Nis kontrolli i pasurive për togat e zeza në Gjykata e në Apel. Gjobiten 17 zyrtarë
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në nenin 25/1 të ligjit bazë njoftoi dje opinionin publik për fillimin e kontrollin e plotë, rikontrollin dhe hetimin administrativ për të gjithë gjyqtarët pranë gjykatave të Shkallës së Parë dhe atyre të Apelit. “Inspektorati i Lartë, me qëllim kryerjen e një hetimi të plotë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës, duke synuar mbledhjen e të dhënave të plota dhe të sakta, do të bashkëpunojë në mënyrë intensive me të gjitha institucionet publike e private, bankare financiare dhe jofinanciare, organet e auditimit dhe strukturat e tjera përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik. ILDKPKI u ka kërkuar strukturave të specializuara të vendit tonë, si Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP); Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) dhe degëve të tij në qarqe; Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit (DPPSH), përfshirë dhe drejtorive rajonale të qarqeve, në rast se disponojnë informacione që lidhen me objektin e punës së Inspektoratit të Lartë, për pasuri të fshehura ose të vëna në kundërshtim me ligjin, për subjektet e deklarimit, gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit, t’i depozitojnë pranë Inspektoratit të Lartë”, thuhet në njoftimin për shtyp. Ky institucion thekson se “në frymën e këtij bashkëpunimi, vlerësojmë si të domosdoshëm bashkërendimin e të gjitha strukturave shtetërore me qëllim evidentimin e rasteve të fshehjes së interesave private, të mosdeklarimit të pasurive, apo dhe të tjetërsimit të tyre. Nisur dhe nga rekomandimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë për një bashkëpunim konkret institucional; bashkërendim të veprimeve verifikuese; koordinim ndërmjet institucioneve ligjzbatuese, në funksion të luftës kundër korrupsionit, Inspektorati i Lartë zgjeron gamën e institucioneve bashkëpunuese, si dhe intensifikon bashkëpunimin ndërinstitucional”. Ndërkohë ILDKPKI bën të ditur se ka marrë vendimin për të gjobitur me 50 mijë lekë 17 punonjës të administratës së lartë shtetërore për mosplotësimin të deklaratave të interesave private. “Në lidhje me masën administrative të zbatuar ndaj secilit subjekt, Inspektorati i Lartë ka njoftuar zyrtarin, subjekt deklarimi, si dhe institucionin epror. Në zbatim të politikave korrekte institucionale, Inspektorati i Lartë u bën me dije subjekteve deklarues, që në rast të refuzimit të dorëzimit të deklaratës së interesave private, pas marrjes së masës administrative, subjekti konsumon elementë të veprës penale parashikuar në nenin 257/a, paragrafi i parë, i Kodit Penal. Në çdo rast, Inspektorati i Lartë do të vijojë me ndjekjen e çdo rasti për të cilin u aplikua masa administrative gjobë, deri në paraqitjen e kallëzimit penal pranë organit të akuzës”, thuhet në deklaratën e këtij institucioni.