“Kërkova rishqyrtim të strategjisë, pa ushtri ajo është nul”
Deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, ka sqaruar qëndrimin e tij të mbajtur dy ditë më parë në mbledhjen e Asamblesë së PS-së.
“Deklarova se në gjykimin tim, ky material duhej shqyrtuar, studiuar e analizuar në radhë të parë nga kryesia e partisë dhe nga asambleja dhe më pas të miratohej, nisur nga fakti që është një dokument i rëndësishëm për përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme. Në këtë kuptim, thashë se të duhet që në një moment kryetari i partisë dhe kryesia t’i ndanin veçmas të tre këto drejtime pasi materiali i paraqitur për kryetarin ishte një përzierje e të triave”, shkruan Gjoni në rrjetin social “Facebook”. Më pas, ai shprehet se “deklarova se një strategji pa ushtri është nul. Se elektorati duhet të jetë në qendër të programit. Socialisti që ka luftuar e sakrifikuar gjatë tërë këtyre viteve të vështira dhe jo lideri ashtu siç paraqitej në prezantimin e kryetarit, ku sipas tij, në qendër të fushatës
(për shkak të sistemit?!) vihet lideri pasi ai ‘ha gjithë baltën dhe vlerësimet’”. Gjoni ka ndarë mendimin se PS-ja ka sfida të rëndësishme përpara. “PS duhet t’u dalë zot këtyre sfidave. Këto sfida kërkojnë qasje tjetër. Një vizion të thellë të proceseve që ndodhin brenda e jashtë PS-së. Preokupimi kryesor, forcimi i Partisë Socialiste. “Sa u përket replikave me kryetarin e PS-së pata përshtypjen se kryetari bëri një lapsus frojdian, pasi unë në diskutimin tim nuk përmenda kurrkund deputetët, por ai i ndodhur para stresit të kuptueshëm paraelektoral dhe një ndjeshmërie që ekziston ndër strukturat e partisë në të gjitha nivelet për të përcaktuar në kohë vendin e gjithkujt në këtë betejë elektorale, u shpreh (sipas gjykimit tim) gabimisht, duke thënë se deputetët janë listë kooperative (pra pa ndonjë vlerë), por janë të tillë (deputetët), pasi unë (kryetari) i kam vënë në listë. Reagimi im ishte, i menjëhershëm, duke deklaruar se së pari, unë diskutova në Asamble si anëtar i saj dhe jo si deputet; se dyti, nëse kishte ndonjë objeksion me diskutimin tim nuk kishte përse të përfshinte gjithë grupin e deputetëve, pra nuk duhej të viktimizonte dhe deputetët e tjerë; së treti, nëse kishte çështje për të diskutuar me deputetët mund t’i ngrejë ato çështje në grupin parlamentar dhe së fundi, krahasimi nuk ishte i gjetur se sipas kësaj i binte që ai të ishte kryetar i kooperativës”, shkruan Gjoni. B.Hoti
“Deklarova se një strategji pa ushtri është nul dhe se elektorati duhet të jetë në qendër të programit”
