Aleatët
Petro Koçi: T’i qëndrohet kushtit parimor, u rrëzua vullneti popullor
Aleatët e PS-së i kërkojnë liderit socialist të mos pranojë votimin e tri projektligjeve, pasi shihen si mashtrime të radhës të qeverisë Berisha. “Këto tri projektligje të famshme, jo vetëm që nuk janë reforma, por ato edhe në përmbajtje vetëm e përkeqësojnë situatën. Të tria janë goditje të demokracisë, sepse ndryshimi i rregullores konsiston në sanksionimin e heqjes së votës së fshehtë, që është rënie e rendit kushtetues në Shqipëri. Amendimi i ligjit të Gjykatës së Lartë synon dhënien e mundësisë së qeverisë, të kontrollojë më tej gjyqësorin nëpërmjet emërimeve të reja, të njëanshme. Ndërsa amendimet për administratën civile sanksionojnë gjendjen katrastrofike, në të cilën e ka çuar kjo qeveri administratën”, tha për “Top Channel” kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi. Në këndvështrimin e socialdemokratit Gjinushi, ngulmimi i ndërkombëtarëve për miratimin e këtyre tri ligjeve, shihet thjesht si kamerdare shpëtimi për Kryeministrin Berisha. “Ne si PSD vlerësojmë që këto tri projektligje të famshme, në fakt janë një përpjekje e dështuar e disa burokratëve të Europës për të shpëtuar qeverinë. E thënë shkurt, standardet, arritja e tyre janë status për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndërsa amendimet janë status për qeverinë dhe për të shpëtuar e dhënë një alibi kësaj qeverie për dështimet katastrofike të sajat këto tre vjet”, tha Gjinushi. Kreu i PSD-së e sheh si kapitullim të opozitës nëse votohen këto tri ligje. “Do të komentohet që kjo qeveri i ka duart e lira të uzurpojë të gjitha institucionet. Do të kuptohet që vetë, një pjesë e përfaqësuesve të BE-së, nuk duan realisht standarde për shqiptarët, sepse asnjë nga rekomandimet nuk është plotësuar, asnjë nga standardet nuk është arritur, por kërkojnë të gjejnë një makijazh për qeverinë, se kanë hallin se mos humb zgjedhjet”, theksoi Gjinushi. Kreu i PSV ’91, Petro Koçi, shprehet se “partia e tij i qëndron vlerësimit se sundimi i zbatimit të ligjit mbetet sfida kryesore e politikës e autoriteteve tona dhe jo thjesht plotësimi i formaliteteve në përmbajtjen e ligjeve”. “Në këtë pikëpamje, çështja e Fierit nuk përbën një ishull për interesin tonë kombëtar për integrimin, ajo dëshmon mungesën ulëritëse të shtetit ligjor dhe institucionalitetit. Vjedhja e vullnetit politik të qytetarëve të këtij qarku u urdhërua e u zbatua nga qeveria Berisha nën hundën e OSBE-së dhe ndërkombëtarëve të tjerë që monitorojnë vendin tonë. PS-ja duhet t’i qëndrojë kushtit parimor të zbatimit të ligjit në funksionimin e Këshillit të Qarkut Fier dhe rivendosjes së vullnetit zgjedhor të qytetarëve mbi epshin politik të qeverisë për të sunduar kudo, në çdo gjë dhe vazhdimisht! Për qytetarët është më i rëndësishëm europianizimi i republikës sesa integrimi i Kryeministrit!”, thekson Koçi. Në Partinë Socialiste ka zëra nga grupi që janë kundër votimit të këtyre projektligjeve. Këta zëra ‘radikalë’ lidhen vetëm me çështjen e Qarkut të Fierit, pasi një pjesë e deputetëve nuk duan që të tërhiqen nga qëndrimi i tyre. Apeli për mosvotimin e ligjeve erdhi edhe nga kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo. “Do të ishte një zhgënjim i madh në rast se PS-ja në momentin e fundit do të tërhiqej, pasi ka bërë një rezistencë dhe pasi ka argumentuar gjatë gjithë kësaj kohe se nuk do të tërhiqet, për arsye se kjo ka të bëjë me pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. Është vërtet djallëzore që Kryeministri kërkon ta vërë në qoshe përpara përgjegjësisë politike PS-në, duke e akuzuar që në rast se ajo nuk voton të enjten, kërkon të sabotojë çështjen e marrjes së statusit të vendit kandidat”, tha Milo. B.HOTI
Aleatët
Presioni – Partia socialiste ka presionin e dukshëm të aleatëve të vet, si PSD, PDS dhe PSV ’91 për të mos votuar tri ligjet dhe lëshuar Qarkun e Fierit
Nënkryetari i grupit të PS
Braçe: Unë nuk i votoj ato ligje
Nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, në faqen sociale në “Facebook” ka bërë të ditur qëndrimin e tij për mosvotimin e tri ligjeve me 3/5 e votave. “Dy ligjet dhe rregullorja nuk i vënë fre rrënimit të sistemit demokratik, përkundrazi konsolidojnë shtetin e një partie. Pikërisht për këtë unë nuk e votoj ligjin për Gjykatën e Lartë, kur Kuvendi njëpartiak ka kapur e ka degraduar përbërjen, funksionin, pavarësinë e asaj gjykate;
unë nuk e votoj ligjin për Statusin e Nëpunësit Civil, kur ekzekutivi politik ka ndarë me përqindje administratën mes partive politike përbërëse, e ka degraduar profesionalisht, e ka zhytur në korrupsion, e ka përdorur në mënyrë barbare për qëllime elektorale, e pastroi që në krye të herës nga nëpunës të kualifikuar-konfirmuar si të tillë edhe nga dhjetëra vendime të gjykatave”, shkruan Braçe. Arsye tjetër, sipas socialistit, është edhe Qarku i Fierit. “Më vodhën Tiranën sy për sy dhe u bë fakt pushteti i pazgjedhur nga qytetarët me votë! Me votën time nuk mund të legjitimohet edhe vjedhja e Fierit!”, thekson Braçe. B.H.