Greva e urisë e ish të përndjekurve politikë ka hyrë sot në ditën e 28-të dhe gjendja shëndetësore e grevistëve që qëndrojnë ende të ngujuar është përkeqësuar ndjeshëm.


Ish-të përndjekurit janë shprehur sërish të vendosur për të qëndruar në çadrat e improvizuara në zonën e ‘Komunës së Parisit’, pavarësisht vendimit të gjykatës që e shpallte të paligjshme atë, por sipas koordinatorit të grevës së urisë, greva është duke u zhvilluar në kushte terrori dhe presioni të vazhdueshëm psikologjik ndaj ish të përndjekurve, të cilët sipas tij po kërcënohen vazhdimisht.


Në një prononcim për mediat mëngjesin e sotëm, Tufa u bëri sot thirrje selive diplomatike në Tiranë të mundësojnë një ambient brenda secilës ambasadë, ku të zhvillohet greva e tyre, pasi sipas tij grevistët janë duke u kërcënuar me jetë në mënyrë që të shuajnë grevën e urisë.


“Ju lutem përfaqësive diplomatike që janë në Shqipëri, na hapni një ambient brenda secilës ambasade, sepse kjo grevë po mbahet në një trysni terrori politik dhe ne koordinatorët po kërcënohemi me jetën”, – deklaroi Tufa.


15:20- Ambasadori holandez: Greva e tejzgjatur, duhet dialog


Pas Uashingtonit, Brukselit dhe Berlinit zyrtar, një tjetër zë i presencës së ndërkombëtarëve në Shqipëri ka apeluar për gjetjen e një zgjidhjeje për grevën e ish-të përndjekurëve politikë. Ambasadori holandez në Tiranë, Martin De la Beij ka deklaruar sot se greva është e tejzgjatur dhe dialogu ndërmjet qeverisë dhe ish-të përndjekurve duhet të nisë sa më shpejt që të jetë e mundur. “Unë uroj dhe shpresoj që së shpejti do të ketë një dialog mes grevistëve dhe qeverisë. Gjithashtu shpresoj që të dyja palët të gjejnë gjuhën e përbashkët  dhe të arrijnë një përfundim  sepse kjo gjë po zgjat vërtet shumë”, deklaroi ambasadori Martin de la Beij nga Korça, ku morri pjesë në inaguurimin e një qendre për të moshuarit  e ngritur me kontributin e qeverisë holandeze ambasadori holandez.


Ish-të përndjekurit: Nuk pranojmë mjekim nëse nuk na lejojnë të kthehemi sërish në grevë


Ish të përndjekurit politikë në grevë urie prej 28 ditësh kanë deklaruar ditën e sotme se, nuk do të pranojnë të marrin mjekimin shëndetësor nëse nuk lejohen të kthehen sërish në ambientet e grevës. Sipas një deklarate të dhënë ditën e sotme për mediat, ata i bëjnë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që t’u mundësojnë kthimin e tyre sërish në grevë nëse marrin mjekim shëndetësor pas përkeqësimin të shëndetit të tyre, në kushtet kur kanë pothuajse një muaj pa ngrënë.


Reagimi i ish të përndjekurve vjen pas rastit të Fatmir Lamaj, grevisti i cili u transportuar në spital në ditën e 26 të grevës, pas një problemi shëndetësor dhe nuk u lejua dje që të rifutej në ambientin  e grevës bashkë me shokët e tij.


19 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)