Partia Demokratike ka akuzuar sërish kreun e socialistëve Edi Rama se po menaxhon grevën e urisë së ish-të përndjekurve. PD-së ka përsëritur akuzat ndaj koordinatorit të grevës, Skënder Tufa, të cilin e ka etiketuar si trafikant.
“Në kuadrin e Rilindjes së bllokut z. Edi Rama nën moton: ‘Fundërrina të të gjithë Shqipërisë bashkohuni për të përmbysur Sali Berishen’, shpalli këto ditë publikisht Aleancën e tij të fundit me trafikantin Skënder Tufa, arrestuar në vitin 2004 me akuzën ‘Shfrytëzim prostitucioni’ dhe dënuar me vendim të formës së prerë 7 vite burg për veprimtarinë e tij kriminale.
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama jo pa qëllim zgjodhi për aleancë të re të Rilindjes së tij dhe menaxhimin e grevës së urisë të një grupi të vogël të keqpërdorur pamëshirshëm prej tij, trafikantin Skënder Tufa të dalë nga burgu pak kohë më parë pasi vuajti dënimin. Zoti Rama zgjodhi trafikantin Tufa për menaxhimin e grevës së tij private së pari për t’ju dërguar një mesazh të qartë të gjithë trafikantëve në Shqipëri se ai me moton “Fundërrina të të gjithë Shqipërisë të bashkohemi kundër qeverisë së kryeministrit Sali Berisha”, e ka një moto kryesore në rrugën e tij të Rilindjes së premtuar. Zoti Rama zgjodhi trafikantin Tufa për menaxhimin e grevës si një akt hakmarrës, si një përpjekje për të diskretituar qëndresën heroike të të përndjekurve politikë kundër regjimit të etërve të tij”, ka deklaruar Silvi Bardhi, zëdhënësja e PD-së. PD-ja i ka bërë thirrje familjarëve të grevistëve t’i bindin të dalin nga greva, sepse po poshtërohen nga Edi Rama dhe Skënder Tufa.
“Duke menaxhuar, një grup të vogël të tyre me trafikantin Skënder Tufa, ai do që të paraqesë para qytetarëve dhe të rinjve shqiptarë, martirët e kalvarit hoxhist si njerëz të personifikuar nga kriminelë ordinerë, trafikant të qënieve njerëzore. Partia Demokratike iu bën thirrje edhe një herë familjarëve të grevistëve: Mos lejoni që njerëzit tuaj të poshtërohen duke u menaxhuar nga Edi Rama nëpërmjet aleatit të tij të ngushtë Skënder Tufa”, ka thënë Bardhi. Sipas saj, Partia Demokratike ka shpërndarë deri më tani 103 milionë Dollarë dëmshpërblim për ish-të përndjekurit politikë, ka dhënë 2 mijë e 200 apartamente banimi,
2 mijë e 751 fabrika e ndërmarrje, linja prodhimi dhe objekte të tjera si dhe mbi 22 mijë të drejta studimi, bursa shkollimi ose pagesë e tarifave për hyrjen në Universitet. “Partia Demokratike garanton familjarët e viktimave të dyfishta të etërve dhe bijve hoxhistë, se ajo është e vendosur që në afatet e përcaktuara ligjore të disburësojë plotësisht paratë e dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë, ndaj dhe të mos lejojnë që neobllokmenët e rinj me në krye Edi Ramën që dje shpërblyen me qindra milionë lekë xhelatët e tyre, t’i menaxhojnë sot njerëzit tyre me trafikant si Skënder Tufa”, ka thënë Bardhi.
16 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)