhe të dëgjonte këshillat e Shteteve të Bashkuara, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një njeri që ka pranuar të djegë Shqipërinë për karrigen e vet, nuk e ka problem të shikojë si digjen qytetarët e vet për të drejtat e tyre”, shkruan Ndreca.
Optimist nga ajo që e quan mbështetje, që po i jep faktori ndërkombëtar, ai shpreh zhgënjimin e tij edhe me Presidentin e Republikës, i cili, siç thotë, dha shkëndijën e parë, por edhe të fundit për një dialog që nuk nisi kurrë. “Presidenti, siç themi ne mirditorët, është si një grua e divorcuar, që as nuk e le kush të flasë. Ai po të ketë mundësi na jep në nga një miliard euro të gjithëve, por ai kur s’është i zoti për veten e tij dhe nuk e kupton pse është në detyrë…”, thotë Ndreca.
Në fund Ndreca falenderon bashkëvuajtësit e tij dhe është i sigurt në triumfin e grevës që për dy ditë mbush një muaj prej fillimit të saj. “Unë ju bëj thirrje të gjithë atyre shqiptarëve që sinqerisht të vdesim të gjithë sa jemi gjithë të burgosurit politikë është nder për ne për respektin që na kanë bërë shqiptarët vëllazërisht”, thotë Ndreca.
Ndreca prej dy ditësh është kthyer nga Selaniku dhe është shtruar në Repartin e Djegie-Plastikës në QSUT.
19 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)