Një tjetër ish-i burgosur politikë ka tentuar të vetëflijohet mesditën e sotme. Pas Gjergj Ndrecës, një tjetër grevistë i urisë ka tentuar të vetëdigjet. Lirak Bejko, 47 vjeç, i ngujuar prej 19 ditësh në grevën e urisë, ka marr një shishe benzine dhe pa thënë asnjë fjalë, i ka vënë flakën vetes.
Ngjarja shokuese ka ndodhur rreth orës 12:45, teksa babai i dy vajzave, një nga miqtë e ngushtë të Gjergj Ndrecës, qëndronte i vetëm jashtë tendave të ngritura në zonën e Komunës së Parisit. Shokët e tij kanë tentuar ti japin ndihmën e shpejtë. Ai është transportuar me urgjencë me autoambulancë drejt QSUT-së, në repartin e djegie-plastikës. Bashkë me Bejkon është transportuar edhe ish-i burgosuri tjetër, Agim Kollçaku, i cili ka tentuar të shuante flakët.
Lirak Bejko është nga Skrapari, baba i dy vajzave, njëra prej të cilave e sëmurë. Ai ka hyrë në grevë urie, bashkë me 18 ish-të burgosur politikë, për të kërkuar nga qeveria dhënien e dëmshpërblimeve që u takon për vitet e burgut.
13:00 -Tavo shkon në QSUT, çadra e grevistëve “rrethohet” nga policët
Menjëherë pas marrjes së lajmit për tentativën e vetëflijimit të grevistit Lirak Bejko, ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo është drejtuar për në QSUT, ku është njohur nga afër me gjendjen e 47-vjeçarit. Pas daljes nga ambientet spitalore, ministri Tavo ka deklaruar për mediat se pacienti është në gjendje të rëndë, por po bëhen përpjekje maksimale nga i gjithë stafi mjekësor. ” Pacienti shfaq djegie në 40-50% të trupit. Ka djegie në fytyrë, gjymtyrë dhe pak në gjoks. Po bëhen përpjekje maksimale për ti dhënë trajtimin e duhur”, ka thënë ministri Tavo, i cili ka njoftuar gjithashtu se Gjergj Ndreca është plotësisht jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë i pyetur për një reagim të tij si pjesë e kabinetit qeveritar për grevën e ish-të burgosurve politikë, Tavo ka deklaruar vetëm se: “Unë kam ardhur si ministër Shëndetësie të njihem me gjendjen e të sëmurëve”. Ndërkohë, raportohet se rreth tendave të ngritura nga grevistët e urisë, është vënë re një shtim forcave policore. Uniformat blu kanë sekuestruar të gjitha mjetet që mund të përdoren për zjarrëvënie nga grevistët e urisë.
14:14: -Mjeku Nezha: Gjendja e Bejkos, kritike
Mjekët e pavionit të djegie-plastikës në QSUT kanë pohuar se gjendja e 47-vjeçarit Lirak Bejko është në gjendje kritike, pasi shfaq djegie të shkallës së tretë në masën, 50%. “Lirak Beko erdhi në gjendje të rëndë, ka djegie të shkallës së tretë në rreth 50% të trupit. Gjendja e tij është shumkritike. Nëse nuk reagon si duhet, do të shihet mundësia e transportimit të tij jashtë vendit për trajtim të specializuar”, ka thënë mjeku reaminator, Ilir Nezha. Mjekët bëjnë të ditur se djegie të lehta ka marrë dhe ish-i burgosuri tjetër, Agim Kollçaku, që ndihmoi të shuante flakët e Bejkos.
15:00- Bashkëshortja: Indiferenca e shtetit, po na sjell tragjedi
Edlira Beko, bashkëshortja e ish-të burgosurit Lirak Beko, teksa pret gjithë ankth jashtë dyerve të spitalit, ka akuzuar se “indiferenca e shtetit po sjell tragjedi në jetët e tyre”. Ajo ka rrëfyer se nuk ishte në shtëpi kur ka marr vesh lajmin. “Kisha dal se kam vajzën me temperaturë”, ka thënë ajo, duke shtuar se gjesti ekstrem i të shoqit ishte e paralajmëruar. “Ishte e paralajmëruar, arsyet dihen. Përveçse ekonomike, është shkelje e dinjitetit të tij dhe gjithë atyre që janë në atë grevë. Indiferenca shumë e madhe e këtij shtetit tonë demokratik. Ata e paralajmëruan në gazeta, në televizione, e thanë me gojën plot që do të vetëdigjen nëse shteti nuk u plotëson kërkesat”, ka thënë ajo.
Një ditë më parë, pas deklaratave të dhëna nga Ministria e Financave, grevistët e urisë deklaruan se nëse nuk merrnin përgjigje serioze nga qeveria, do të vetëflijoheshin të gjithë.
16:15 – Berisha: Greva e ish-të përndjekurve, tërësisht politike. Do të shtohet siguria për të shmangur incidente të tjera
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ambasadorin e BE në vendin tonë, Ettore Sequi pasi ky i fundit i dorëzoi progres-raportin e KE, kryeministri Berisha është pyetur edhe në lidhje me grevën e urisë së ish-të përndjekurve politikë që ka hyrë në ditën e 19 të saj. Berisha u shpreh se bëhet fjalë për një grevë mirëfilli politike, e mbajtur posaçërisht në këtë moment të rëndësishëm politik të vendit tonë, por sipas tij në një vend të lirë dhe demokratik grevat janë tërësisht të lira.
Kryeministri u pyet në lidhje me aktin sublim të vetëdjegies së dy grevistëve të urisë, fillimisht Gjergj Nderca dhe më pas Lirak Bejko. Sipas tij, në rastin e parë, personi që i vuri flakën Ndrecës do të përgjigjet para ligjit për aktin e tij kriminal, ndërsa në rastin e grevistit të dytë, Berisha ka bërë përgjegjës mungesën e sigurisë në greve, e cila sipas tij pas këtij incidenti do të përmirësohet, ndërsa theksoi se ka kërkuar nga ministri i shëndetësisë që të marrë të gjitha masat për përmirësimin sa më shpejt të shëndetit të grevistit Lirak Bejko.
Më tej kryeministri deklaroi se gjatë dy mandateve të qeverisë së tij, janë disbursuar 100 mln dollarë për këtë shtresë në para cash dhe në astete pronash. Ai iu referua me këtë rast Gjergj Ndrecës, i cili sipas Berishës ka marrë një fabrikë mielli në Laç dhe kredi të butë, të cilën nuk e ka shlyer.
20:20: Delegacioni i Bashkimit Europian shpreh shqetësimin për incidentet në grevën e urisë
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka shprehur ditë e sotme keqardhjen dhe shqetësimin për incidentet serioze që ndodhën më 8 dhe 10 tetor 2012, gjatë grevës së urisë nga një grup ish-të persekutuarish dhe ish-të burgosurish politikë.
Përmes një deklarate për shtyp, delegacioni i BE-së u bën thirrje palëve të mos e shfrytëzojnë këtë situatë të dhimbshme për qëllime politike.
“Delegacioni i BE-së mban shënim ekzistencën e planit të kompensimit sipas ligjit të vitit 2007 dhe bën thirrje për dialog për të trajtuar rastet individuale të cilat ky plan nuk i zgjidh”, thuhet në këtë deklaratë.
10 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)