PS nuk do të çojë emra në KQZ. Sot 4 anëtarët heqin njerëzit e LSI në KZAZ
Partia Socialiste kërkon riformatim të plotë të KQZ-së, ose rikthim të Muhos si anëtar të këtij institucioni. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjinkuri, në një deklaratë për median, theksoi se PS ka dy opsione për zgjidhjen e ngërçit në KQZ, riformatim i plotë i këtij institucioni, ose rikthimin e anëtarit të shkarkuar të KQZ-së, Ilirjan Muho. “Të kthehet gjendja e mëparshme, të zhbëhet akti i Kuvendit, ose të ulemi, të dialogojmë dhe të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në një riformatim të këtij komisioni dhe gjetjes së disa mekanizmave që kthejnë besimin tek vendimmarrja në këtë komision”, deklaroi sekretari socialist Gjiknuri. Ai thekson se “ne nuk do të çojmë anëtarë në KQZ, pasi nuk duam të bëhemi pjesë e një seksioni politik. Ose KQZ të risjellë besimin te procesi zgjedhor, duke u riformatuar ose duke marrë disa masa ekstra e t’i negociojmë ose le të vazhdojnë të mbajnë përgjegjësinë e asaj që bënë deri në fund. Le t’i menaxhojnë vetë zgjedhjet. Ne do të përgatitemi për zgjedhje, do vazhdojmë punët me komisionet e niveleve të dyta e të treta poshtë, zgjedhjet do të vendosen aty. Nëse KQZ do të fusë duart në proces, do të përballet me skenarë, të cilët ne do të përgatitemi”, deklaroi Gjiknuri. Pavarësisht negociatave, PS është e përgatitur edhe për një KQZ me katër anëtarë. “Si do të merren vendimet për aktet që kërkojnë shumicë të cilësuar, për këtë le të mbajë kosto dhe përgjegjësi Partia Demokratike”, thekson Gjiknuri. Për PS, shkarkimi i anëtarit Ilirjan Muho ishte një mesazh i qartë i kontrollit të KQZ-së dhe jo i balancës, duke i shndërruar anëtarët në kamikazë politikë për t’i përdorur në deformimin e rezultatit zgjedhor. “Por ta harrojë ndokush se do të fusë duart KQZ-së në procesin zgjedhor. Komisionet poshtë le të bëjnë punën e tyre, Partia Demokratike le ta mbajë KQZ-në siç ka zgjedhur do ta mbajë, ne do të përgatitemi për çdo skenar”, thotë për “Top Channel”, Gjiknuri. Pas ditës së sotme, pas konturimit të koalicioneve politike në KQZ, pritet të shtohen kontaktet me ndërkombëtarët për të zgjidhur ngërçin. Në rast se nuk arrihet kompromis, PS-ja duket se do ta lërë KQZ-në me 4 anëtarë, duke u fokusuar në kontrollin e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Ky skenar mund të ketë reagime të ndryshme, në rast se PD-ja nuk reflekton në kohë. Anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj, i zgjedhur nga PD-ja në këtë institucion, shprehet ndërkohë se nëse PS-ja nuk paraqet emrat për t’i zëvendësuar anëtarët, puna mund të vazhdojë dhe me katër veta. “Mbledhjet e KQZ-së me katër veta janë të vlefshme, pra, janë legjitime. Në përgjithësi, aktet normative kanë kaluar, i kemi miratuar. Mundet të ketë dhe vendime të cilësuara me pesë vota. Në këto votime të cilësuara, mbledhjet me katër anëtarë kuptohet që nuk janë legjitime. Pa diskutim që do investohet edhe Kolegji Zgjedhor për këtë. Pa dy anëtarë, pa tre anëtarë, edhe nëse do të ikim dhe ne të tjerët, Shqipëria i ka ligjet për të zhvilluar zgjedhjet”, deklaron Osmanaj. KQZ-ja ka parashikuar sot një mbledhje kur në rendin e ditës do të shqyrtohet heqja e anëtarëve të LSI në 89 KZAZ-të dhe zëvendësimi i tyre me emrat e propozuar nga Partia Republikane. Pas marrjes së anëtarit në KQZ, PR kërkon të ketë përfaqësim dhe në nivelet e dyta dhe të treta në KZAZ dhe në KQV.