Indinjimi


Berisha e bën Tufën trafikant, kurse ai vështirë të ketë fjetur me të shoqen


Silvana Muça


Personi, i cili tentoi të vetëdigjej i pari në çadrat e grevës së urisë, Gjergj Ndreca, është shprehur mjaft i indinjuar për vendimin e marrë nga 6 personat që kishin mbetur në çadrën e improvizuar pranë “Komunës së Parisit”, të cilët ndërprenë grevën e urisë. Ndreca ka shpresuar dhe ka marrë premtimin nga grevistët, se ajo do të vijonte edhe disa ditë, deri në personin e fundit që do të mbetej në çadër. Pavarësisht zhgënjimit të marrë, Gjergj Ndreca ka vendosur që ta ndjekë kauzën e ish të përndjekurve politikë, deri në fund, duke e theksuar se do të ndjekë rrugë të tjera, pa vetëflijime. Ndërkaq, në një intervistë për “Shqip”, ai ka shpjeguar edhe marrëdhëniet me Perikli Shqevin, i cili akuzohet nga policia se i vuri zjarri Ndrecës. Nga ambientet e spitalit, Ndreca ka kërkuar nga drejtësia që Shqevi të lirohet nga të gjitha akuzat, duke shpjeguar edhe hapat që do të ndjekë më pas për kauzën e tij dhe të bashkëvuajtësve të tij.


Ishit në dijeni për ndërprerjen e grevës?


Jo, nuk më kishin njoftuar për ndërprerjen e grevës. Atë moment unë isha duke marrë një serum dhe më kishte zënë gjumi. Papritmas, pashë se bashkëvuajtësit e mi jepnin konferenca shtypi për daljen nga greva. Çdo gjë e prisja dhe e besoja, këtë jo. Ata duhet të më kishin njoftuar për vendimin e marrë. Nuk më kontaktuan dhe kjo gjë më mërziti shumë.


Çfarë prisnit nga grevistët?


Më kishin premtuar që do ta zgjasnin grevën edhe 10 ditë. Në qoftë se do të dilnin një nga një, ajo do të kishte zgjatur edhe për pak kohë. Greva ka sensibilizuar të gjithë botën, u informua Departamenti Amerikan i Shtetit dhe gjërat po lëviznin pozitivisht. Paraditen e sotme, zëdhënësi i Komisionit Europian, Peter Stano, reagoi për grevën e ish të përndjekurve politikë. Ai tha se ndërkombëtarët ndiejnë keqardhje për grevistët, duke inkurajuar një dialog konstruktiv mes palëve. Ndërsa unë si qytetar i grevës, që po dergjem në këtë krevat, i jam drejtuar me një letër sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, dhe e njëjta letër i është drejtuar edhe presidentit të Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso. Prisja prej tyre mbështetje, ndërkohë që greva është mbyllur tashmë. Nëse ajo do të kishte zgjatur, atëherë do ia kishim dalë.


E ndieni veten të humbur përballë kauzës suaj?


E ndiej veten fitimtar ndaj kauzës që kam nisur, sepse Kryeministri Berisha, me sjelljen e tij, ka humbur reputacionin te ndërkombëtarët. Greva ka sensibilizuar të gjithë opinionin publik, brenda dhe jashtë vendit, të cilët e kanë treguar atë duke na mbështetur. Është qesharak fakti, që Berisha beson se e ka fituar betejën me ne, ndërkohë që iu çor maska përballë botës. Është turp i madh që të organizosh një Ministri të Brendshme, me mjete shumë të sofistikuara, madje duke vënë në funksion edhe helikopterët, për të mposhtur dy pleqtë Lavdosh Beqon dhe Ramazan Spahiun. Kryeministri Berisha nuk duhet të harrojë se kjo grevë është ndarë me tri akte vetëflijimi. Falënderoj bashkëpunimin me mediat, të cilat u instaluan pa ndërprerje. Nëse nuk do të ishin ato për të na monitoruar, policia do të kishte bërë namin me grevistët.


A ka qëllime politike, greva juaj?


Është e vërtetë që Berisha e ka cilësuar grevën politike. Por me bindjen time më të plotë, e them se askush prej nesh nuk ka qëllime politike. Ajo ka vetëm karakter ekonomik. Nuk e kuptoj se si mund të jetë politike, kur zgjedhjet duan edhe 5 muaj që të bëhen. Askush prej nesh nuk ka shfaqur ambicie për të garuar në ndonjë parti. Me këtë Berisha e tregoi veten si në vitin 1994. Në Burgun e Qafë-Barit, komandantët u thoshin të burgosurve: “Partia ju do, por ju dënon vesi”, ndërsa Berisha thoshte se “Partia kurrë s’ju ka dashur dhe kurrë s’do ju dojë, por nuk do ju dënojë”. Realisht kështu po vepron, duke mos na dhënë atë që na takon me ligj dhe duke hedhur helm ndaj nesh.


Pse ndaj jush bëhen kaq shumë akuza?


Unë jam organizatori i kësaj greve dhe normalisht që do të ketë akuza ndaj meje. Kryeministri Sali Berisha, gjatë gjithë kohës, ka lëshuar një arsenal akuzash dhe ofendimesh ndaj grevistëve, si: kriminelë, hajdutë, pijanecë, trafikantë e të tjera. Kjo më kujton veprën 38 të Enver Hoxhës “Armiku dhe hajduti”. Ai dënoi Petrit Dumën, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, se nuk kishte paguar paçen që kishte konsumuar në mensë. Gjithashtu në këtë vepër shkruhet edhe për Beqir Ballukun, ish-ministrin e Mbrojtjes së kabinetit të Enver Hoxhës, i cili ishte dënuar se nuk kishte paguar dritat. Ndërsa Berisha e bën Skënder Tufën trafikant femrash, kurse ai vështirë që të ketë fjetur me gruan e tij. Vlasi Koçin e bën hajdut shelegësh, në një kohë që ai është dënuar me vdekje, për një revoltë të bërë në Qafë-Barë. Ndërsa mua më thotë se jam një bixhozçi, pijanec, në një kohë që nuk me njeh fare. Nejse tani, i erdhi koha që të më njohë nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare dhe mediave më të shquara në botë, si “New York Times”, BBC e të tjerë.


Çfarë do të bëni tani?


Në këtë moment greva është ndërprerë, por nuk është mbyllur. Motorët e sensibilizimit me ndërkombëtarët tashmë janë ndezur. Meqë jemi para muajit të Kurban Bajramit, do të bëjmë pushim. Por garantoj se kjo kauzë nuk do të ndalet këtu. Ajo do të vazhdojë në një linjë tjetër. Do të jem më i komunikueshëm dhe do të ndryshoj plan. U bëj thirrje bashkëvuajtësve të mi që ishin në grevë me ne: Në ju prifshim, na ndiqni; në ju tradhtofshim, na vrisni; në na vrafshin, hakmerruni. Beteja do të vazhdojë deri në fund. Rrugën do na e japë, “Nana e Madhe” Amerika.


Si janë marrëdhëniet tuaj me Perikli Shqevin?


Ai është miku im më i mirë dhe do të jetë njeriu i parë që do të takoj, pasi të dal nga spitali. As e akuzoj dhe as e denoncoj Perikli Shqevin, sepse unë ia vura zjarrin vetes. Gjithashtu nga spitali kërkoj lirimin e Asllan Patriotit, sepse është arrestuar për motive politike.


 


 


 


Perikli Shqevi – Ndreca ka kërkuar nga drejtësia që Shqevi të lirohet nga të gjitha akuzat, duke shpjeguar edhe hapat që do ndjekë më pas për kauzën e tij dhe të bashkëvuajtësve të tij


Njoftimi – Nuk më njoftuan për ndërprerjen e grevës. Atë moment, unë isha duke marrë një serum dhe më kishte zënë gjumi


Sensibilizimi – Greva ka sensibilizuar të gjithë botën, u informua Departamenti i Shtetit dhe gjërat po lëviznin pozitivisht


Reagimet – Ndërkombëtarët thanë se ndjejnë keqardhje për grevistët, duke inkurajuar një dialog konstruktiv mes palëve


 


Detaje


Politika – Është e vërtetë që Sali Berisha e ka cilësuar grevën politike. Por, me bindje të plotë, ju them se askush nuk ka qëllime politike


E ardhmja – Në këtë moment, greva jonë është ndërprerë, por nuk është mbyllur. Motorët e sensibilizimit me ndërkombëtarët tashmë janë ndezur


Berisha – Kryeministri Berisha ka lëshuar një arsenal akuzash ndaj grevistëve. Kjo më kujton veprën 38 të Enver Hoxhës “Armiku dhe Hajduti”