Intervista
Kreu i PSD: Nuk duhet të japë imunitetet, kurth i Saliut
Fatjona Mejdini
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, i konsideron të buta qëndrimet e Partisë Socialiste ndaj qeverisë Berisha dhe këshillon socialistët të mos miratojnë heqjen e imuniteteve në një kohë kur “shteti ka rënë”. Në një intervistë për “Shqip”, Gjinushi thekson se dështimi për rrezikimin e statusit për herë të tretë vjen vetëm për pasojë e dështimit të qeverisë dhe nuk mund të vendoset shenja e barazimit me opozitën. Gjinushi u shpreh mjaft i ashpër ndaj një aleance të mundshme mes PS-së dhe LSI-së, duke e quajtur këtë të fundit varrmihëse të së majtës shqiptare. Por Gjinushi shprehu simpati për forcat e reja politike në vend si FRD-ja dhe Aleanca Kuq e Zi, duke theksuar se e para vinte për shkak të degradimit të PD-së dhe e dyta për shkak të antikombëtarizimit të qeverisë “Berisha”.
Z. Gjinushi, vetëm një vit e ndan vendin nga zgjedhjet parlamentare të 2013-s. Mendoni se opozita po bën përgatitjet e duhura për të qenë fituesja e kësaj gare të radhës?
Sigurisht që përgatitja për zgjedhje nuk varet vetëm nga taktikat apo konfigurimet elektorale që mund të bëhen, përgatitjet për zgjedhje varen së pari nga qëndrimet. Pyetja e madhe që bëhet është a është opozita sot në një kundërshtues real ndaj këtij realiteti katastrofik. Ne jemi të qëndrimit se opozita kryesore ka terma shumë të butë dhe ka një linjë që në fakt komprometon rolin e opozitës, pavarësisht se bëhet në emër të një modelimi apo për t’ua lënë fajin të tjerëve. Pra dallimi mes Partisë Socialdemokrate dhe socialistëve është pikërisht ajo që ne nuk vlerësojmë në asnjë rast se dështimi i marrjes së statusit të vendit kandidat është përgjegjësi e përbashkët. Absolutisht jo, sepse është qeveria që qeveris, është qeveria që negocion dhe po të mbani mend mbushi pyetësorin në një kohë rekord dhe u mburr që Shqipërinë e kishte çuar para vendeve të rajonit dhe është ajo që ngel apo kalon klasën. Sigurisht ngelja apo kalimi i qeverisë nuk lidhet thjesht me një medalje për qeverinë, por ndikon në realitetin shqiptar. Ky është dallimi i parë. Prandaj dhe ne kemi qenë mjaft kritik dhe e kemi quajtur dashakeqës të gjithë ata që duan ta ndajnë përgjegjësinë pozitë-opozitë. Shembulli është i thjeshtë po të shikosh çfarë ndodhi në Greqi, ku e majta ndonëse e gjeti vendin në super krizë trashëguar nga e djathta i pagoi të gjitha kostot, vetëm sepse u ndodh në vendin e gabuar në kohën e gabuar. Problemi i dytë lidhet me shikimin në sy të realitetit. Ja ku jemi pas dy dështimesh për marrjen e statusit dhe ndonëse opozita bëri pjesën e saj për miratimin e rekomandimeve që i takonin, asgjë nuk ndryshoi për mirë. Në vend vijon të mbetet ende problem kryesor korrupsioni, nuk ka sot asnjë i majtë ose i djathtë që thotë që qeveria u lodh duke luftuar korrupsionin. Madje mund të thuhet që qeveria është iniciatorja e korrupsionit dhe Shqipëria gjithnjë e më shumë bën pjesë në listën e vendeve të korruptuara të botës dhe në vend që t’i afrohemi Europës, po i afrohemi Afrikës. E njëjta gjë ndodh me lirinë e medias dhe e njëjta gjë ndodh me liritë në përgjithësi. Po kështu, një pjesë e rëndësishme e rekomandimeve lidhet me Kuvendin, i cili është kthyer në një vend në të cilin nuk ekziston më fjala konsensus. Jo vetëm mes palëve aty nuk është gjetur konsensus, por është shkelur Kushtetuta për Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë. Nuk ka konsensus as për dekretet e Presidentit, as votimin e fshehtë dhe madje as për të drejtën e fjalës. Madje, në Shqipëri është vendosur një praktikë e frikshme që nëse deputetët flasin ose denoncojnë në Kuvend gjobiten me shuma marramendëse. Pra qeveria nuk po kryen detyrat e saj fillestare që janë reformat, këtë e tregoi dhe me zgjedhjen e Presidentit i cili nuk është më shumë se një ministër i kabinetit, i cili do të nisë të kryejë me përpikmëri detyrat që “shefi” i ka dhënë. Opozita duhet të kuptojë se nuk është për të mbajtur shënim, dështimet e qeverisë, por është për të ndalur sidomos rastet korruptive dhe ato të abuzivizmit maksimal dhe rastet e shkeljes kushtetuese. Opozita janë frenat në një demokraci dhe kur të lënë frenat, ha kokën, kur frenat janë pak të serta asnjë problem nuk vjen nga kjo.
Si e shikoni rolin e ndërkombëtarëve në lidhje me këtë situatë në vend që ju e shikoni të përkeqësuar si pasojë e qeverisjes së keqe?
Është e çuditshme që disa ndërkombëtarë sa herë që i është i domosdoshëm ndryshimi i kursit të qeverisë, i cili ka qenë domosdoshmëri pas disa ngjarjeve tragjike në vend dhe dështimeve, këtu flasin sikur mosndryshimi është shenjë stabiliteti. Kjo ndodhi dhe me zgjedhjen e Presidentit. Ata urojnë që Shqipëria shpëtoi nga zgjedhjet e parakohshme, apo urojnë që Shqipëria shpëtoi nga largimi i qeverisë më të korruptuar, kur tërë bota demokratike krizat i zgjedh duke ndryshuar qeverinë dhe kur kjo nuk mjafton, atëherë krizat zgjidhen me ndryshim të vetë Kuvendit, pra kalimi në votëbesim popullor. Kemi Greqinë, që në kulm të krizës nuk e këshilloi askush të mos bënte zgjedhje të parakohshme, madje i bëri dy herë këto zgjedhje dhe në kulmin e krizës ekonomike. Ndërsa në Shqipëri quhet sukses kur në pushtet qëndron prapë Saliu dhe e quajnë sukses se u zgjodh Presidenti që i përshtatet qeverisë në tendencën e saj për të dhunuar institucionet. Edhe këtë e quajnë përsëri stabilitet.
Cila mund të ishte zgjidhja politike të cilës duhet t’i mëshojë opozita për një situatë të tillë?
Shqipëria do të ishte një vend normal nëse pas zgjedhjeve të 2009-s do të kishim një qeveri teknike. Kjo do të ishte një qeveri e bazuar mbi faktin se askush nuk kishte një mazhorancë të qartë dhe vendit i duheshin reforma për të cilat duheshin 84 vota, që bënte detyrim një qeveri të integrimit, me bazë të gjerë. Një qeveri e tillë do të ishte e zhveshur nga korrupsioni dhe do të ishte pjesë e luftës ndaj këtij fenomeni dhe do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe që do të kryente reformat që u duheshin vendit. Me një qeveri të tillë për të cilën ka kohë të krijohet dhe tani, e merr menjëherë statusin e vendit kandidat, sepse Europa do ta shihte qeverinë si një partner për realizimin e reformave.
Opozita tashmë duket se ndodhet përpara dilemës për të vijuar apo jo reformat me PD-në, për hir të integrimit të vendit. Cili do të ishte rekomandimi juaj?
Nëse opozita tani pranon kompromise të reja, pasi ka toleruar 10 rekomandime që janë hedhur në sirtar dhe është ecur në të kundërt, pa rikthyer votën e fshehtë dhe pranon heqjen e imuniteteve tani që dështoi Presidenti konsensual, absolutisht do të ishte një qëndrim që nuk ka mirëkuptimin absolut të PSD-së. Ata që flasin ende për kufizim të imuniteteve, tani i shërbejnë ligjërimit të korrupsionit dhe i shërbejnë faktit që qeveria të ketë të gjitha armët për të goditur në mënyrë selektive, çdo institucion dhe çdo individ që do të guxojë të ngrejë zërin kundër saj. Kur të gjitha institucionet e vendit kanë rënë, imuniteti mbetet mjeti i vetëm për të inkurajuar segmente të institucioneve të pavarura, ose individë që kanë një minimum individualiteti për t’iu kundërvënë qeverisë.
Mendoni se aktualisht ka më hapësirë për të konsideruar një bashkëpunim mes PS-së dhe LSI-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
Unë mund të them që PS ka dështuar sistematikisht në taktikat elektorale dhe sot shohim një çorientim të PS-së në kërkim të aleancave dhe nuk dimë të dallojmë aleatët realë nga aleatët e rremë. Pra shumë vetë shpresojnë në mënyrë të çuditshme që shpëtimi i të majtës qenka LSI-ja, kur në fakt LSI-ja është varrmihësja e të majtës. Pra LSI në të dyja momentet kyçe, 2005, 2009 ka mbajtur një qëndrim që midis kryetarit të PS-së së kohës dhe Berishës ka zgjedhur këtë të fundit. LSI është ajo parti që gëzoi që në 2005-n humbi Nano, pavarësisht se fitoi Berisha dhe në 2009-n i dha fitoren e rreme Berishës, duke trafikuar djathtas votat që shqiptarët i kishin dhënë si një parti opozitare me pushtetin, për të lënë të majtën në opozitë duke lënë Shqipërinë të tërhiqet zvarrë dhe për katër vite të tjera. Tani të rrish përsëri dhe të lësh këtë ambiguitet që LSI qenka një parti me dy cilësi, që mbetet në zemër e majtë ndërsa në duar e djathtë, atëherë sigurisht që kjo çorienton elektoratin dhe shkon ndesh me realitetin shqiptar ku e majta është shumicë fituese. E majta ka rezultuar fituese si në 2005-n ashtu dhe në 2009-n, por nëse ti ke një forcë që pasi merr vota majtas, i çon në mandate djathtas ose gjithë taktikën elektorale e bënë që të dalë sa më dobët e majta, patjetër që do i humbësh zgjedhjet. Kjo është si shitja e ndeshjeve, ti s’mund të thuash që nuk fitojmë dot pa “filanin” që na shet ndeshjet. Tani ka dalë e qartë kush është loja e qeverisë dhe kjo parti është mbështetja numër një e qeverisë dhe po qe për të mundur Berishën me LSI-në këtë mund ta bëjë PS-ja që sot. Por LSI nuk ka asnjë vullnet për ta bërë këtë. Nga ana tjetër, ti nuk ke asnjë garanci se nëse ajo shkëputet formalisht nga PD dhe vjen në koalicion me PS, nesër nuk kalon prapë andej!! Të njëjtën gjë LSI bëri dhe me Presidentin, ku rendi për të prishur konsensusin e madh PS-PD dhe të marrë konsensusin e vogël dhe pazarin e saj me PD. LSI nuk punoi për opozitën, trembi vetëm Saliun me idenë se mund të ta kalonte në opozitë dhe Saliu i dha që zbatojmë marrëveshjen bashkë dhe që në këtë moment çështja e Presidentit u zgjidh dhe opozitën e nxori jashtë.
Si i shikoni dy partitë e reja që janë krijuar në vend, FRD-në dhe Aleancën Kuq e Zi dhe a mund të konsiderojë PS një koalicion zgjedhor me to?
Ajo që ka realisht përçarje dhe ndarje është e djathta, sepse është një e djathtë e uzurpuar dhe e rreme, pasi të gjithë e kanë të qartë se Berisha trashëgon mentalitetin ekstrem të së majtës, por bërtet në emër të së djathtës. Ai të gjithë “unitetin” e tij e mbështet mbi hapjen e dosjeve dhe ka filluar përdor dhe ato 30-vjeçaret. Kjo u duk qartë dhe në çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Fryma e Re Demokratike ka si qëllim të krijojë të djathtën e vërtetë dhe të qëndrojë larg të djathtës të shkatërruar dhe klanore të Sali Berishës. Nga ana tjetër ka një lëvizje për të shfrytëzuar antinacionalizimin e qeverisë “Berisha”, nisur dhe nga fakti se shqiptarët deri tani kanë qenë pak të ndjeshëm ndaj cenimit të elementëve të tyre kombëtarë.
Pakica – “Opozita janë frenat në një demokraci dhe kur të lënë frenat, ha kokën, kur frenat janë pak të serta asnjë problem nuk vjen nga kjo”
LSI – “Shumë vetë shpresojnë në mënyrë të çuditshme që shpëtimi i të majtës qenka LSI-ja, kur në fakt LSI-ja është varrmihësja e të majtës”