Ish-këshilltari i Dritan Priftit, pa gjurmë prej 28 prillit 2010


Eduart Belegu, ish-këshilltari i ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, është shpallur person i zhdukur. Vendimi është dhënë dje nga Gjykata e Tiranës, e cila ka pranuar kërkesën e bashkëshortes së Belegut. Vendimi i dhënë nga gjyqtarja Elona Gjoka do të botohet në Fletoren Zyrtare duke dhënë informacionin se Belegu është zhdukur në muajin prill 2010 dhe nuk është gjetur asnjë gjurmë prej tij. Zhdukja e 49-vjeçarit vijon të jetë një nga enigmat më të mëdha për autoritetet shqiptare, në një kohë që Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas hetimeve e verifikimeve disamujore, ku dyshohej se mund të ishte rrëmbyer, ia kaloi dosjen për plotësime të mëtejshme policisë së kryeqytetit. Në seancën gjyqësore, prokurori i thirrur si palë e tretë është shprehur dakord për shpalljen e këtij informacioni në Fletoren Zyrtare dhe mësohet se të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe përfaqësuesja e njësisë 2 në Tiranë.


Sipas faqes zyrtare në internet të Policisë Ndërkombëtare, Belegu rezulton i zhdukur që në datën 28 prill 2010, kur ka kontaktuar për herë të fundit me të afërmit. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri, tre muaj pas zhdukjes së tij, e ka parë të arsyeshme ta shpallë Belegun në listën e të zhdukurve ndërkombëtarë. Mësohet se hetimet për këtë rast u ndoqën nga Krimet e Rënda dhe verifikimet për ish-drejtuesin e kompanisë “Darfo” në Elbasan, për të cilën u mor edhe person i pandehur, u përqendruan tek ndonjë rrëmbim i mundshëm, ndërsa nuk u përjashtuan as pistat e tjera që nga largimi nga banesa e deri te konfliktet e mundshme të Belegut me ndonjë të njohur. “Shpallja si i zhdukur ndërkombëtar i shtetasit Eduart Belegu është realizuar pasi nga hetimet e policisë dhe prokurorisë nuk është gjetur asnjë gjurmë jete. Synohet që me shpalljen e tij në listën e Interpolit, edhe policitë ndërkombëtare të kërkojnë për personin në fjalë”, thanë burimet nga akuza qendrore, sipas të cilave drejtësitë e vendeve të rajonit, por edhe Italia dhe SHBA-ja, mund të sjellin informacione pa qenë nevoja e letërporosive. Për këtë çështje, sipas burimeve nga grupi hetimor, është verifikuar çdo provë, personat që e kanë takuar për herë të fundit, gjurmët e gjetura në automjetin e tij e deri tek informacionet nga vëzhgimet dhe përgjimet e të dyshuarve. Në lidhje me diskutimet për statusin e kësaj dosjeje, burimet nga akuza qendrore thanë: “Kemi dyshime se ish-drejtori i ‘Darfo’-s është rrëmbyer. Zhdukja u hetua nga një grup hetimor i Krimeve të Rënda, të cilët morën kontakt me familjarët e tij. Nga materialet e deritanishme ka rezultuar se automjeti i tij është gjetur në periferi të Tiranës. Gjithashtu, Belegu ka kontaktuar me disa të afërm, duke i bërë me dije largimin e tij. Megjithatë, faktet në dosje krijojnë bindjen e një rrëmbimi”. Pistat e mundshme të zhdukjes janë konfliktet gjatë punëve të kryera nga Belegu, ndërsa deri tani nuk është përjashtuar asnjë e dhënë.


Belegu ka drejtuar disa vite më parë kompaninë koncesionare “Darfo” në Elbasan. Gjatë ushtrimit të detyrës, ai është arrestuar për “vjedhje me anë të shfrytëzimit të detyrës”, në nëntor të vitit të kaluar. Belegu është liruar nga Gjykata e Lartë dhe gjatë kësaj kohe paraqitej në polici një herë në javë. Ai u arrestua më 16 nëntor të vitit 2009 në Elbasan së bashku me disa persona. s.ç


 


 


Prokuroria:


Belegu nuk është larguar nga Shqipëria


Zhdukja e Eduart Belegut vijon të jetë misterioze. Autoritetet policore italiane, greke, të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës kanë sjellë informacione në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Shqipëri, se ky person nuk është futur në territorin e tyre. Grupi hetimor i Krimeve të Rënda u kërkoi pikave të kalimit kufitar të vendeve fqinje informacione që kishin të bënin me mundësinë që Belegu të ishte futur në territorin e tyre. Pas konfirmimit të pikave të kalimit kufitar të vendit tonë se ky shtetas nuk kishte kaluar kufirin e Republikës së Shqipërisë, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me autoritetet e huaja. Prokuroria shqiptare u kërkoi vendeve fqinje nëse shtetasi Eduart Belegu ishte larguar nga Shqipëria që nga momenti i ndryshimit të masës së arrestit ndaj tij. Informacioni prej policive të vendeve fqinje ishte se nuk kanë regjistruar asnjë person me një emër të tillë, duke vënë pikëpyetje të reja për këtë çështje që po hetohet nga policia dhe prokuroria shqiptare. Informacione zyrtare kanë mbërritur në polici dhe prokurori nga pikat e kalimit kufitar tokësor, si Dogana e Kakavijës, Kapshticës, Dogana e Tre Urave në Përmet, Dogana e Qafë-Thanës, si dhe Dogana e Hanit të Hotit në Shkodër. Asnjë gjurmë për Belegun, i cili nuk rezulton ta ketë lënë Shqipërinë në rrugë tokësore. Vëmendja u përqendrua edhe në Aeroportin e Rinasit, prej nga ku erdhi përgjigjja se nuk rezulton ta ketë lënë Shqipërinë asnjë shtetas shqiptar me emrin Eduart Belegu. Gjithashtu erdhën përgjigjet edhe nga pikat e kalimit kufitar ujor, nga Porti i Durrësit dhe i Vlorës, ku nuk kishte asnjë shenjë jete nga ish-këshilltari i Priftit. Pas këtyre hetimeve të hollësishme, puna e grupit hetimor u përqendrua në verifikimin e çdo prone dhe pasurie të Eduart Belegut.


 


Gjykata


Dëmshpërblim për “bashkëpunëtorët” e Belegut


Dy ish-zyrtarë të kompanisë koncesionare “Darfo”, që kishte në administrim Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, të cilët u akuzuan për vjedhje, duke shpërdoruar detyrën me vlerë 6.5 milionë euro, kanë marrë dëmshpërblim nga Gjykata e Tiranës. Vendimi është dhënë në favor të Fatos Pengut dhe Tonin Gjonajt, “shokët” e Eduart Belegut, i zhdukur pasi u ngritën akuzat për këtë çështje nga Prokuroria e Elbasanit. Mësohet se Pengu dhe Gjonaj i janë drejtuar gjykatës t’i kompensojë për paraburgimin e padrejtë për periudhën 16 nëntor 2009 deri më 16 dhjetor 2009. Mësohet se kërkuesit janë arrestuar në flagrancë për veprën penale të “vjedhjes për shpërdorim detyre”.