Policia e Durrësit ka goditur një grup kriminal që grabisnin karburante me maska dhe armë në Shijak.
Burime nga policia e qytetit bregdetar bëjnë me dije se janë arrestuar shtetasit Klajdi Pupa dhe Florian Thana si dhe është shpallur në kërkim shtetasi me inicialet B.K., 20 vjeç.
Specialistët për Krimet në sajë të veprimeve hetimore kanë bërë të mundur dokumentimin e veprimtarisë kriminale, të kryer nga shtetasit e mësipërm, të cilët në bashkëpunim me njëri- tjetrin, në periudha të ndryshme kohore kanë vjedhur nën kërcënimin e armëve pika karburanti në autostradën Tiranë-Durrës, tek “Mbikalimi i Fllakës”, duke marrë shuma të ndryshme parash, konkretisht:
1.Më datë 12.12.2016, rreth orës 02:50, shtetasit e mësipërm dyshohen se nën kërcënimin e armës I kanë marrë xhiron ditore rojeve të një karburanti , në afërsi të mbiklaimit të Fllakës, rreth 150 000 – 200 000 lekë.
2.Më datë 09.01.2017, dyshohet se nën kërcënimin e armës dhe me maska kanë vjedhur dy karburante në të dy krahët e autostradës dhe më pas janë larguar me nje mjet tip Golf.
Dy të arrestuarve u janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automjet tip Volswagen Golf 5 me të cilën autorët kryenin vjedhjet, një çantë krahu në të cilën mbanin armën dhe maskat dhe dy telefona celularë.
Gjatë deklarimit të dhënë para oficerëve të policisë, autorët kanë pranuar dhe shpjeguar mekanizmin e kryerjes së grabitjeve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale”Vjedhja me dhunë”e kryer në bashkëpunim.
10 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)