Tiranë


Në seancën e radhës ndaj kryebashkiakut të Vlorës dëshmon drejtoresha juridike dhe një anëtar i KRRT-së


gjika 1Gjyqi ndaj kryebashkiakut Vlorës ka vijuar dje me dy dëshmitarë, ku një prej tyre ka qenë drejtoresha juridike e bashkisë së qytetit bregdetar, e cila ka deklaruar se asnjë leje nuk ka kaluar pa miratimin e Këshillit Teknik. Në seancën e djeshme, vetë Gjika nuk ka qenë i pranishëm, teksa kanë dëshmuar dy vartësit e tij, juristja Anila Cukani dhe anëtari i KRRT-së, Ardian Musta. Anila Cukani, në dëshminë e saj, është shprehur se që prej vitit 2010 është anëtare e KRRT dhe juriste në Këshill. “Asnjë leje nuk ka kaluar pa miratimin e Këshillit Teknik dhe tashmë KRRT e Vlorës është shkrirë dhe nuk mblidhet më”, deklaroi ajo. Ndërsa Ardian Musta tha se ka qenë anëtar i KRRT që prej vitit 2003, ndërsa tregoi për mënyrën si funksiononte KRRT. Sipas tij, dosja e cila kërkonte ndërtimin në truallin e Gëzim Fetës ka qenë një nga më të lehtat e marra në shqyrtim dhe anëtari Musta ka votuar pro saj, pasi, sipas tij, ishte në përputhje me të gjitha ligjet në fuqi. Dëshmitari pranoi të ketë qenë i pranishëm në shqyrtimin e dosjes së Gëzim Fetës. Shpëtim Gjika akuzohet se ka firmosur dy leje ndërtimi për dy godina, njëra në lagjen “Pavarësia” dhe tjetra në bulevardin Vlorë-Skelë, pa i kaluar në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Bashkisë. Mes të akuzuarve të tjerë në këtë çështje është edhe Eleni Dardha, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit në Bashkinë Vlorë. Të akuzuarit e tjerë janë: Gentian Sherifaj, përfaqësues i firmës që ka kryer punimet e ndërtimit në një prej godinave; Blerdi Liçaj, përfaqësues ligjor i firmës, “DECO System”; Gëzim Feta, pronar i truallit ku është ndërtuar një nga dy godinat që janë nën hetimin e prokurorisë, Mustafa Tartari, Artan Ferati, Aleks Ahmataj, pronarë të truallit ku është ngritur ndërtesa tjetër (ende e papërfunduar). Hetimet për rastin në fjalë kanë nisur në muajin shkurt të këtij viti. Mësohet se seanca e radhës ndaj Gjikës do të zhvillohet më datë 2 qershor, ku pritet rrëfimi i katër dëshmitarëve të fundit.