Grabitja e 4.6 milionë eurove në aeroportin e Rinasit për më pak se dy minuta ka bërë që tre prokurorët e çështjes të hetojnë me seriozitet mekanizmin, si dhe të identifikojnë të gjitha rolet e personave të përfshirë në këtë krim.
Nga provat e gjetura në furgonin e pa djegur si bidona me benzinë, armë automatik, telefon celular, pishtar për vënie flake, rroba të autorëve të dyshuar, karton dhe gjurmë gishtërinjsh, do të nisë analiza e ADN, për të siguruar më shumë të dhëna, me qëllim identifikimin e personave dhe konkretisht rolet e tyre.
Me këtë pjesë të hetimit prokurorët Besnik Muçi, Arenc Çela dhe Klodian Braho kërkojnë të identifikojnë rolet e personave të ndaluar si të dyshuar në grabitjen e 9 prill 2019.
Por grabitja nuk ka qenë e paplanifikuar. Ajo dyshohet se është menduar për të paktën tre muaj përpara se të organizohej dhe vihej në zbatim si plan. Policia dhe prokuroria dyshojnë se autorët kanë qenë "specialistë". Madje, kanë arritur edhe në përfundimin se ata shikonin filmat "aksion", me subjekt grabitje bankash e të tjera për të qenë të suksesshëm në krimin e tyre.
Për këtë grabitje janë arrestuar Ragip Hajdini, Elton Pikli, Alkond Bengasi, Renaldo Sulajt, Oltjan Veselit, ndërsa Klement, Saimri Cala dhe Talo Çela janë shpallur në kërkim. Një tjetër i arrestuar si bashkëpunëtor i grupit të grabitjes është Hasan Kanaçi shefi i veprimeve "cargo" në pistën e Rinasit që kujdesen për ngarkim shkakrimin e mallrave në avion.
Grupi u zbulua pas deklarimeve të bashkëpunëtorit të drejtësisë Alkond Bengasi ndërsa sipas hetuesve disa nga të arrestuarit kanë paraqitur alibi me pamje filmike nga qëndra tregtare apo bar kafe duke mohuar praninë e tyre në pistë. Ndërsa në tentativë për t'i shpëtuar arrestimit të policisë nga shkëmbimi i zjarrit me uniformat blu mbeti i vrarë Admir Murataj i cili për dy grabitjet e mëparshme rezultonte në kërkim nga policia.
Për humbjen e jetës së Murataj familja e tij ka bërë kallëzim penal ndaj forcave të FNSH-së ndërsa hetimet po i kryen prokuroria e krimeve. Deri më tani policia dhe Prokuroria kanë mundur të sekuestrojnë mbi 2 milion euro asete të familjarëve dhe të afërmëve të përfshirë në këtë grup kriminal të grabitjeve të blindave dhe parave në rinas, ndëërsa nga eurot e marra në pistë asnjë cent nuk është rikuperuar.
Gjykata e krimeve të rënda dhe ajo e apelit për krimet e rënda ka refuzuar kërkesat për lirimin e të dyshuarve ndërsa pritet që ata t'i drejtohen Gjykatës së Lartë me rekurs për zëvëndësim masë sigurie.