Moisiu: Negociatat, jo pazar politik


 Etapat


Kuvendi: Më 24 maj, Konferenca e Kryetarëve do të duhet të mblidhet për të caktuar procedurat e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës, si dhe datat e zhvillimit të raundeve të parashikuara


Bisedimet: Këshilltarët e Berishës dhe të Ramës kanë nisur kontaktet për të përgatitur takimin ndërmjet Kryeministrit dhe kreut të opozitës për të përcaktuar kriteret e kandidatit për kryetar të shtetit


Takimi: Pas përcaktimit të kritereve, pritet të zhvillohet takimi i madh i liderëve kryesorë, ku do të bisedohet për kandidaturat konkrete për President të Republikës sipas modelit Moisiu të vitit 2002


Dy ish-drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar shprehen skeptikë



Ylli Pata – Dy nga ish-drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar janë shprehur skeptikë ndaj negociatave për presidentin e ri, të cilat pritet të zhvillohen së shpejti. Negociata që u ndërmjetësuan nga misioni frytdhënës (të paktën përkohësisht) i vizitës së komisionerit të BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule në Tiranë. Ish-kryetari i Parlamentit, Skënder Gjinushi, dhe ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, kanë theksuar se çështja e kreut të shtetit duhet zgjidhur padyshim me konsensus, siç e thotë fryma e Kushtetutës, por jo si një pazar mes palëve.


Gjinushi


Ish-kryetari i Parlamentit shqiptar, aktualisht kreu i Partisë Social Demokrate, tha dje për “Shqip” se çdo lloj bisedimi çon në një rrugë jo të qartë dhe devijuese, pasi gjithçka është e qartë, e prerë dhe përcaktohet nga ligji themeltar i shtetit shqiptar. “Kushtetuta e përcakton se Presidenti i Republikës duhet të jetë personi që përfaqëson unitetin e popullit dhe ai zgjidhet me 84 vota. Pikërisht kësaj fryme i bashkëngjitet edhe qëndrimi i Bashkimit Europian, që e ka përsëritur gjatë vizitës së Fules”, tha Gjinushi. Por kreu socialdemokrat, shprehet skeptik se bisedimet janë një taktikë e Berishës për t’iu shmangur angazhimeve. “Kemi rastin e vitit 2007, kur gjithçka po shkonte normalisht në negociata për zgjedhjen e një presidenti konsensual, por më pas u prishën nga Berisha në fund”. Ish-kryeparlamentari ka qenë gjithmonë për një vijë më të prerë nga opozita që të mos bjerë në grackat që ngre Berisha për të fituar kohë dhe përfitime politike.


Moisiu


Ndërsa për Gjinushin, negociatat mund të konsiderohen si një favor për Berishën, për kreun e shtetit shqiptar, Alfred Moisiu, ato mund të çojnë jo në një zgjidhje konsensuale, por në një allishverish të ri mes Berishës dhe Ramës. Ish-presidenti Alfred Moisiu, i zgjedhur me konsensus në vitin 2002, e sheh takimin e palëve politike si një zgjidhje jo të duhur. “Gjithmonë fillon pazari politik se kush do të jetë njeriu i tij, me influencën e tij, për të nxjerrë leverdi politike të mëvonshme. Kjo është arsyeja që ne jemi të bindur se presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Unë mendoj se z. Rama ka bërë një propozim të drejtë, por nuk e di si do të reagojë kreu i mazhorancës, sidomos pas rekomandimeve që dha komisioneri Fule”, shprehet Moisiu. Për ish-presidentin, Shqipërisë nuk i duhet një kryetar shteti që vjen prej radhëve të të konsumuarve në politikë dhe vendit i duhet një figurë e re që të mos jetë vegël e pushtetit. “Pavarësisht se nuk dua të mohoj aftësitë e z. Nano, me të cilin kam bashkëpunuar kur ishte kryeministër, ne kemi nevojë të shohim personalitete e fytyra të reja në politikën shqiptare, të cilat të mos mbajnë gjynahet e së kaluarës. Pra, duhen fytyra të reja, emra që nuk janë përmendur deri tani”, theksoi Moisiu. Por pavarësisht se disa ndryshime në Kushtetutë shmangin krizën presidenciale për Moisiun, zgjedhjet e parakohshme mbeten një opsion i mundshëm. “Unë mendoj që zgjedhjet e parakohshme janë një zgjidhje, një variant dhe një qeveri teknike mund të organizojë zgjedhjet, në mënyrë që të shmangen parregullsitë që kemi vënë re deri tani”, theksoi Moisiu.



Gjinushi: Më 2007-n u nis një negociatë për zgjedhjen e presidentit me konsensus, por që u prish nga Berisha


Fule: Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Stefan Fule, tha se Berisha ra dakord për negociata


Berisha: Kryeministri Sali Berisha deklaroi se do të zhvillohen negociata për presidentin, por kur të nisë procedura


Rama: Kreu i opozitës, Edi Rama, u ka nisur një letër të gjithë krerëve të partive parlamentare për t’u takuar


Moisiu: Ish-presidenti i republikës, Alfred Moisiu, thekson se zgjidhja ideale do të ishin zgjedhjet e parakohshme