Gjendja shëndetësore e Gjergj Ndrecës, i cili paraditen e sotme ka tentuar të vetëdigjet me benzinë, vazhdon të mbetet kritike. Mjeku Ilir Nezha, i cili është kujdesur për Ndrecën që në momentin që ka mbërritur në repartin e djegieve në QSUT, bëri me dije se ish i përndjekurit ka plagë në 40% të sipërfaqes trupore, ndërkohë që dueht të pritet 72 orë për të përcaktuar nëse gjendja e tij është stabilizuar.


“Pacienti shfaq djegie të gradës së dytë, ka ët djegur rreth 40 % të sipërfaqes trupore. Po vijon terapinë intensive. Tani nuk flasim dot për jetën të kalojmë rrezikun, plagët me të mëdha paraqiten ato në rrugët respiratore”, tha mjeku Nezha.


Ndërkohë policia ka shoqëruar grevistin Pal Shqefni, për akuzën e plagosjes së qëllimshme. Burime nga policia bëjnë me dije se Gjergj Ndreca u lye me benzinë, ndërsa Shqefni dyshohet se i vuri flakën. Ndërkohë edhe në videon amatore të shpërndarë në internet duken qartë pamjet kur një grevist i afrohet Ndrecës dhe me një lëvizje të shpejtë i vë flakën. Kjo nuk është hera e parë që Ndreca tenton të vetëflijohet. Mbrëmjen e 9 korrikut 2012, Ndreca ka kërcënuar për më shumë se 2 orë se do të hidhej nga monumenti i heroit kombëtar “Skënderbeu”, në qendër të kryeqytetit. Më herët Ndreca është shndërruar në një personazh të njohur publik për shkak të incidenteve që ka pasur me disa deputetë demokratë, mes të cilëve ish-ministrin e Drejtësisë, Ilir Rusmaili.


8 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)