Intervista


“Mesazhet e Uashingtonit, ne nuk tërhiqemi nga hetimi”


BLEDAR HOTI


Ilir GjoniNënkryetari i Komisionit të Sigurisë, socialisti Ilir Gjoni pas vizitës në SHBA, shprehet në një intervistë për gazetën “Shqip” se partnerët kryesorë të Shqipërisë e dinë situatën në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjoni thekson se opozita nuk do të tërhiqet nga hetimi i Ministrisë së Mbrojtjes, duke mos përjashtuar dhe opsionin për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ankimin e vendimit të PD-së në Kuvend për mospranimin e komisionit hetimor të kërkuar nga opozita.


Z.Gjoni, mazhoranca refuzoi kërkesën e PS-së për ngritjen e komisionit hetimor ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, konkretisht për veprimtarinë ndaj SHIU-t. Si e komentoni një qëndrim të tillë, mos vallë qëndron ajo çka PD tha se kërkesa e juaj nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese? 


Qëndrimi i mazhorancës është i paprecedentë dhe një shenjë e degradimit të gjendjes së demokracisë në vendin tonë nën qeverisjen e Sali Berishës. Pseudoargumentet e dhëna nga mazhoranca besoj nuk i kapërdin as edhe njeriu më naiv. Për më tepër, veprimi i mazhorancës nuk është sporadik apo një episod i shkëputur. Kjo është një filozofi dhe praktikë pune e kësaj mazhorance e cila korrupsionin, paaftësinë, keqmenaxhimin dhe përdorimin politik të institucioneve të shtetit përpiqet t’i mbulojë me arrogancën e kartonëve. Ju risjell në vëmendje faktin se që në maj të këtij viti Komisioni i Sigurisë miratoi me unanimitet të plotë ngritjen e një komisioni mbikëqyrjeje, gjë e cila u sabotua sapo u bënë publike disa fakte komprometuese që implikonin ministrin e Mbrojtjes, Sali Berisha, dhe Shërbimin Informativ të Ushtrisë. Me urdhër nga lart (nënkuptojmë nga Sali Berisha) Jozefina Topalli, në bashkëpunim me Arben Imamin bllokuan çdo veprimtari të Komisionit të Sigurisë. Përballë kësaj situate, opozita shfrytëzoi një prej hapësirave që i ofron Rregullorja e Kuvendit, pikërisht ngritjen e Komisionit Hetimor, nisur dhe nga fakti që si Sali Berisha ashtu dhe Arben Imami, në disa dalje publike i bënë thirrje opozitës që të ngrinte një Komision Hetimor. Varianti i parë i paraqitur nga opozita dhe i hedhur poshtë në Byronë Parlamentare ishte identik me modelin e ngritjes së Komisionit Hetimor për veprimtarinë e Kuvendit, i miratuar pa asnjë kundërshtim nga mazhoranca. Gjithsesi, duke qenë të ndërgjegjshëm se mazhoranca kërkonte sebep për bllokim, ne paraqitëm variantin e dytë, i cili ishte pikë për pikë sipas kërkesave të Kushtetutës, rregullores dhe ligjit për Komisionet Hetimore. Edhe ky u hodh poshtë. E gjithë kjo vijimësi sjelljeje provon katërcipërisht se Arben Imami e Sali Berisha i kanë ndyrë  duart deri në bërryla dhe e kanë të pamundur të lejojnë kontrollin parlamentar. Kjo është arsyeja e thjeshtë përse ata nxjerrin, sebepe dhe yçkla të paqena. Ata kanë frikë nga e vërteta.


Cili do të jetë qëndrimi i PS-së si do veproni ju pasi të gjitha mekanizmat ligjorë dhe parlamentarë ju janë bllokuar nga mazhoranca për ushtrimin e kontrollit ndaj Ministrisë së Mbrojtjes? A do t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e vendimit të Kuvendit?


Shumë thjesht, do të vijojmë të insistojmë në kërkesën tonë. Do t’u kërkojmë juristëve të Jozefinës që ta formulojnë ata sipas dëshirës së tyre që të mos kenë më mundësi të gjejnë argumente banale për bllokim. Natyrisht që edhe opsioni i Gjykatës Kushtetuese mbetet i hapur, por një gjë duhet të keni parasysh;- kjo mazhorancë nuk i shpëton dot kontrollit parlamentar. Ata vetëm sa po përpiqen të fitojnë kohë, gjë të cilën ne nuk do t’ua japim.


Ju e rishikuat kërkesën e parë për komisionin hetimor, duke e fokusuar vetëm te hetimi i veprimtarisë se SHIU-t. A u qëndroni akuzave të bëra se ky institucion i shërbimit sekret në varësi të ministrisë së Mbrojtjes ka kryer përgjime të paligjshme, si dhe ka blerë aparatura të tilla pa vënë në dijeni selinë e NATO-s?


Janë fakte të provuara që Shërbimi Informativ i Ushtrisë nuk ka raportuar asnjëherë në Kuvend. Është po ashtu fakt që pajisjet e përgjimit janë blerë dhe për këtë nuk është marrë ndonjë miratim i strukturave të NATO-s. Urdhri për blerjen e pajisjeve specifikon se u duhet në mbështetje të trupave tona jashtë, por është fakt i ditur botërisht se trupat tona jashtë, nuk veprojnë në mënyrë autonome, por kanë qenë dhe janë nën komandën e një prej forcave aleate e për t’i përdorur pajisjet atje nuk besoj se amerikanët, italianët a turqit kanë nevojë për pajisjet e Shqipërisë. Për të kryer një shërbim të tillë, ata duhet të njoftonin këto struktura. Ne kërkojmë të dimë a e kanë bërë një gjë të tillë a jo dhe nëse jo për çfarë përdoren dhe a janë përdorur këto pajisje brenda territorit të vendit. Më lejoni t’ju sjell në vëmendje faktin se opozita kishte të drejtë, gjë e cila u provua, që ish-drejtori i SHIU-t kishte konflikt interesi duke angazhuar bashkëshorten e tij në veprimtari tregtare me Ministrinë e Mbrojtjes. Edhe në këtë rast çfarë ndodhi? Asgjë. Ylli Zylaj u gradua dhe në vend që të përgjigjej para ligjit ai u promovua në një strukturë tjetër po aq të rëndësishme brenda MM-së, duke demonstruar kështu një shpërfillje totale për ligjin, opinionin publik dhe institucionet ligjzbatuese. Me këtë veprim, Arben Imami dhe Sali Berisha, në një mentalitet meskin e rural na treguan se ata nuk i “lëshojnë” njerëzit besnikë të tyre edhe kur ata e shkelin ligjin me të dyja këmbët.


Zoti Gjoni, ju kohët e fundit ishit në SHBA, ku përveç ndjekjes nga afër të zgjedhjeve presidenciale keni zhvilluar takime dhe me zyrtarë të DASH. Çfarë keni diskutuar në këto takime? A e ngritët shqetësimin për bllokimin e Kuvendit nga mazhoranca në mbikëqyrjen parlamentare apo në mospranimin e komisionit hetimor?


Gjatë qëndrimit në SHBA, pata mundësi të realizoj një takim në Departamentin e Shtetit me zv.drejtorin për Europën Juglindore dhe përgjegjës për Ballkanin, zotin Jonathan Moore. Takimi, i cili zgjati një orë e gjysmë u përqendrua pikërisht në shqetësimet tona sa i përket në tërësi sistemit të sigurisë, përfshirë këtu SHISH, Ministrinë e Mbrojtjes, pengesën që i bëhet Kuvendit për mbikëqyrje, përdorimi i strukturave të shtetit në funksion të pushtetit. U ngrit shqetësimi se elementë të inkriminuar të pushtetit po përpiqen të fshehin paudhësitë dhe korrupsionin e tyre nën gjoja petkun e ruajtjes së ‘sekretit shtetëror’ apo dhe më keq të ‘sekreteve të NATO-s’, si dhe kuptohet u diskutua për çështjen e zgjedhjeve të përgjithshme dhe nevojën e monitorimit dhe asistencës nga afër të tyre. Gjeta mirëkuptim për çështjet e ngritura sidomos për domosdoshmërinë e kontrollit civil ndaj forcave të armatosura të realizuar përmes Komisionit të Sigurisë së Kuvendit. Konstatova me kënaqësi që zyrtari amerikan ishte i informuar në detaje për situatën në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat tona të Armatosura, zbatimin e ligjit të gradave e karrierës, promovimin që u  bëhet disa ushtarakëve mbi baza të anësisë politike e deri te përfitimet nepotike sa u përket trajnimeve të ofruara nga partnerët tanë ndërkombëtarë, duke anashkaluar meritën dhe kontributet etj. Kuptohet që u ripërsëriten mesazhet e dhëna nga sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, në Kuvendin e Shqipërisë ku theks u vu në nevojën dhe domosdoshmërinë e vendosjes së interesave të vendit para atyre politike të momentit. Më transmetuan mesazhin e qartë se SHBA-ja është e interesuar që Shqipëria të avancojë me axhendën europiane dhe opozita të luajë një rol konstruktiv në këtë proces.


Tashmë mund të themi se Ministria e Mbrojtjes do të mbesë institucion mbi ligjet e Kushtetutën e vendit, e cila nuk do të kontrollohet dot, pasi ka një koracë të fortë të mazhorancës? A u dorëzua PS-ja nga kontrolli i atyre aferave të MM-së, për të cilët ju i keni shpallur në media si skandalet më të mëdha të këtij dikasteri në këto 21 vite?


Është e vërtetë se Ministria e Mbrojtjes, në një rast unik në botë refuzon autoritetin e legjislativit. Kjo në një farë mënyrë shpreh dhe problemin madhor që ka vetë legjislativi, për shkak edhe të mungesës së traditës apo kulturës politike. Te ne legjislativi shihet thjesht si një shtojcë e Ekzekutivit dhe deputetët veçse reagojnë apo ratifikojnë projektligjet e qeverisë. Këtë defekt, fatkeqësisht e ka dhe opozita, me raste të veçanta. Nuk ka asnjë farë autonomie e aq më pak të quhet pushteti i pavarur si në çdo vend demokratik. Situata rëndohet më tej po të kemi parasysh se Jozefina Topalli e ka kthyer Kuvendin e Shqipërisë në një saraj të vogël të vetin ku 65 deputetë të opozitës kanë në dispozicion një sekretare, një kompjuter, një printer dhe një këshilltar grupi. Pjesa tjetër e tërë administratës së Kuvendit është në shërbim të Jozefinës dhe mazhorancës. Sa i përket pyetjes nëse ne do dorëzohemi, përgjigjja ime është: Absolutisht që jo! Ne nuk kemi përse të dorëzohemi dhe as nuk e kemi ndërmend. Por dëshiroj të nënvizoj një fakt shumë të rëndësishëm. Ajo çka opozita ngre me shqetësim për abuzimet e ministrit të Mbrojtjes, nuk janë thjesht shqetësime të opozitës për të fituar thjesht pikë politike. Këtu çështja është më e madhe dhe më e gjerë e ka të bëjë më atë çka quhet (mos)funksionim i shtetit ligjor dhe cenim i rëndë i parimeve demokratike. Pasojat e këtyre veprimeve nuk janë vetëm mbi socialistët apo përkrahësit tanë, këto janë pasoja që i vuan tërë populli e në radhë të parë Forcat tona të Armatosura.


 


Mesazhi i SHBA – “Kuptohet që u ripërsëritën mesazhet e dhëna nga sekretarja e Shtetit në Kuvend ku theks u vu në nevojën dhe domosdoshmërinë e vendosjes së interesave të vendit para atyre politike të momentit”


Nepotizmi – “Zyrtari amerikan ishte i informuar në detaje për situatën në MM dhe FA, zbatimin e ligjit të gradave e karrierës, promovimin që u  bëhet disa ushtarakëve mbi baza të anësisë politike e deri te përfitimet nepotike”


Opozita – Më transmetuan mesazhin e qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuara që Shqipëria të avancojë me axhendën europiane dhe opozita të luajë një rol konstruktiv në këtë proces.


DASH – Gjatë qëndrimit në SHBA, Gjoni u takua në Departamentin e Shtetit me zv.drejtorin për Europën Juglindore dhe përgjegjës për Ballkanin, Jonathan Moore


Kushtetuesja – Deputeti i PS-së theksoi se nuk përjashtohet mundësia e drejtimit në Gjykatën Kushtetuese, pas refuzimit që Kuvendi i bëri kërkesës së opozitës për komisionin


Mosdorëzimi – PS-ja nuk do të tërhiqet nga kërkesa për të realizuar kontrollin parlamentar mbi Ministrinë e Mbrojtjes. Gjoni theksoi se SHIU nuk ka raportuar asnjëherë në Kuvend