14 shtatori – Seanca e djeshme maratonë në Kuvend solli dhe debate të ashpra politike, ku Majko u kujtoi demokratëve se 14 vite më parë PS-ja ishte ulur të diskutonte me Berishën, ndonëse ky i fundit kishte sulmuar me dhunë institucionet.


Debatet – Diskutohet paketa kushtetuese, ndërkombëtarët përkrahin pavarësinë


Fatjona Mejdini


Në një seancë maratonë të mbajtur në Kuvend me krerët e institucioneve dhe konstitucionalistëve më të njohur në vend, drafti i Partisë Socialiste për ndryshime kushtetuese gjeti mbështetje maksimale. Kështu, institucione të rëndësishme në vend si Gjykata e Lartë dhe po kështu shumë konstitucionalistë të mirënjohur në vend mbështetën nismën për zgjedhjen e anëtarëve të gjykatave me një shumicë të cilësuar. Por ashtu siç dhe pritej, Partia Demokratike e kundërshtoi këtë nismë përmes një relacioni të hartuar nga deputetja demokrate, Paulina Hoti. Sipas këtij relacioni, nisma e socialistëve cenon procedurat demokratike në Kuvend, ul legjitimitetin e rendit kushtetues, dobëson rolin e opozitës dhe krijon mundësi për pazare në lidhje me çështje të emërimit.


Mbështetja


Drafti i socialistëve mori dje mbështetjen e konstitucionalistëve në vend, të cilët theksuan faktin se ishte e udhës që zgjedhja e gjyqtarëve të bëhej me një shumicë të cilësuar në Parlament. Në favor të këtij drafti u rreshtuan konstitucionalistë të mirënjohur si Aurela Anastasi, Njazi Jaho dhe Luan Omari, të cilët theksuan faktin se kjo nismë ndihmonte në balancimin e Kushtetutës së vendit, e cila sipas tyre u zhbalancua nga ndryshimet që iu bënë në vitin 2008. Një tjetër organ i rëndësishëm i cili u shpreh dakord për këtë nismë ishte dhe Gjykata e Lartë. Ky institucion i pavarur theksoi se nëse anëtarët e tij do të zgjidheshin me një shumicë të cilësuar atëherë do të ekzistonte mundësia që ata të ishin më pak të ndikuar politikisht dhe më shumë profesionalë në punën e tyre. Po kështu përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare në vend që u ftuan të jepnin mendimin e vlerësuan parimisht këtë draft, duke theksuar se vendi ka nevojë për një drejtësi sa më larg politikës. I vetmi nga përfaqësuesit e institucioneve që e kundërshtoi këtë nismë ishte nënkryetari i ri i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa. Sipas tij, shumica e cilësuar mund të bllokojë procesin e zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve të drejtësisë dhe se nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë mes profesionalizimit dhe sasisë së votave që duhen në Kuvend për zgjedhjen e një anëtari institucioni.


Debatet


Seanca dëgjimore e mbajtur dje në Kryesinë e Kuvendit zgjati më shumë se gjashtë orë dhe solli shumë tensione politike mes palëve. Relatori socialist, Pandeli Majko, nuk ngurroi ta cilësonte këtë seancë si të turpshme dhe se një pjesë e madhe e demokratëve kishin bërë vetëm farsë. Nga ana e tij, kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ilir Rusmali, u kërkoi socialistëve të hiqnin dorë nga kjo nismë për ta shqyrtuar në një kohë të dytë, gjë e cila nuk u pranua nga ana e përfaqësuesve të PS-së. Po pavarësisht kundërshtimit të demokratëve, drafti pritet të kaloj në Kuvend për miratim dhe se nuk dihet ende se cili mund të jetë fati i mëtejshëm i tij.


 


Kushtetuesja


Gjykata Kushtetuese refuzoi dje të jepte një opinion në lidhje me draftin e opozitës për ndryshime në Kushtetutë. Në letrën e saj, kjo gjykatë thekson faktin se e ka të nevojshme të ruajë anësinë dhe maturinë në dhënien e mendimeve paraprake në çështje të tilla që mund të kenë implikime në vendimmarrjen e saj të ardhshme.