Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri i ka dërguar një letër ambasadorit të SHBA në vendin tonë për të shprehur pakënaqësitë e tij në lidhje me procesin gjyqësor që po zhvillohet mes tij dhe fëmijëve të kryeministrit Berisha. Në letrën dërguar ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, deputeti socialist pretendon për padrejtësitë që po i bëhen atij në këtë proces gjyqësor. Tahiri shprehet se ka qenë gjithmonë një denoncues i padrejtësive që bëhen në realitetin shqiptar, siç ishte edhe rasti i fundit ku në objektiv të denoncimit nga ana e deputetit socialist u vunë fëmijët e kryeministrit Berisha.


“Disa muaj më parë unë shpreha publikisht shqetësimin tim në lidhje me nivelin e korrupsionit në vendin tonë dhe pandëshkueshmërinë që gëzojnë ata që janë në pushtet; një e drejtë por mbi të gjitha një detyrim për mua në funksionin tim si një politikan i opozitës. Unë u shpreha se djali dhe vajza e kryeministrit Sali Berisha, respektivisht Shkëlzen Berisha dhe Argita Malltezi janë përfshirë në afera korruptive; një pohim që e mbështesja në informacione, evidencë dhe të dhëna të siguruara përmes burimeve të mia, por të mbështetura po ashtu nga akuzat e publikuara në media në lidhje me disa skandale korrupsioni. Unë u padita nga fëmijët e kryeministrit, të cilët më akuzuan për shpifje dhe kërkojnë një dëmshpërblim prej 8 milion lekësh, apo rreth 60 mijë eurosh, për dëmin që i është bërë imazhit të tyre publik”, shkruan Tahiri.


Më tej deputeti socialist tregohet kritik edhe ndaj sistemit të drejtësisë, i cili sipas tij ka qenë tërësisht i njëanshëm dhe i politizuar në rastin e çështjes në fjalë. Ai e ka ftuar ambasadorin e SHBA-ve që të jetë i pranishëm në seancën përmbyllëse të gjyqit ndaj tij, për t’u bërë, siç u shpreh Tahiri, ‘edhe Ju dëshmitar i njërit prej atyre që quhen gjyqe të lira dhe të ndershme në Shqipëri’.


“Si një opozitar dhe një politikan që beson dhe ka kontribuar në mënyrë aktive për pavarësinë e sistemit të drejtësisë, jam sidoqoftë i vetëdijshëm sesa janë fuqizuar vitet e fundit simptomat e sëmundjes nga e cila vuan sistemi i drejtësisë. Ka në fakt prova më se të mjaftueshme se segmente të caktuara të këtij sistemi udhëhiqen në aktivitetin e tyre jo dhe aq nga shqetësimi për respektin ndaj ligjit dhe kushtetutës sesa nga konsiderata të natyrës politike apo materiale”.

Javën e kaluar, pas 12 seancave gjyqësore, avokati mbrojtës i dy fëmijëve të kryeministrit Berisha, Sokol Barçi dha konkluzionet përfundimtare ndaj deputetit Tahiri.


Avokati i kërkoi gjykatës të detyrojë të paditurin prej tyre, deputetin Tahiri, t’i dëmshpërblejë dy fëmijët e kryeministrit Berisha për dëmin pasuror dhe jo pasuror me nga 4 milionë lekë secilin.

Ndërkohë që vendimi përfundimtar i Gjykatës pritet të jepet më 20 qershor.

18 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)