“Në të gjitha vendet e Lindjes ku janë ndërtuar ligje dhe Kushtetuta të standardeve europiane, ato konsiderohen si tekste ligjore, që nuk përputhen me mentalitetet e vjetra. Kjo mospërputhje prodhon korrupsion”


Nënkryetari Medrano evidentoi problemet në drejtësinë shqiptare


 Medrano deklaroi se ishte e udhës që shqiptarët të mos shkonin në Strasburg vetëm për çështje pronësie



Fatjona Mejdini – Drejtues të lartë të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg gjetën rastin t’i ftonin qytetarët shqiptarë që t’i drejtoheshin kësaj gjykate dhe sa i përket çështjeve të korrupsionit. I gjendur në Tiranë për një konferencë të gjyqësorit, nënkryetari i Gjykatës së Strasburgut, Josep Casadevall Medrano, në një intervistë për “Top Channel” deklaroi se ishte e udhës që shqiptarët të mos shkonin në Strasburg vetëm për çështje pronësie, por duhet të përdornin të drejtën e tyre për të ngritur dhe çështje të korrupsionit, duke qenë se vendi ka ende probleme sa i përket kësaj fushe. Sipas tij, edhe çështjet e politikanëve shqiptarë të akuzuar për korrupsion fare mirë mund të ankimoheshin në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Por gjithsesi, ai thekson se është e udhës që vetë Shqipëria t’i zgjidhë me prioritet këto çështje, nisur nga fakti se ajo tashmë pretendon të jetë një vend kandidat i Bashkimit Europian. “Cilido që ka vështirësi, mund ta sjellë çështjen në Strasburg. Por Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Europës dhe për këtë ajo përmbushi disa standarde. Shqipëria synon të jetë kandidate për në BE dhe për këtë, duhet të përmbushë disa standarde të tjera”, deklaroi numri dy i gjykatës, duke theksuar se dera në Strasburg për çështjet shqiptare të korrupsionit ishte e hapur. Nga ana tjetër, Josep Casadevall Medrano theksoi se korrupsioni në vende si Shqipëria stimulohet nga fakti se ligjet e reja të përshtatura me standardet e BE-së janë të vështira për t’u zbatuar nga mentaliteti i vjetër në sistemin e drejtësisë. Në këto kushte ai tha se vetëm vullneti politik mund ta zgjidhë situatën. “Dua të them se çështjet e korrupsionit nuk i gjejmë vetëm në Shqipëri, i gjejmë në çdo vend me demokraci të re. Zgjidhja vjen vetëm nga një vullnet politik. Ajo që konstatoj është se në të gjitha vendet e Lindjes ku janë ndërtuar ligje dhe Kushtetuta të standardeve europiane, konsiderohen si tekste ligjore që nuk përputhen me mentalitet e vjetra të këtyre vendeve. Kjo mospërputhje prodhon edhe korrupsionin”, theksoi nënkryetari i Gjykatës prestigjioze të Strasburgut. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut është një institucion ndërkombëtar, që në përputhje me disa kushte të caktuara mund të pranojë kërkesat e personave, të cilët ankohen për shkelje të të drejtave të garantuara nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut. Kjo Konventë është një marrëveshje, nëpërmjet së cilës shumë shtete të Europës janë angazhuar të respektojnë disa të drejta themelore të individëve. Këto të drejta janë formuluar në vetë Konventën, si dhe në disa protokolle, të cilat një pjesë e shteteve i kanë nënshkruar. Kjo gjykatë mund të trajtojë vetëm ankesat në lidhje me shkeljen e të drejtave të formuluara në Konventë dhe në protokolle, duke përjashtuar të gjitha shkeljet e tjera. Në këtë gjykatë qytetarët mund të ankohen vetëm për aktet e një autoriteti publik si Parlamenti, administrata, gjykatat etj. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut nuk mund të merret me ankesat drejtuar personave të veçantë, ose institucioneve private.


 


Kërkesat


Pronat


Çështjet e pronave dominojnë kërkesat e shqiptarëve drejtuar Strasburgut. Ish-pronarët janë shtresa që prej vitesh kërkojnë drejtësi në këtë gjykatë


600 dosje


Aktualisht kjo gjykatë ka pranuar të gjykojë 600 dosje kërkesash nga Shqipëria. Procedimi me këto dosje mund të kërkojë disa vite, nisur nga fakti se procedurat e gjykatës zgjasin në kohë