Kolegji Penal e konsideron si person të rrezikshëm. Pritet Kushtetuesja që do të vendosë për mandatin e deputetit të Pukës
ÇËSHTJET
Vrasja – Mark Frroku akuzohet për vrasjen e Aleksandër Kurtit në Belgjikë, në vitin 1999. Prokuroria shqiptare ka nisur hetimet, ndërsa në Bruksel vazhdon gjyqi
Komploti – Në muajin mars të këtij viti, emri i Frrokut u përmend nga Doshi, si personi që i kishte thënë për atentatin. Më vonë, prokuroria e akuzoi Frrokun për dëshmi të rreme
Pasuria – Në kulmin e çështjes së komplotit, por edhe vrasjes, ILDKPKI-ja e kallëzon për fshehje pasurie. Prokuroria ka ngarkuar së fundmi një kontabilist për të parë burimin e parave
Drejtësia rrëzon një tjetër kërkesë të deputetit Mark Frroku, i cili po hetohet për disa vepra penale në Shqipëri, si dëshmi të rreme, fshehje pasurie apo ndërtim i paligjshëm, ndërsa në Belgjikë akuzohet për vrasje. Të gjitha këto procedime penale janë regjistruar pas muajit mars të këtij viti, ku në atë kohë, deputeti Tom Doshi tregoi se Frroku i kishte thënë se po bëhej një atentat ndaj tij.
Fillimisht deputeti i Pukës u arrestua dhe më pas u la në arrest shtëpie për komplotin, ndërsa në mes të muajit mars, policia e riarrestoi, me kërkesë të autoriteteve belge. Që nga ajo kohë e deri më tani, Frroku i ka ndërruar shpesh qelitë e paraburgimit, ndërsa ka vizituar shpesh edhe Gjykatën e Lartë, ku janë zhvilluar një sërë procesesh gjyqësore, pasi avokatët e tij kanë bërë dhjetëra kërkesa, me të vetmin qëllim: lirimin e deputetit.
Gjithsesi, deri më tani të gjitha kërkesat janë rrëzuar, madje edhe në momentin që deputeti miliarder ka ofruar edhe një garanci pasurore. Krahas izolimit nga shoqëria, Frroku nuk është paraqitur në Kuvend, për të përfaqësuar zonën e tij elektorale, në Pukë, ku dhe është zgjedhur në qershor 2013, ndërsa paga e tij i është bllokuar që nga muaji mars.
Person i rrezikshëm
Ditën e djeshme, u zhvillua seanca e radhës në Gjykatën e Lartë, ku Kolegji Penal vendosi të rrëzojë kërkesën e Mark Frrokut që të paraqitej në Parlament. Disa javë më parë, avokatët e Frrokut iu drejtuan gjykatës që klienti i tyre të paraqitej në Kuvend, duke ushtruar edhe funksionin e deputetit, që i është ndërprerë prej muajit mars.
Mosprezenca e tij prej më shumë se gjashtë muajsh në seancat plenare është konsideruar nga avokatët si shkelje nga prokuroria dhe Drejtoria e Burgjeve që duhet t’i jepnin leje apo ta shoqëronin në Kuvend për të marrë pjesë.
Më parë, për të njëjtën kërkesë, ishte shprehur prokuroria, e cila vlerësoi se nuk ishte kompetente për të dhënë të tilla leje. Tashmë gjykata, pohojnë burimet, ka përcaktuar se deputeti Frroku akuzohet për krime që duhet të izolohet nga shoqëria. Megjithëse vendimi nuk është zbardhur, burime nga Kolegji Penal pohojnë për gazetën “Shqip” se deputeti është cilësuar si person i rrezikshëm. Nga ana tjetër, burime nga akuza qendrore pohojnë se hetimet për deputetin kristiandemokrat janë drejt fundit dhe brenda pak javësh çështja do të shkojë në gjykatë.
Mandati i Frrokut
Disa javë më parë, Këshilli i Mandateve vendosi të rrëzojë kërkesën e demokratëve për heqjen e mandatit të deputetit kristiandemokrat, Mark Frroku, i cili aktualisht është në burg. Si mazhoranca, ashtu edhe opozita në këtë Këshill, pasi dëgjuan dhe pretendimet e avokatit mbrojtës të deputetit, Saimir Visha, ranë dakord që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nenit 71, me argumentin se nuk është Këshilli i Rregullores organi përkatës i ngarkuar për të bërë interpretime të tilla ligjore. “Në mbrojtjen që kam bërë, ishte që Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve nuk mund të bëjë interpretim të Kushtetutës. Këtë e bën vetëm Gjykata Kushtetuese. Ne e kishim parashikuar këtë. Mark Frroku nuk përfaqëson vetëm veten, por 20 mijë zgjedhës. Kërkesa u rrëzua. I janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Fjala ‘pa arsye’ nuk mund të interpretohet nga Kuvendi. Frroku sot është deputet i Republikës së Shqipërisë”, tha avokati Visha menjëherë pas vendimit të Këshillit të Mandateve.