Intervista
“Institucionet po shkojnë drejt shkatërrimit dhe në drejtim të autobusit është vetë PD-ja me Saliun shofer të dehur”
Opozita nuk do të tërhiqet nga zbardhja e skandalit të përgjimeve të realizuara nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, nëpërmjet Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, socialisti Ilir Gjoni, në intervistën dhënë për gazetën “Shqip” shprehet se “ne kemi indicie të besueshme që na bindin se struktura të veçanta brenda Ministrisë së Mbrojtjes, specifikisht brenda SHIU-t, kanë devijuar nga objekti i punës së tyre, i përcaktuar qartë në ligjet në fuqi. Kjo, ne kemi përshtypjen, se është bërë me dijeninë e plotë të drejtuesve politikë të kësaj Ministrie”. “Mos t’ju duket habi që edhe zhurma që Saliu po bën këto ditë për imunitetet, a thua se atij i digjet barku për këtë (në një kohë kur ai vetë dhe gjithë ministrat e tij kanë përfituar nga imuniteti) të jetë një tentativë për të sfumuar super-skandalin e Ministrisë së Mbrojtjes”, shprehet Gjoni
Zoti Gjoni, si po ecën procesi i mbikëqyrjes parlamentare nga ana e Komisionit të Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes? Kam parasysh faktin se një mbledhje e komisionit dështoi për shkak të një taktike të mazhorancës, e cila nuk paraqiti deputetët e saj?
Aktualisht, ashtu siç e dini, puna e Komisionit të Sigurisë është sabotuar për shkak të refuzimit nga ana e ministrit të Mbrojtjes për të zbatuar një nga parimet bazë të funksionimit të demokracisë, atë të kontrollit dhe balancave dhe të mbikëqyrjes parlamentare (civile) ndaj veprimtarisë së forcave të armatosura. Kjo jo thjesht se po shkelet një parim i demokracisë, por është e vetmja mënyrë dhe tentativë për të fituar kohë, me shpresën se gjithçka do të harrohet, ashtu siç ndodh rëndom në vendin tonë. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të një “tërheqjeje” që deputetët e mazhorancës, anëtarë të Komisionit të Sigurisë, kanë bërë përkundrejt qëndrimit të tyre fillestar, kur miratuan së bashku me ne të opozitës vendimin për të mbikëqyrur zbatueshmërinë e ligjit në Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo me sa duket për shkak të skandalit që fshihet pas të dhënave paraprake që janë bërë publike dhe ndërhyrjes direkte të Kryeministrit Berisha e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.
A mund të thuhet tashmë se ju jeni të bllokuar në nismën tuaj ligjore për kontrollin e ministrisë së drejtuar nga Imami? Si do ta zgjidhni një ngërç të tillë?
Siç përmenda më sipër, kjo është një tentativë për të fituar kohë apo për të gënjyer veten, me shpresë se opozita do të devijojë nga objekti i punës së saj, por dua të garantoj opinionin publik se deputetët e opozitës as nuk e kanë çuar ndonjëherë ndër mend të tërhiqen nga përmbushja e detyrës së tyre, për më tepër, që kjo Ministri, struktura të veçanta të saj dhe sidomos drejtuesit e SHIU-t, përpiqen të fshehin skandale të përmasave drithëruese, sa i përket vetë fondamenteve të demokracisë në vend. Ne do të ndjekim të gjitha hapat e taktikat e domosdoshme për të mundësuar mbikëqyrjen e kësaj Ministrie, në mënyrë që ky institucion të jetë transparent me publikun dhe në veprimtarinë e tij të orientohet vetëm nga ligjet dhe jo nga interesat e një grupi që i shërben thjesht dhe vetëm pushtetit në dëm të shtetit. Mos t’ju duket habi që edhe zhurma që Saliu po bën këto ditë për imunitetet, a thua se atij i digjet barku për këtë (në një kohë kur ai vetë dhe gjithë ministrat e tij kanë përfituar nga imuniteti) të jetë një tentativë për të sfumuar super-skandalin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Kohët e fundit është përfolur se mund të paraqisni dhe kërkesën për krijimin e një komisioni hetimor për punën e Ministrisë së Mbrojtjes. A do ta realizoni një nismë të tillë dhe ku do të fokusohet puna e kësaj strukture si objekt hetimor, pasi fusha e hetimit duhet të jetë në një çështje të caktuar? Pra, do fokusoheni te tregtia e armëve apo te ndonjë çështje tjetër?
Pyetjen bëni mirë që e shtroni, por më duhet të them se çdo gjë ka një radhë. Ne nuk mund të kontemplojmë një veprim ende pa përfunduar të gjitha hallkat e domosdoshme, për të konsumuar përmbushjen e objektivave të asaj çka kemi vendosur si Komision Sigurie, pra, mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së ligjit nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura për të tetë çështjet me të cilat opinioni publik është njohur tashmë. Dua të nënvizoj një fakt të trishtë, që ka të bëjë me Komisionet Hetimore. Nga përvoja e deritanishme, ky mekanizëm ka provuar të jetë i dështuar në pothuaj të gjitha rastet dhe më shumë ka shërbyer për të legjitimuar apo delegjitimuar, sipas rastit dhe interesave politike, për fat të keq jo ato publike, të cilitdo subjekti që është hetuar. Më lejoni t’ju sjell në vëmendje se sot që flasim, ende funksionon zyrtarisht një Komision Hetimor për 21 janarin dhe një tjetër për të ashtuquajturën Masakra e Tivarit. Besoj mjafton kaq për të kthjelluar çdo njeri që ende është i paqartë, sa i përket përvojës me komisionet hetimore. Kjo, gjithsesi, nuk e përjashton mundësinë e përdorimit të këtij mekanizmi, pasi është një mjet i cili po të përdoret me seriozitet dhe po të ketë qëllim identifikimin real të problemeve dhe daljen me rekomandime konkrete e të frytshme, atëherë, realisht, mund të ketë impakt pozitiv.
Zoti Gjoni, opozita ka ngritur me forcë pretendimin se është përgjuar në mënyrë të paligjshme nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes. Nga ana tjetër, ka pasur një reagim të ministrit Imami se kjo akuzë e opozitës ishte një flluskë sapuni. Kohët e fundit ka pasur edhe një reagim të ish-Presidentit Bamir Topi, i cili e ka cilësuar si tepër të rëndë nëse pretendimi i opozitës është i vërtetë, duke theksuar se ky është një skandal i madh. Topi i bëri thirrje opozitës që të mos tërhiqet në denoncimin e kësaj çështjeje, nëse ka prova të mjaftueshme. A do t’i shkoni deri në fund zbardhjes së një çështjeje të tillë, e cila mund të përbënte skandalin më të madh në Shqipërinë e periudhës së demokracisë?
E kam thënë dhe më parë dhe e përsëris: Ne kemi indicie të besueshme që na bindin se struktura të veçanta brenda Ministrisë së Mbrojtjes, specifikisht brenda SHIU-t, kanë devijuar nga objekti i punës së tyre, i përcaktuar qartë në ligjet në fuqi. Kjo, ne kemi përshtypjen, se është bërë me dijeninë e plotë të drejtuesve politikë të kësaj Ministrie. Sa për flluskën e Imamit, është mirë të presim dhe pak e të shohim pastaj se çfarë do të dalë. Duhet gjithsesi të kuptoni një gjë, opozita nuk është një agjenci ku janë punësuar agjentë 007 të tipit ‘alla Xhejms Bond’. Kjo nuk duhet përçuar dhe nuk duhet kuptuar si një histori zbulim-mbulim sekretesh. Kjo është një betejë e ligjit kundrejt antiligjit, e demokracisë kundër autoritarizmit, e forcimit të institucioneve demokratike kundër kapjes së tyre, e llogaridhënies kundër arrogancës së pushtetit. Kjo është një betejë e forcave demokratike kundër atyre antidemokratike. Në këtë betejë, deputetët e opozitës nuk janë vetëm, por kanë mbështetjen e opinionit publik, punonjësve të ndershëm e të devotshëm të institucioneve të sigurisë, juve si përfaqësues të medias, mbarë shoqërinë, e cila nuk i honeps dot më këto parodi të paskrupullta të pushtetit të Saliut. Sali Berisha, Arben Imami e kompani, demokracinë e konceptojnë një mjet “marketingu”, ku nga njëra anë përdorin retorikën demokratike e nga ana tjetër, praktikën totalitare. Shoqëria është e ngopur kur sheh që vendi dhe institucionet e tij po shkojnë drejt shkatërrimit dhe në drejtim të autobusit është vetë Partia Demokratike, me Saliun shofer të dehur.