Shkëlzen Selimi, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, ka dalë para Vettingut. Me emrin e tij janë lidhur dosje të mëdha, të cilat si një shërbim për politikën janë mbyllur, përmendim këtu Gërdecin.


Gjyqtari Selimi është futur në seancën dëgjimore pa avokat pasi do të mbrohet vetë.


I denoncuar shpesh edhe nga politika për vendime, si ai për Gërdecin dhe për 21 Janarin, gjyqtari Shkëlzen Selimi është denoncuar edhe nga Kryeministri Rama.


Në shtator 2017, Kryeministri tregon për një pikë karburanti në të cilën Shkëlzen Selimi është pronar në qytetin ku ai ishte gjyqtar dhe prej nga u katapultua çuditshëm direkt në shkallën e tretë të gjyqësorit.


Shkëlzen Selimi ka një rritje pasurie prej 96 për qind, pavarësisht se ka të ardhura vjetore 15 milionë lekë të vjetra në vit.


Depozitat e tij numërojnë një pasuri prej 370 milionë lekë. Ai konsiderohet në top listën e gjyqtarëve më të pasur dhe që deklaron se pjesën më të madhe të pasurive e ka nga qiratë, një pikë kjo ku po hetojnë imtësisht mes të tjerash edhe organet e vettingut.


27 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)