Anija norvegjeze “Nordic Explorer” largohet nga Patra në brigjet e Kefalonisë


Anija eksploruese per naftenDeklaratat e forta të Tiranës zyrtare, sipas të cilëve shteti helen nuk mund të urdhërojë kërkimet për burime natyrore në territorin detar të Jonit mes Shqipërisë, në një moment kur mes palëve nuk ka një marrëveshje, duket se kanë sjellë edhe tërheqjen e shtetit fqinj. Këtë zhvillim të ri e bënë të ditur dje burime të “Top Channel”, të cilët theksuan se kërkimet prej kompanisë norvegjeze kanë nisur nga ishujt e Kefalonisë dhe jo në veri të detit Jon, siç ishte programuar më parë. Burime nga ministria greke e Zhvillimit dhe Infrastrukturës, kanë bërë të ditur se anija “Nordic Explorer”, e cila ka marrë misionin për të bërë kërkimet në detin grek për naftë dhe burime të tjera natyrore, nuk ka mandat për të kontrolluar në hapësirën detare mes dy vendeve. Nisur nga ky pohim i ministrisë greke të Zhvillimit, “Top Channel” bën të ditur se pohimi ishte i vërtetë, pasi nga vëzhgimet që kishte kryer përmes sistemit global GPS, anija norvegjeze ishte larg zonës ku pretendohej në fillim se do të bëheshin kërkime. Por pala greke duket se po justifikohet me faktin se këto kërkime janë zhvendosur drejt ishujve të Kefalonisë, për shkak të nevojës që ka kompania norvegjeze të testojë aparaturat e saj të teknologjisë së lartë në një zonë që është pothuajse e sigurt se ndodhen rezerva hidrokarburesh, siç konsiderohet kuadrati i Jonit jugor Katakolos dhe gjiri i Patrës. Vendimi për ndryshimin e vendit ku do të bëhen kërkimet, duket se ka ardhur për arsye politike, por edhe teknike. Ndryshimi i është njoftuar kompanisë norvegjeze të dielën, vetëm pak orë pas përfundimit të ceremonisë së pritjes që i ishte bërë anijes “Nordic Explorer” në Portin e Patras, prej zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie. Ndërkaq, pala greke duket se po kërkon të gjejë një formulë bashkëpunimi me palën shqiptare për të bërë të mundur zgjidhjen e ngërçit juridik dhe politik mes dy vendeve, si pasojë e mosndarjes ende të kufirit detar. Pala greke ka kontraktuar kompaninë norvegjeze të kërkimeve në det vetëm për tre muaj, duke pretenduar se kjo është një kohë e mjaftueshme për të evidentuar të gjitha burimet natyrore në detet e Greqisë.



Një zgjidhje e tillë duket shumë e vështirë të bëhet, pasi dy vendet po zhvillojnë bisedime vetëm në nivel shumë të lartë politik, pa u dhëne më parë hapësirën e duhur ekspertëve të fushës. Sipas “Top Channel”, kjo shton dyshimet se edhe marrëveshja e re do të kontestohet nga grupime politike dhe do t’u japë krah ekstremistëve në të dyja anët e kufirit që të akuzojnë qeveritë e vendeve të tyre për tradhti dhe shitje të interesave kombëtare. Kërkimet për naftë në detet greke pritet të konfirmojnë praninë e më tepër se 1 miliard fuçi nafte, sasi që do t’i lejojë Greqisë të sigurojë përfitime prej miliarda eurosh gjatë 20 viteve të ardhshme. Ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos, deklaroi në mënyrë të qartë në Parlamentin helen, pak ditë më parë, se do të bëheshin të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje me Shqipërinë, në kuadër të ndarjes së kufirit ujor, pasi Greqia e kishte të nevojshme të kishte informacion mbi burimet e saj natyrore dhe t’i shfrytëzonte ato.


Panariti – Ministri i Jashtëm shqiptar, Panariti, deklaroi dy ditë më parë, se pala greke nuk mund të nisë kërkimet në ujërat mes dy vendeve, pa pasur një marrëveshje për ndarjen e tyre


Avramopulos – Kryediplomati grek, Dimitris Avramopulos, shprehu shqetësimin për rritjen e shovinizmit në kufirin verior të Shqipërisë dhe parandalimin që duhej t’i bëhej. Disa nga partitë politike në vend kanë qenë shumë aktive ndaj tendencave të palës greke për të marrë vendime të njëanshme ndaj çështjes së kufirit ujor


 


Deklarata


“I kemi dërguar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”


AK: I kërkuam kompanisë të mos i bindet Athinës


Aleanca Kuqezi deklaroi dje se ka marrë kontakte me kompaninë norvegjeze, e cila pritet të bëjë kërkimeve në detin Jon për naftë, duke i kërkuar që të mos i bindet shtetit grek për kërkime në zonën detare përmes dy vendeve, pasi ende aty nuk është ndarë kufiri. Përfaqësuesi i Aleancës theksoi dje, se kësaj kompanie i ishte dërguar vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i cili argumenton se pse marrëveshja mes dy vendeve nuk qëndron më. “Aleanca Kuqezi është sot këtu për të deklaruar se ka nisur vendosjen e kontakteve me kompaninë norvegjeze ‘Petrolium Geo Services’ me qendër në Oslo, kompani kjo e cila është kontraktuar nga qeveria e Athinës për të kërkuar naftë në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë. Aleanca Kuqezi ka marrë vendimin që të kontaktojë me kompaninë në fjalë pas vendimit të qeverisë greke për të mos respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese datë 15.04.2010, e cila e shpall të pavlefshme marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë”, theksoi sekretari organizativ i AK-së në një deklaratë për shtyp. Po kështu, AK gjeti rastin t’i drejtohet Kryeministrit Berisha, duke i bërë thirrje të mos i nënshtrohet urdhrave të Athinës. “Shtetasi Sali Berisha duhet ta ketë të qartë që Shqipëria nuk është han me porta të hapura, ku politikat antishqiptare të miqve të tij në Athinë të implementohen pa problem dhe në kundërshtim me vendimet e institucioneve kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Nëse Sali Berisha ka vendosur që në këtë 100-vjetor të shesë dhe rishesë integritetin territorial dhe dinjitetin e shqiptarëve, ne i themi se nuk do t’ia dalë”, deklaroi përfaqësuesi i AK-së.