Ish-bashkëkryetari i Komisionit të Reformës takime në Uashington
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, mori pjesë në Forumin e Liderëve Botërorë, që u zhvillua me rastin e Konventës së Demokratëve në Karolinën e Veriut. Ftesa është bërë nga Bordi i Drejtuesve të Institutit Kombëtar Demokrat, që kryesohet nga ish-sekretarja e Shtetit Madalen Allbright. Në këtë aktivitet që zhvillohej në kuadrin e Konventës morën pjesë personalitete të njohura politike e diplomatike. Gjatë qëndrimit në SHBA, deputeti Gjiknuri u takua në departamentin e shtetit me Jonathan Moor, Drejtorin e Rajonit të Europës Lindore dhe Juglindore. Ai është zëvendësi i zotit Filip Riker, i cili ndodhet për vizitë në Tiranë. Në takim është folur rreth çështjeve që kishin të bënin me institucionet e pavarura, forcimin e tyre, rolin e opozitës, integrimin europian, çështjet e sigurisë dhe zgjedhjet. Bashkëbiseduesit Gjiknuri dhe Moore diskutuan për konsolidimin e institucioneve të pavarura dhe forcimin e shtetit ligjor, si receta e vetme që siguron stabilitet afatgjatë për Shqipërinë. “Në zgjedhje duhet shkuar me një klimë të qetë dhe ato duhet të jenë të lira dhe të ndershme. SHBA-ja do të luajë rolin e saj në këtë drejtim”, është shprehur Moore. Në Uashington Gjiknuri është pritur nga Susan Bell, e cila mbulon çështjet e OSBE-së dhe zgjedhjet në Departamentin e Shtetit. Ky takim u fokusua kryesisht në çështjet e zgjedhjeve, reformën zgjedhore dhe përgatitjen për zgjedhjet e 2013-ës. Gjiknuri kërkoi monitorim të hershëm të përgatitjeve për zgjedhjet, si dhe përcolli shqetësimin se qeveria duhet të realizojë angazhimet e marra për përgatitjen infrastrukturore të zgjedhjeve. Në vijim të qëndrimit në Uashington, deputeti Gjiknuri u prit nga zëvendësdrejtori i Programit të Asistencës Ndërkombëtare të Hetimit Gregory Ducot, ku u fol për asistencën amerikane në fushën e drejtësisë dhe të policisë, si dhe për problemet në këtë sektor. Pjesë e takimeve të Damian Gjiknurit, sipas “Top Channel”-it, ishte edhe ai në Departamentin e Mbrojtjes me Drejtorin e Koordinimit Operacional për Evropën Juglindore. Hollësitë nga ky takim nuk bëhen publike, por duket se një rëndësi i është kushtuar çështjeve të mbrojtjes dhe sigurisë, përfshirë dhe problematika e kontrollit parlamentar mbi Forcat e Armatosura. Gjiknuri dha dje një intervistë në studiot e Zërit të Amerikës. Ish-bashkëkryetari i Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore në këtë intervistë u shpreh se “në takimet që ka pasur është vënë theksi se zgjedhjet duhet të pranohen nga të gjitha palët, pavarësisht se kush do t’i fitojë ato”. “Ato shihen si një moment kyç drejt konsolidimit të demokracisë shqiptare dhe të realizimit qoftë të tranzcionit të butë”, theksoi Gjiknuri. Për sa i përket KQZ-së, sekretari socialist theksoi se “kodi i ri mundohet të dalë nga karakteri i skemës së mirëfilltë të karakterit politik që PD-ja kishte aplikuar më parë”. “Nuk është se jam besim plotë që KQZ-ja do t’i shpëtojë një influence politike, por kjo është shoqëruar me masa të tjera në Kodin zgjedhor, që kanë krijuar garanci shtesë. Ka mundësi që rezultati të dalë më kompakt pa ndërhyrjen e KQZ-së”, theksoi Gjiknuri.