Pas kurimit në një klinikë të specializuar në Janinë, Gjergj Ndreca ish-i përndjekuri politik që i vuri flakën vetes në shenjë proteste në grevën e urisë që vijon prej 26 ditësh, është rikthyer në ambientet ku ish-të përndjekurit janë ngujuar për të kërkuar dëmshpërblimin e tyre.
Ndreca u shpreh se u rikthye për t’ju bashkuar shokëve të tij të kauzës së përbashkët dhe theksoi se ata nuk e njohin vendimin e gjykatës dhe qeverisë dhe se njohin vetëm gjykatat ndërkombëtare. Ndreca theksoi se do të vijojë të qëndrojë në grevë, nga e cila u shpreh se nuk del i gjallë, pa iu plotësuar kërkesat e tij tërësisht të ligjshme
Ish-të përndjekurit: Nuk dalim nga greva, do hedhim shortin e vdekjes
Në një kohë që gjykata ka dhënë një vendim sipas të cilit grevistët duhet ta ndërpresin nismën e tyre 26 ditore brenda orës 00:00, 7 ish-të përndjekurit e mbetur brenda çadrave në zonën e Komunës së Parisit shprehen më të vendosur se kurrë për ta vazhduar atë.
Njëri nga grevistët e urisë, Afrim Biturku ka bërë thirrje që të gjendet një mënyrë nga qeveria që ta arrihet një marrëveshje me ish-të përndjekurit. Në të kundërt, ata që kanë mbetur ende në grevë urie do të ndjekin shembullin e dy shokëve të tyre, Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko, duke u vetëflijuar.
Biturku u shpreh se 7 ish-të përndjekurit që kanë mbetur ende në grevë do të hedhin shortin e vdekjes dhe do të flijohen njëri pas tjetrit nëse qeveria nuk negocion me ta për t’u dhënë dëmshpërblimin që u takon me ligj.
Vendimi i dhënë ditën e sotme nga ana e gjykatës, për ndërprerjen e grevës së urisë të ish-të përndjekurve erdhi pas një padie të policisë së Tiranës, e cila e cilëson këtë nismë të ish të përndjekurve si të paligjshme.
Grevistë kanë reaguar menjëherë pas këtij vendimi, duke pohuar se nuk do ta ndërprisnin grevën e tyre dhe se do të ngrenë një çadrën tjetër diku gjetkë, ku do të ngujohen sërish.
19: 30 – Tufa: Nëse na nxjerrin me dhunë, çadrat do t’i ngremë pranë ambasadës amerikane
Në një deklaratë për mediat mbrëmjen e sotme, koordinatori i grevës së urisë së ish të përndjekurve, Skënder Tufa pohoi se nëse policia, sipas urdhrit të paligjshëm sipas tij, të nxjerrë nga gjykata do të veprojë me dhunë për të nxjerrë grevistët nga çadrat e tyre te Komuna e Parisit, greva do të zhvendoset pranë ambasadës amerikane. Sipas Tufës, ky vendim vjen duke u nisur nga situata e një indiference të madhe nga institucionet shtetërore, shoqëria civile dhe avokati i popullit, dhe sepse drejtësinë e munguar dhe mbrojtjen tashmë e presin vetëm nga ndërkombëtarët.
Ai theksoi më tej se kanë marrë kërcënime nga civilë dhe ndaj u tremben edhe pasojave për familjarët e tyre, ndërsa u shpreh edhe një herë i bindur për t’i shkuar deri ne fund grevës. Sipas Tufës, në ambiente e reja të grevës do të jenë të njëjtët grevistë që kanë qenë deri më tani, por do të shtohen edhe të tjerë. Ai theksoi se edhe Gjergj Ndreca, i cili ka dalë tashmë nga spitali i Janinës, do t’i bashkohet grevës së urisë sapo të përmirësohet shëndeti i tij.
Greva e urisë në ditën e 26, Gjykata e Tiranës e shpall të paligjshme. Fatmir Lamaj dërgohet me urgjencë në spital
Greva e urisë së ish-të përndjekurve politikë ka hyrë në ditën e 26-të dhe gjendja shëndetësore e tyre është mjaft e rënduar. Disa prej tyre shfaqin probleme serioze me zemrën dhe aparatin respirator, por refuzojnë të largohen nga çadrat e grevës.
Mëngjesin e sotëm Gjykata e Tiranës e ka shpallur grevën e urisë së ish-të përndjekurve politikë si të paligjshme dhe ka urdhëruar shpërndarjen e grevistëve. Vendimi është marrë pas kërkesë padisë së depozituar nga policia e Tiranës, sipas së cilës greva është e paligjshme dhe në të janë kryer vepra të ndryshme penale. Pas marrjes së njoftimit, grevistët kanë protestuar dhe janë shprehur të vendosur që nuk do të largohen nga greva, pavarësisht dhunës që mund të përdoret nga policia. Ata kanë paralajmëruar se do të vetëflijohen nëse nuk merren parasysh dhe nuk zgjidhen kërkesat e tyre ekonomike. “Nëse nuk do të na lejojnë të digjemi këtu, do ta bëjmë përpara parlamentit”, deklaroi grevisti Agim Kollçaku.
10:59-Fatmir Lamaj transportohet me urgjencë për në spital
Grevisti Fatmir Lamaj është transportuar me urgjencë për në QSUT. Ai ka shfaqur probleme në zemër, çka ka detyruar mjekët ta transportojnë me urgjencë për ti dhënë ndihmën e duhur mjekësore. Gjendja e grevistit është rënduar pas marrjes së lajmit se Gjykata e Tiranës e ka shpallur të paligjshme grevën e urisë dhe ka kërkuar shpërndarjen e grevistëve.
11:05- Koordinatorët e grevës: Kryeministri ka zaptuar gjykatat, po instalohet një diktaturë e re
Asllan Patrioti, koordinatori i grevës së ish-të burgosurve politik ka deklaruar se greva do të instalohet në një ambjent tjetër në rast se policia ndërhyn për shpërndarjen e grevistëve. Vendi do të mbahet sekret derisa të bëhet vendosja e grevistëve. Ai ka akuzuar kryeministrin Berisha se ka zaptuar gjykatat dhe prokuroritë. “Këta njerëz që janë këtu janë ata që të kanë dhënë votën 22 vjet. I bëj thirrje kryeministrit të ulë gjakrat ndryshe do kesh kufoma. Këta njerëz do të dalin si kufoma nga këtu. Nëse ti do tentosh ti nxjerrësh me forcë do të kesh probleme. Ne do të zhvendosemi kur të bëjmë gati vendin tjetër dhe nuk do ta tregojmë derisa sa të bëhet gati. I bëjmë thirrje ish të përndjekurve të vijnë këtu. Kjo nuk është grevë politike, është grevë ekonomike”, ka thënë Patrioti. Ndërkohë Skëndër Tufa ka deklaruar se në Shqipëri ekziston një diktaturë e re, që po shkel në mënyrë flagrante të drejtat dhe liritë e njeriut.
Greva
Ish-të përndjekurit politikë kanë hyrë në një grevë urie që prej mbrëmjes së 22 shtatorit. Ata kërkojnë marrjen e dëmshpërblimit për vitet e burgut, por qeveria e ka quajtur grevën e tyre politike. Kryeministri Berisha i quajti grevistët mashtrues, pasi sipas tij ata janë dëmshpërblyer dhe kanë marrë të gjitha paratë. Reagimi i qeverisë bëri që grevistët të përshkallëzojnë protestën e tyre. Më 8 tetor, Gjergj Ndreca, i vuri flakën vetes. Vetëm pak ditë pas tij, Lirak Bejko, ndoqi të njëjtin shembull si miku i tij Ndreca. Pas rastit të dytë, policia rrethoi zonën dhe sekuestroi të gjitha mjetet që mund të përdoreshin nga grevistët për t’u vetësakrifikuar. Megjithë masat e marra nga policia, mbrëmjen e 11 tetorit, një tjetër ish-i persekutuar politik ka tentuar të vetëdigjet me benzinë pranë çadrës ku është improvizuar greva e urisë së ish-të persekutuarve politikë, në zonën e “Komunës së Parisit”. Gani Aliaj u neutralizua në kohë nga policia.
17 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)