Greva e urisë së ish-të përndjekurve politikë është shndërruar në temë debatesh të ashpra mes pozitës dhe opozitës në sallën e Parlamentit. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se greva e urisë së ish të-përndjekurve është tërësisht politike dhe se ata janë një grusht njerëzish që kanë qenë historikisht kundërshtarë të palëkundur të Partisë Demokratike. Kryeministri i ka akuzuar grevistët e urisë si mashtrues, sepse sipas tij ata kanë përfituar dëmshpërblimin e merituar në para dhe në aksione.
“Grupi që bën grevën politike ka marrë lekë privatizimi dhe lekë në dorë rreth 256 mijë dollarë dhe nuk llogaritur këtu 4 apartamente se po të shtojmë dhe ato apartamente që morën, ajo shkon afërsisht 400 mijë dollarë, plus çfarë kanë përfituar ata me letrat me vlerë në sipërmarrjet dhe i meritojnë plotësisht. Por atij të cilit iu vu flaka për kauzën tuaj, kush është ai që i vuri flakën, ai zotëria, (Gjergj Ndreca) me paratë, që mori privatizoi fabrikën e miellit në qytetin e Laçit, dhe kjo nuk i mjaftoi, dhe nuk mjaftoi kjo iu dha kredi e butë për të blerë fermën e mbarështimit të derrit. Nuk mjaftoi kjo, u prish me ortakun, doli mori kredi ndërtoi fabrikë të re mielli. Falimentoi se nuk e menaxhoi, ia konfiskoi banka. Kjo është historia e zotërisë që i vunë zjarrin në shtëpinë e vet”.
Cili është zjarrvënësi? Ai ka 2 emra, Pal Shqevi, ai është Shqevi, nuk është Pal, është Perikli. Pse i ka ndryshuar emrin shpirti e tij ia di. Por, se ja vuri zjarrin këtë do e saktësojmë drejtësia. Dhe ai e mori shumën e kërkuar dhe është aksionier në shumën e 400 mijë dollarëve, të sipërpërmendur. Në kohën kur vazhduan një javë rresht, duke mashtruar se nuk kane marrë një qindarkë nga kjo qeveri. Dhe ai që ka marrë 3 dhoma e kuzhinë se ka bërë be e rrufe se nuk ka marrë asgjë nga qeveria, i kontrolluar nga ju. Cila është dita që ka shpërblyer ditën e burgut. E kemi shpërblyer me 18.6 dollarë. Cila ishte rroga e një kooperativisti në muaj, në kohën e Enver Hoxhës, 30 cent apo 40 cent, 10 herë më e vogël”, tha me tej Berisha.
Vrullit të akuzave të Berishës nuk i ka shpëtuar as opozita që sipas tij furnizon me shishe benzinë në ambientet e grevës. “Ju që me deputetët tuaj dërgoni shishe benzine në çadrat e tyre, ju merrni pjesë në ekzekutimin e tyre. Shishe mos merrni më. Mos i nisni prapë, ju urdhëroj. Doni të shkoni, çoni,çoni shishe benzine, por ju po i ekzekutoni”, u shpreh Berisha. Ai u ka bërë thirrje familjarëve të grevistëve që të tërheqin njerëzit e tyre nga greva, duke lënë të kuptojë se Qeveria nuk ka ndërmend të plotësojë asnjë prej kërkesave të parashtruara nga këta grevistë.
10:00-Debate mes Majkos dhe Topallit
Në fillim të seancës plenare, deputeti socialist Pandeli Majko ka kërkuar nga qeveria të negocionte me grevistët, por kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u shpreh se si ish-kryeministër, Majko duhet tu kërkonte të falur atyre, pasi nuk u bë asgjë për atë shtresë.
“Qeveria e kryeministrit u çon ministrin e Shëndetësisë për tu thënë se do shëroheni, po nuk i çon as të ministrisë së Drejtësisë dhe ministrisë së Financave dhe ç’është me e keqja i nxjerr në konferencë shtypi për tu thënë që dhe kaq sa i keni marr shumë e keni”, tha Majko.
Pas ndërprerjes së fjalës për shkak të përfundimit të kohës së replikës mes Majkos dhe Topallit nisi një debat i ashpër. “Lokja e parlamentit mbyll gojën”, tha Majko.
“Ty të të vijë trup, po kjo është edukata jote. Nëse ty zotëri qenia ime nga Shkodra të duket dhe e përcakton ashtu siç pret ta them ty dhe gjithë të tjerëve. Unë jam nga Shkodra, jam nga veriu dhe jam krenare që jam nga Shkodra, dhe jam krenare që jam shqiptare dhe jam nga Shkodra. Nuk ka të sosur urrejtja juaj zoti ish-kryeministër për ata të cilët ti ke dalë sot për të bërë hipokrizinë e ditës dhe të radhës. Kërko të falur. Nuk i thua shqiptarëve që është një ditë e bukur”, u përgjigj Topalli.
Në replikë të saj, deputet socialist tha: “Falja nuk është vetëm më fal, i majtë dhe i djathtë e di se në ç?kushte kam qeverisur unë kur kam qenë kryeministër. Nuk ka qenë vendi aq i qetë dhe nuk ka pasur luftë në kufijtë e tij ndryshe nga faqja që ekziston sot. Këtë besoj mendjet e ftohta e dinë. Ajo që unë dola sot këtu të them është e thjeshtë. Uluni negocioni, ata po ju presin. Është thjesht një kërkesë për negociatë, nuk është grevë politike dhe nuk është grevë e PS, është grevë e një shtrese që ju ka mbajtur mbi supe, po sot Shqipëria nuk qeveriset nga të përndjekurit po Titot dhe bashkëpunëtorët e sigurimit të shteti, ky është fakt”.
11 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)