Reshjet e botës janë rikthyer gjatë natës së djeshme në qytetin e Sarandës, ku trashësia e borës shkon në 10 cm, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve edhe brenda qytetit.


Ndërkohë, si pasojë e reshjeve të dëborës të rëna gjatë natës, në Qarkun e Gjirokastrës paraqitet kjo situatë :


Në të gjitha akset rrugore lëvizja e automjeteve bëhet vetëm me zinxhirë, pasi trashësia e borës varion nga 15-20 cm.


Problematike janë kryesisht “Qafa e Muzinës” dhe “Uji i ftohtë “, ku në të dy vendet janë angazhuar borëpastruese për të bërë të mundur qarkullimin e automjeteve.


Policia Rrugore është në gatishmëri dhe po monitoron lëvizjen e automjeteve, duke iu ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve.


Emergjencat civile u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin të gjitha lëvizjet e panevojshme, dhe në rast emergjence të mos hezitojnë të kërkojnë ndihmën e Policisë.


Edhe aksi nacional Përmet-Ersekë është i bllokuar dhe nuk  funksionon dogana e pikës kufitare të 3 urave, ku bora ka bllokuar rrugën. 11 fshatra të njësisë Frashër janë izoluar dhe trashësia e borës arrin në 70 cm.


Situata vijon të paraqitet e vështirë në Peshkopi ku temperatura gjatë natës ka zbritur në -22 gradë ndërsa ditën  e sotme shënon -17 gradë.


11 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)