Policia ka mundur të vërë në pranga 4 nga 6 autorët e dyshuar të grabitjes së ndodhur disa ditë më parë në afërsi të Qafës së Kasharit.
Ndërkohë policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 2 persona të tjerë që rezultojnë të jenë edhe kapot e grupit kriminal për të cilin ka dyshime të forta se është i lidhur edhe me disa grabitje të tjera të ngjashme në kryeqytet. Burime nga policia e Tiranës bëjnë me dije se gjatë operacionit të ndërmarrë ditën sotme janë gjetur edhe një pjesë e parave të grabitura 5 ditë më parë.

Kreu i policisë së Tiranës, Ervin Hodaj në një konferencë për mediat mbrëmjen e sotme bëri me dije se në kuadër të operacionit të koduar ‘Patriot’, të ndërmarrë pasditen e sotme në zonat e Prezës dhe Vorës u bë i mundur arrestimi i autorëve të dy grabitjeve të ndodhura brenda një viti në rrugën Tiranë-Rinas.

Sipas Hodajt, u provua implikimi i 6 autorëve në 2 grabitjet e parave te bankave të ndodhura brenda një viti.
Personat e arrestuar janë: Neim Avdulaj, ish-ushtar në forcat e Zall Herrit, Ditjon Memlika, ish-efektiv në forcat ushtarake, Ernest Kupa, me banim në Krujë, me biznes privat dhe Fation Xhyliu, ish-polic privat në një kompani sigurie.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit M.A dhe Ç.A
Ndërkohë, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri zhvilloi pasditen e sotme një takim me krerët e policisë së shtetit dhe asaj të Tiranës, Haki Çako dhe Ervin Hodaj.
Takimi që u zhvillua në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës kishte për objekt rezultatet e operacionit të ndërmarrë sot në Qafën e Kasharit, i shtrirë në Pezë dhe Vorë me synim rënien në gjurmët e grabitësve së 3,2 mln eurove pak ditë më parë…
14 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)