“Ai firmos ende dokumente në emër të institucionit. Hetimi do të vazhdojë”
BLEDAR HOTI
Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, socialisti Ilir Gjoni, shprehet se Ylli Zyla nuk e ka dhënë ende dorëheqjen nga posti i shefit të Shërbimit Inteligjent të Ushtrisë (SHIU). “Dorëheqja e Ylli Zylajt është një gënjeshtër e madhe. Nuk është e vërtetë. Ai përditë drejton SHIU-n, madje edhe korrespondencën e firmos si drejtor i SHIU-t. Sot pashë një letër që i drejtonte Komisionit të Sigurisë dhe firmoste drejtori i SHIU-t. Flluska e Arben Imamit do të plasë shpejt”, shkruan Gjoni në faqen e tij sociale “Facebook”. Zylaj, pas disa publikimeve në media, se bashkëshortja e tij ishte përfshirë në një kompani që merrej me tregtimin e armëve, dha dorëheqjen nga posti i kreut të SHIU-it, të shërbimit sekret ushtarak. Ai e dorëzoi atë te Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Mbrojtjes. Por në lidhje me dorëheqjen e tij, Imami përsëriti dje se “ai është një veprim qytetar dhe në interes të reputacionit të shërbimit”. Porse Gjoni në këtë qëndrim të tij të ri hedh dyshime për largimin e Zylajt nga posti i shefit të SHIU-t. Deputeti socialist shprehet se e ka parë atë në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Sigurisë, e cila administrohej nga kryetari, deputeti i PD-së, Leonard Demi. Gjoni, pas mbledhjes së komisionit, shprehu për mediat se po ngrihen artifica nga ana e mazhorancës për bllokimin e kontrollit parlamentar. “Shqetësues është fakti se vërej një tërheqje, një tendencë edhe nga mazhoranca për ta shmangur mbikëqyrjen parlamentare në institucionin e ministrisë. Ndonëse u vendos që kryetari i komisionit përsëri t’i drejtohet për herë të katërt ministrit për t’i kërkuar lejimin e mbikëqyrjes parlamentare. E rëndësishme është që ne ngritëm zërin dhe imponuam atë kërkesë që komisioni e ka marrë më parë. Tani kryetari i komisionit do t’i dërgojë një letër kryetares së Parlamentit”, tha Gjoni. Debati kryesor për nënkryetarin e Komisionit të Sigurisë u zhvillua më tepër pwr objektet që ka në administrim Ministria e Mbrojtjes e që për opozitën është një problem tepër shqetësues. “U vendos që Demi, si kryetar i komisionit, të drejtojë një letër tjetër. Nga biseda paraprake që kam bërë me kryetarin e komisionit, kemi rënë dakord për ditën e hënë”, theksoi Gjoni. Opozita ndërkohë ka pranuar edhe kërkesën e ministrit Imami për certifikimin e anëtarëve të komisionit që do të disponojnë materiale të cilësuara si të klasifikuara.