Bllokimi i hetimit nga Imami, deputeti i drejtohet Avokatit të Popullit


BLEDAR HOTI


Bllokimi antiligjor i mbikëqyrjes parlamentare nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka detyruar nënkryetarin e Komisionit Parlamentar të Sigurisë që t’i drejtohet me anë të një letre Avokatit të Popullit, Igli Totozani. Ai i kërkon Avokatit të Popullit të ndërhyjë në zgjidhjen e këtij konflikti, në mënyrë që Kuvendi, me anë të organizmave të tij, të ushtrojë veprimtarinë ligjore. Mazhoranca prej kohësh ka bllokuar mbikëqyrjen parlamentare ndaj Ministrisë së Mbrojtjes. Ministri Imami dhe deputetët e PD-së po bëjnë të pamundurën për të bllokuar procesin e kontrollit të këtij institucioni, i cili tashmë është mbushur me shumë mistere jo vetëm për shitjen e armëve dhe mënyrën e emërimeve dhe gradimeve, por dhe armatimit të Shërbimit Informativ Ushtarak.


Letra e plotë


I nderuar zoti Avokat i Popullit! Në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë kam ndjekur në vijimësi veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes, si një prej institucioneve kryesore të sigurisë kombëtare. Në këtë kuadër kam ndjekur edhe veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, si pjesë e rëndësishme e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes. Në kapacitetin e anëtarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë, kam konstatuar se SHIU është një prej institucioneve më hermetike dhe më abuzive me termin “sekret shtetëror”, gjë e cila nuk gjen asnjë mbështetje ligjore. Nën petkun e “sekretit shtetëror”, ky shërbim, kam arsye të bazuara të besoj se ka tejkaluar kompetencat që i jep ligji dhe Kushtetuta e vendit, duke shkelur, sipas gjykimit tim, të drejtat e njeriut dhe ligjet që i mbrojnë ato. Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj se unë si deputetët i Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësues i opozitës, kam dyshime të bazuara se SHIU ka kaluar kompetencat që i jep ligji 9074, 29.5.2003, në të paktën dy raste të konstatuara prej meje siç është prokurimi i snajperëve (bie ndesh me nenin 5 ‘Detyrat’ të ligjit të sipërcituar) si dhe blerjen e pajisjeve përgjuese me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, të cilat në dijeninë time janë të padeklaruara në Prokurorinë e Përgjithshme dhe/ose Gjykata, institucionet këto të vetmet në Republikën e Shqipërisë që autorizojnë përgjimet e shtetasve.


Siç theksova më sipër, publiku ndeshet shpesh me abuzimin që bëhet me sigurinë kombëtare dhe SHIU, në dijeninë time, në rastin e përdorimit të pajisjeve përgjuese, i argumenton me sigurinë kombëtare dhe përdorimin jashtë territorit të vendit në mbështetje të FA që veprojnë në misione paqeruajtëse. Gjithsesi, kjo është një fushë e cila lë shteg për abuzime dhe tejkalime të ligjit e për rrjedhojë, përmes kësaj letre, ju drejtohem Ju si Avokat i Popullit, me kërkesën që në përputhje me Ligjin, i cili rregullon veprimtarinë e institucionit tuaj të nderuar dhe në mënyrë të veçantë nenet 19,19/1 dhe 20, të nisni një hetim të pavarur të veprimtarisë së SHIU-u. Duke Ju falënderuar paraprakisht për mirëkuptimin, mbetem në pritje të një përgjigjeje nga ana Juaj”.


8800 euro: Kompania shtetërore e armëve MEICO ka firmosur një marrëveshje me SHIU-n e më pas me italianen BERETTA, për blerjen e dy snajperëve, në një vlerë totale prej 8800 eurosh


Përgjimet: Opozita ka ngritur shqetësimin në lidhje me përgjimet e paligjshme të kryera nga SHIU. Për opozitën, pre e përgjimeve nga SHIU kanë rënë jo vetëm lidershipi i PS-së, por edhe ambasadorët


 Bllokimi: Imami ka bllokuar në mënyrë antiligjore dhe antikushtetuese mbikëqyrjen parlamentare. Ky është një nga veprimet më të paprecedentë në historinë e parlamentarizmit shqiptar