Vizita


Sekretari për Çështjet Zgjedhore, takime në DASH, Departamentin e Drejtësisë dhe të Mbrojtjes


Damian Gjiknuri, Sekretari për Çështjet Zgjedhore të Partisë Socialiste, është nisur në SHBA i ftuar të marrë pjesë në Forumin e Liderëve Botërorë që zhvillohet me rastin e Konventës së Demokratëve Amerikanë që mbahet në Charlotte, Karolina e Veriut në datat 3-6 shtator. Ftesa është bërë nga Bordi i Drejtuesve të Institutit Kombëtar Demokrat që kryesohet nga ish-sekretarja e shtetit, Madalen Allbright. Në këtë aktivitet që zhvillohet në kuadrin e Konventës marrin pjesë personalitete të njohura politike apo diplomatike, ndërmjet të cilëve ish-sekretarja Allbrajt, ish-presidenti Klinton, senatori John Kerry, Nensy Pallosi etj., anëtarë të Kongresit Amerikan, si dhe politikanë të shquar të mbi 100 shteteve të botës. Pas këtij aktiviteti,  Gjiknuri pritet të udhëtojë në Uashington DC për të zhvilluar takime me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Departamentit të Mbrojtjes. Në këto takime do të diskutohen çështjet më të mprehta të politikës në vend, gjë që duket edhe nga përfshirja në axhendën e takimeve të tre departamenteve më të rëndësishme të administratës amerikane dhe që lidhen direkt me disa nga çështjet më aktuale për të cilat SHBA tregon interes në vend, si demokracia, drejtësia, mbrojtja dhe zgjedhjet. Institutit Demokratik Amerikan i është kërkuar nga Konventa Kombëtare e Demokratëve që të thërrasë të ftuar nga bota, gjë që e bën çdo vit që nga viti 1984. Në Charlotte, do të mblidhen së bashku liderë nga e gjithë bota, ku përfshihen ish-qeveritarë, parlamentarë, diplomatë dhe politikanë të nivelit të lartë nga 100 vende të botës, që do të ndjekin procesin e nominimit të kandidatit të Partisë Demokratike Amerikane për President të SHBA-së dhe zv.presidentin. Gjatë javës së zhvillimit të konventës së demokratëve, Instituti Demokratik Amerikan do të mbajë një seri eventesh të rëndësishme me të ftuarit nga e gjithë vota. Pjesëmarrësit do të marrin pjesë në seminare, diskutime dhe forume të nivelit të lartë për çështjet politike në SHBA, të politikës së jashtme, por edhe situatën ekonomike ndërkombëtare.


Interesante është se gjatë këtyre paneleve do të ketë diskutime bipartizane si nga ana e liderëve demokratë ashtu dhe nga ata republikanë, apo edhe anëtarë të Kongresit për çështjet më të rëndësishme, ku pritet të ketë edhe lidhje direkte televizive. Gjiknuri përveç axhendës së tij në aktivitetin e Konventës së Partisë Demokratike Amerikane do të vizitojë edhe Uashingtonin, ku priten takime në Departamentin e Shtetit, atë të Mbrojtjes dhe atë të Drejtësisë.