kisha-lacitDëshmia e vajzave: Na dolën para me kallash, kur u larguam na qëlluan e na plagosën


Sokol Çobo


Një adoleshent është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 6 vite burg, pasi akuzohet se ka tentuar të grabisë pelegrinët që shkonin në Kishën e Laçit. Danjel Shyti u akuzua për vjedhje me armë pas denoncimit të tre vajzave, të cilat dëshmuan se dy persona u kishin dalë me armë dhe pas refuzimit për të ndaluar, ata hapën zjarr, duke plagosur njërën prej tyre. Ndërkohë, bashkëpunëtori i Shytit, Markel Bushi, ka preferuar që të bëjë një gjyq normal, pa gjykim të shkurtuar dhe si rrjedhojë çështja vijon të gjykohet. Sipas vendimit, i dhënë nga gjyqtarja Regleta Panajoti, rezulton se vajzat po udhëtonin me një autoveturë dhe papritmas, dikush u ka bërë shenjë që të ndalojnë. Një nga personat, kishte një armë në duar, e cila fillimisht u mendua se ishte lodër. Në momentin që grabitësi bëri me shenjë që të ulte xhamin, pelegrinet panë që arma ishte e vërtetë dhe për inerci, i kanë dhënë gaz automjetit për t’iu larguar. Ngjarja ka ndodhur më 1 prill të vitit të kaluar, ndërsa gjykata ka dhënë vendim vetëm për Shytin.


Ngjarja


Nga shqyrtimi gjyqësor i akteve ka rezultuar se, më datë 01.04.2012, rreth orës 14:00, në aksin rrugor “Kisha e Shënandout” në qytetin e Laçit, sipër varrezave të qytetit, deklaruesja Megi Drapni ndërsa ka qenë duke zbritur rrugës përgjatë këtij aksi me mjetin tip “Benz”, me targë 255 CBN, përpara i kanë dalë dy të pandehurit të armatosur dhe pjesërisht të maskuar, të cilët i kanë bërë shenjë të ndalonte mjetin. Në këtë situatë, drejtuesja e mjetit, e frikësuar, fillimisht ka ulur shpejtësinë për ta shtuar atë më pas dhe ka arritur t’ju largohej personave të armatosur, por pikërisht në këtë kohë të pandehurit kanë qëlluar në drejtim të automjetit. Predhat e qitura nga armët kanë goditur automjetin në pjesën e pasme të tij në derën e bagazhit dhe në njërën prej gomave të tij. Si pasojë e goditjeve me armë zjarri ka mbetur e plagosur shtetasja Blerta Islamaj, pasagjere në automjet. Pas ngjarjes, Megi Drapni ka shkuar deri në qendrën e qytetit të Laçit, ku e ndihmuar nga kalimtarë të rastit, ka shkuar në spital. Si ka marrë ndihmën e parë mjekësore, e dëmtuara Blerta Islamaj është dërguar për ndihmë më të kualifikuar mjekësore në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Në vendngjarje, forcat e policisë kanë gjetur dhe më pas sekuestruar në cilësinë provës materiale 4 gëzhoja, model 56 kalibër 7.62 mm, si dhe pjesë të tjera të mbetura nga qitja si bërthamë dhe copë këmishe predhe, pjesë të automjetit të dëmtuar. Është realizuar këqyrja e automjetit ku konstatohen vendet e dëmtimit të automjetit kryesisht në pjesën e pasme. Sipas aktit të mjekoligjorëve ka rezultuar se në trupin e shtetases Blerta Islamaj konstatohet plagë me armë zjarri në anën e djathtë të gjoksit, plagë me armë zjarri në parakrahun e majtë, e shoqëruar me dëmtim të enës së gjakut dhe të nervit, plagë armë zjarri në kofshë dhe kërcirin e majtë me karakteristikat e përshkruara më sipër. Këto dëmtime janë shkaktuar nga predha armë zjarri, jo nga një qitje e vetme.


Dëshmitë


Janë marrë deklarimet e shtetases Megi Drapni, e cila ka deklaruar se ditën e ngjarjes është nisur me makinën e saj së bashku me shoqet e saj për në kishën e Shënandout në Laç. Gjatë udhëtimit kanë ndaluar disa herë si për të pyetur për rrugën deri te kisha, ashtu dhe për të blerë sende fetare të zonës dhe si kanë kryer ritet fetare, janë nisur për t’u kthyer. Pasi kanë kaluar një kthesë rrugës në kthim, në mes të saj, ka parë dy djem të cilët kishin ndaluar në këmbë dhe në momentin që ajo po afrohej drejt tyre, njëri prej tyre dhe konkretisht personi më i gjatë ka ngritur një armë automatike. Drejtuesja e mjetit ka qenë e detyruar të ndalonte makinën pothuajse tërësisht, por duke e mbajtur të ndezur. Personi që mbante armën në dorë i është afruar tek xhami i makinës rreth dy metra dhe ka lëvizur automatikun nga lart-poshtë si të thoshte “ul xhamin”. Fillimisht ajo e ka marrë si lojë fëmijësh, por si ka konstatuar se arma ishte e vërtetë, dhe personi me armë po i afrohej edhe më tej, ajo i ka dhënë gaz makinës dhe është larguar me shpejtësi. Ka dëgjuar shoqen e saj Blerta e cila ka bërtitur dhe i ka treguar se ishte e plagosur, e kishte kapur plumbi në krah dhe po i rridhte gjak. Si ka mbërritur në qytetin e Laçit, me ndihmën e një qytetari ka shoqëruar shoqen e saj të plagosur, e cila pas ndihmës së parë është dërguar në Tiranë për ndihmë më të kualifikuar mjekësore. Deklaruesja ka dhënë edhe një përshkrim fizik të personit që i ka dalë me armë në dorë dhe që ka qëlluar mbi makinë. Të njëjtat deklarime mbi faktin ka dhënë edhe Manjola Çollaku. Ajo ka qenë në makinën e Megi Drapnit dhe ka qenë e ulur në sediljen e pasme të makinës së bashku me të dëmtuarën Blerta Islamaj. Ajo ka dhënë përshkrim fizik dhe të veshjes së personit me armë që i ka dalë përpara makinës dhe ka qëlluar në drejtim të saj. Janë marrë deklarimet e shtetaseve Miranda Hima dhe Blerta Islamaj, të cilat kanë deklaruar të njëjtin version të ngjarjes.


Autorët


Gjatë hetimit janë marrë deklarimet e shtetasit P.Thana. Ditën e ngjarjes ka qenë në një internet kafe, në qytetin e Laçit, dhe aty kanë shkuar dy të pandehurit Markel Bushi dhe Danjel Shyti. Danjeli, si është afruar, i ka thënë se xhupin e tij të kuq dhe një kapele me ngjyrë të zezë e kishin lënë në shtëpinë e tij dhe si i ka pyetur se përse kishin vepruar në atë mënyrë, i pandehuri Markel Bushi i është përgjigjur se në rrugën e kishës kishin plagosur një femër. Ai ka deklaruar se këto veshje i ka gjetur të varura në telin e jashtëm të ballkonit të banesës së tij. Ata i kanë thënë se kishin një armë dhe se kishte qëlluar vetëm Danjeli, tri herë. Të pandehurit i kanë thënë se u kishin dalë përpara makinës që kishin qëlluar vetëm se iu ishin dukur njerëz me lekë dhe se në makinë kanë qenë disa femra.


Njohja e autorëve


Pas këtyre të dhënave, është bërë edhe njohja e autorëve. Drejtuesja e mjetit M. Drapni ka njohur si personin që i ka dalë përpara dhe e ka goditur me armë, të pandehurin Danjel Shyti. I pyetur, ai ka deklaruar se ditën e ngjarjes ka qenë në shoqërinë e të pandehurit Markel Bushi. Ata kanë parë një makinë “Benz” në të cilën ishin disa femra dhe shofer ishte një femër bionde. Ai i ka propozuar të pandehurit Markel Bushi të shkonin nga Kisha mos ju merrnin ndonjë lek këtyre vajzave që kishin shkuar te Kisha lart me makinë. Ai i ka treguar Markelit për një armë automatik kallashnikov që e mbante të fshehur tek shpella tek varrezat dhe që do ta merrte për të ndaluar makinën duke u zënë rrugën dhe duke iu bërë presion për t’u marrë paratë që kishin me vete. Kështu si kanë rënë dakord, të dy janë nisur për të marrë armën, janë munduar të maskohen me veshjen e tyre në një pjesë të fytyrës dhe kanë zënë një vend ku kanë pritur të kalonte makina. Sapo makina është afruar, ata iu kanë dalë përpara dhe i pandehuri Danjel Shyti ka nxjerrë nga poshtë xhupit armën e tij dhe ia ka drejtuar atë makinës. Ai iu ka thënë dy herë “ndal, ndal” dhe makina pothuajse ka ndalur. Danjeli është afruar te shoferi për t’i kërkuar paratë, por në këtë moment, shoferi i ka dhënë gaz dhe është larguar. Në këtë situatë ka qëlluar në drejtim të makinës, me qëllim që të shponte gomën e mjetit, ai të ndalonte dhe ata të mund të vidhnin paratë që këto shtetase kishin me vete, por pa rezultat. Më pas, ata kanë shkuar pranë spitalit të Laçit për të marrë informacion për të plagosurën, kanë parë makinën që kishin qëlluar dhe morën vesh se një femër ishte dërguar në Tiranë e plagosur. Është përpjekur që së bashku me të pandehurin Markel Bushi të fshihen sa në Lezhë dhe në Shkodër, por pa rezultat dhe janë kthyer në qytetin e Laçit, ku të nesërmen e ngjarjes është arrestuar nga forcat e Policisë në banesën e tij.


Njerëz me lekë


Të pandehurit i kanë thënë se iu kishin dalë përpara makinës që kishin qëlluar, vetëm se iu ishin dukur njerëz me lekë


Shkuan në spital


Pas plagosjes, shkuan pranë spitalit të Laçit për të marrë informacion për të plagosurën. Morën vesh se një femër ishte dërguar në Tiranë


Të dhëna


Paratë


Danjeli është afruar te shoferi për t’i kërkuar paratë, por në këtë moment shoferi i ka dhënë gaz dhe është larguar


Sulmi


Në këtë situatë ka qëlluar në drejtim të makinës me qëllim që të shponte gomën e mjetit, mjeti të ndalonte dhe ata të mund të vidhnin paratë