Arrestohet Gentian Muça, kishte dijeni për kredimarrjen


Durrës-  Një 45-vjeçar nga Durrësi është grabitur duke i marrë një sasi prej 4900 eurosh, të cilat i kishte tërhequr për nevojat familjare në formën e kredisë nga një prej bankave të nivelit të dytë. Pasja dijeni mbi kredinë e ka bërë pre të grabitjes nga disa persona, njëri prej të cilëve rezulton i njohur për të dëmtuarin. I pyetur në spital ku ndodhet me një mori plagësh në kokë e trup të marra nga përleshja me grabitësit, 45-vjeçari nga Shkozeti ka deklaruar se ditët e fundit është shoqëruar me Gentian Muçën. Kaq ka mjaftuar që policia ta nisë prej këtij informacioni punën për të zbardhur vjedhjen me dhunë dhe ka kapur autorët. Disa orë pas ngjarjes, një prej grabitësve është vendosur në prangat e policisë, ndërsa po punohet për të identifikuar edhe personat e tjerë të përfshirë në ngjarje. Pas grabitjes së ndodhur të premten vonë, shërbimet e Seksionit për Vjedhjet me Dhunë dhe Armë në Policinë e Qarkut Durrës arritën të identifikojnë dhe më pas arrestojnë në flagrancë një nga autorët e dyshuar të vjedhjes me dhunë të shtetasit K.L. 45 vjeç, banor i lagjes nr.14 të qytetit. Paraditen e së shtunës shërbimet realizuan arrestimin në flagrancë të shtetasit Gentian Muça, 35 vjeç, banues në Rrashbull. Nga hetimet e kryera mbi grabitjen e ndodhur në Shkozet rezultoi se i arrestuari, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, rreth orës 18.00 të ditës së premte, i kanë vjedhur me dhunë në afërsi të banesës së tij 45-vjeçarit xhupin në të cilin kishte shumën prej 4900 euro, të marrë kredi në një nga degët e bankave në Durrës. Autori i dyshuar i ngjarjes rezulton, nga hetimet, të ketë pasur lidhje shoqërore me të dëmtuarin. I arrestuari ishte në dijeni të kredisë që kishte marrë 45-vjeçari, madje dhe ishte shoqëruar me kredimarrësin përgjatë tërheqjes së shumës së kredisë në datën 13 dhjetor dhe ditën në vazhdim. Muça e ka organizuar grabitjen bazuar në informacionet që kishte dhe në lidhje me lëvizjet që do të bënte zotëruesi i parave, të cilit i është zënë pritë nga persona të tjerë, të cilët e kanë rrahur keqazi dhe i kanë marrë xhupin në të cilin mbante paratë. Ndërkohë, i dëmtuari K.L. që ka marrë dëmtime të shumta në kokë e trup, si pasojë e dhunës së pësuar, ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Durrësit, ndërsa policia vijon veprimet procedurale në drejtim të identifikimit të personave të tjerë të përfshirë në ngjarje dhe kapjes së tyre. V.Qyrfyçi